bruna10

 

Muzika është një nga treguesit më kryesorë të identitetit kombëtar. Por dëshiroj të shpreh shqetësimin tim, që padashur në kulturën muzikore të kombit tonë po vërshojnë edhe shumë elementë parazitë sikundër; tallavaja, motive orientale,apo shumë këngë dhe tekste ordinere, që po degjenerojnë identitetin tonë kombëtar dhe shijet e spektatorit – thotë këngëtarja Brunilda Sota, e njohur në Shqipëri si Bilbili i këngës Myzeqare.

Me zërin e saj të ëmbël, të bukur e të freskët, me talentin dhe mjeshtërinë artistike, Bruna Sota Hoxha, është ndër artistet më të dashura, të adhuruara dhe të kërkuara në Diasporën amerikane.

E palodhur dhe e përkushtuar, kurajoze dhe optimiste, e dashur dhe modeste, artistja shqiptare jeton e komunikon ndjeshëm dhe natyrshëm mes dy jetëve; jetës në të përditshmen njerëzore dhe asaj artistike.

Kordat vokale i ka të trashëguara nga nëna e saj, e cila kishte një zë të kumbueshëm lirik dhe shumë të bukur. E diplomuar për gjuhë-letërsi, profesionin e mësueses nuk e ushtroi asnjëherë, sepse u dha pas muzikës dhe këngës.

Ai që e futi në rrugë profesionale dhe i instruktoi anën teknike të të kënduarit, ishte dirigjenti i estradës së Fierit, i cili është njëkohësisht edhe bashkëshorti i artistes, Ferit Hoxha, -alias-Riku.

Ka pasur fatin dhe privilegjin që pjesën më të konsiderueshme të teksteve të këngëve të interpretuara prej saj të jenë të poetëve më të mirë shqiptarë; të Mjeshtrit të Madh Pëllumb Kulla dhe poetit më të mirë të vargjeve lirike shqiptare dhe të festivaleve të RTSH-së, Arben Duka.

E vlerësuar me cmime kombëtare e ndërkombëtare, e njohur si Bilbili i këngës Myzeqare, mbas një rrugëtimi të gjatë artistik në Shqipëri dhe vende të ndryshme të Europës, artistja shqiptare zhvendoset përfundimisht në SHBA.

Së bashku me bashkëshortin e saj, janë dy artistë që dalin nga muzeu historik i artit, kulturës dhe identitetit shqiptar.

Trending