
Shtypi ka luajtur rol të rëndësishëm informativ dhe edukativ qysh në ditët e hershme të komunitetit Shqiptaro-Amerikan. Duke ardhur nga një provincë turke ku mësimi i shqipes qe i ndaluar, shumë emigrantë mësuan të lexonin në gjuhën e tyre amtare vetëm në Shtetet e Bashkuara. E para gazetë shqiptare qe Kombi (The Nation, Boston, 1906-1909). Ajo gazetë u pasua nga Dielli (The Sun, Boston,) që u themelua më 1909 nga shoqëria Besa-Besën dhe më 1912 u bë organi zyrtar i Vatrës. Gazeta me ndikimin më të madh në Shtetet e Bashkuara, Dielli, u botua nga viti 1944 deri më 1963 nga G. M. Panarity -Qerim Panariti- (1892-1976). Dielli po ashtu botoi tekste shkolle që u përdorën si në atdhe e po ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara.
Ka pasur gjithashtu edhe mjaft revista jetë-shkurtra politike dhe edukative, si revista mujore Albanian Era (Denver, Colorado, 1915-1916, dyjavorja Illyria (Boston, 1916) dhe mujorja Ylli i Mëngjezit (The Morning Star), Boston 1917-1919; gazeta liberale Republika (Boston 1930-32), gazeta Lajmëtari Shqiptar, që dilte dy herë në javë (The Albanian Messenger, Worcester, Mass., 1934-1937), dhe gazeta radikale majtiste Demokratia (Democracy, Boston 1938). Shërbestari (The Serviceman; New York, 1950-1961 organ i Rinisë Demokratike Agrare dhe Shqiptari i Lirë (The Free Albanian) New York, 1957) i Komitetit Shqipëria e Lirë që nisi të botohej pas Luftës Dytë Botërore.
Më e suksesshme qe Liria /Liberty (South Boston, themeluar më1941), organ javor i Organizatës Shqipëria e Lirë, nisur nga nismëtari i grupit Constantin Chekrezi, dhe botuar gjatë tri dekadave të tjera nga Dhimitri R. Nikolla. Në vitet e fundit çdo komunitet fetar ka organin e tij periodik: Myslimanët Jeta Muslimane Shqiptare (Albanian Muslim Life, 1953-1961) dhe Përpjekja e Jonë (Our Effort; New York, them. 1974); Bektashinjtë Zëri i Bektashizmës (The Voice of Bektashism; Taylor, Mich., themeluar më 1954; Ortodoksët Drita e vërtetë (The True Light; Jamaica Plain, Mass., themeluar më 1958; dhe Katolikët Jeta Katholike Shqiptare (Catholic Albanian Life; Bronx, N.Y. them. më 1966. Qarkullimi vjetor i gazetave dhe revistave periodike shqip dhe Shqip-Anglisht arrin afërsisht shifrën 10.000 kopje.
Gjuha dhe kultura shqipe transmetohen nëpërmjet shkollave, po ashtu edhe shtypit. Kristo Dako nisi mësimin e shqipes në Natick, Mass., më 1908. Që atëherë janë bërë përpjekje të ndryshme, zakonisht nga kishat, për t’u mësuar gjuhën të rinjve Shqiptaro-Amerikanë. Rezultatet nuk kanë qenë fort inkurajuese, sepse shumë pak prej tyre – nga gjenerata e tretë ose e katërt e kuptojnë, – ndërsa më pak akoma e flasin. Megjithatë përpjekjet vazhdojnë. Gjatë viteve 1960 Vatra sponsori publikimin e një teksti për mësimin e shqipes nga Fehime Pipa dhe Qendra Islamike Shqiptaro-Amerikane në New York hapi një program për mësimin e shqipes në Manhattan. Klasa për shqipe u ofruan në Brooklyn, në Bronx dhe Worcester. Radioja dha ndihmesën e saj për të mbajtur gjuhën shqipe në Shtetet e Bashkuara. Më i hershmi i këtyre programeve është Zëri i Shqipërisë që nisi në Boston më 1938; Radio programe emetohen edhe në New York, Detroit dhe Worcester.
Edhe pse nuk ka qendra për studime shqiptare në nivel universitetesh, gjuha është mësuar në disa universitete. Janë dhënë kurse gjatë viteve 1950 dhe 1960 në Indiana University, Columbia University dhe në Universitetin e Kalifornisë në Berkley. Në fund të viteve 1970 shqipja mësohej vetëm në Universitetin e Çikagos.
Instituti i Gjuhës i Forcave Ushtarake (The U.S. Army Defence Institute) në Monterey, Calif., ka mbajtur programin gjuhësor më aktiv. Nelo Drizari (1902-1978) autor i fjalorëve Shqip-Anglisht, i gramatikave dhe teksteve ndihmëse, organizoi programin e gjuhës shqipe për institutin.
Shqiptarët qenë më aktivë përsa i përket jetës kulturore në vitet e para, se sa tani. Grupet teatrale qenë veçanërisht popullore. Në Boston amatorët vunë në skenë vepra të autorëve shqiptarë si Sami Frashëri, Foqion Postoli, Kristo Floqi dhe Mihal Grameno dhe shfaqjet qenë thuajse të zakonshme. Jeta muzikore Shqiptaro-Amerikane dominohej nga Thoma Nassi (1892-1964). Më 1915 ai organizoi në Boston Klubin e Mandolinatës dhe Orkestrën Shqiptare të Telave (String Orchestra) dhe vitin tjetër formoi bandën e Vatrës, e cila pas Luftës Parë Botërore bëri një turne në Shqipëri dhe më pas qëndroi atje si Banda Mbretërore e Mbretit Zog. Më vonë Thoma Nassi ai u rikthye në Massachusetts si konduktor i Shoqërisë Filarmonike të Cape Cod.
Gazetat Shqiptaro-Amerikane shpesh botonin vepra letrare nga autorët emigrantë. Shkrimtari më i shquar Shqiptaro-Amerikan qe mjeshtri i prozës toske, Faik Konica, i cili po ashtu kishte themeluar revistës Albania (Bruksel dhe Londër, 1897-1909), që stimuloi zjarrin e nacionalizmit dhe shërbeu si arkiv për folklorin shqiptar, për historinë dhe letërsinë. Poezia Shqiptaro-Amerikane u pasurua nga Fan Noli dhe tani së fundi edhe nga Arshi Pipa. Secili prej tyre ka botuar disa vëllime.
Shqiptaro Amerikanët e kanë njohur prej kohësh nevojën të përgatitin vepra studimi serioze për të ruajtur kulturën e vendit të tyre dhe po ashtu për t’ia prezantuar publikut të gjerë Amerikan. Dijetari prijës qe peshkop Fan Noli, i cili veç poezisë tij, muzikologjisë, studimeve fetare dhe përkthimit të Shekspirit në shqip dhe të klasikëve të tjerë, shkroi një biografi (1947) për heroin kombëtar Skënderbeun.
Shqiptarët kanë emër të mirë si trima, besnikë, mikpritës, krenarë dhe si njerëz tepër të pavarur – dhe po ashtu luftarakë, kokëfortë dhe grindavecë. Shqiptaro Amerikanët ruajnë trashëgimin kulturor të të parëve të tyre të ashpër. Ata e kanë mbajtur traditën e mikpritjes; ata krenohen me zakonet e tyre, mënyrat e sjelljes dhe parimet morale, pavarësisht se fëmijët dhe nipat e tyre i vënë në pikëpyetje vlerat e tyre. Dhe ata kanë një lloj prirje për kundërshtim dhe fraksionim brenda komunitetit të tyre, sikur ato të ishin përbërës dhe shprehës, që i japin vrull dhe produktivitet jetës së komunitetit.
Dekadat e jetesës në Shtetet e Bashkuara kanë ndikuar si në grupet, ashtu edhe në individët. Komuniteti po shndërrohet me shpejtësi. Botëkuptimet klanore dhe grindavece janë dobësuar e ndofta edhe janë shuar. Ndeshjet me armë nuk nevojiten më për të mbrojtur grupet, nderin personal ose të familjes, ato ia kanë lëshuar vendin interesave dhe qëllimeve më praktike, sikurse përparimi në biznes: të fitosh të holla, të shtosh pasurinë dhe zotërimet dhe të fitosh famë shoqërore. Shkurt ata janë pjesë e ëndrrës Amerikane.




You must be logged in to post a comment.