imer-mushkolaj-oped-express_1471598314-3265776
IMER MUSHKOLAJ

Me emrin Amerikë në gojë janë pasuruar duke përvetësuar gjithçka. Me emrin Amerikë në gojë kanë vjedhur e kanë mashtruar, janë korruptuar e kanë korruptuar, kanë keqqeverisur e janë kriminalizuar. E Amerika ka të tjera vlera – jo ato që i promovojnë Thaçi, Veseli e Mustafa. Amerika qeveris ndryshe. Jo si këta të tre.

 

Thonë se janë proamerikanë. Jo vetëm që thonë, por bërtasin që janë të tillë. Të gjithë të tjerëve që i kritikojnë ose nuk pajtohen me ta, ua mveshin epitetin e antiamerikanëve. Dhe vazhdojnë të vjedhin. Me emrin e Amerikës në gojë, me fjalën demokraci në gojë. Dhe vazhdojnë të shkatërrojë vendin dhe të ardhmen e tij – si promerikanë.

Të tillë u shfaqën edhe të mërkurën, gjatë vizitës së nënpresidentit Joe Biden në Kosovë. Nuk ngurruan ta gënjejnë se janë duke e luftuar korrupsionin e krimin e organizuar, madje nuk ngurruan as të kërcënojnë, kur thanë se vendi do të izolohej, po që se nuk i miraton demarkacionin e Asociacionin…

E në ceremoninë e organizuar në Sojevë, për nder të djalit të ndjerë të Bidenit, u panë plot tipa që e keqqeverisën e vazhdojnë ta keqqeverisin këtë vend. U panë hajna e mashtrues, të atillë që bëjnë plane e ndërmarrin veprime antiligjore e të dëmshme, si dhe të tjerë që shfaqen në përgjimet që po publikohen çdo ditë. Nuk ngurruan as të flasin para kamerave televizive, duke shitur mend për miqësinë me Amerikën, për demokracinë dhe për mesazhet e Bidenit. Si proamerikanë të vërtetë, e jo si të tjerët që nuk e duan Amerikën!

* * *

Duke e keqpërdorur mbështetjen dhe miqësinë amerikane janë kryer dhe vazhdojnë të kryhen punë të pista në Kosovë. Ka mjaftuar një fotografi me ndonjë zyrtar amerikan, një flamur, një çkadoqoftë që lidhet me SHBA’në që politikanë – dhe jo vetëm ata – të përfitojnë politikisht e financiarisht. Duke e pasur gojën plot Amerikë.

Me emrin Amerikë në gojë ata janë pasuruar, duke privatizuar çfarë kanë mundur. Me emrin Amerikë në gojë ata kanë vjedhur e kanë mashtruar, janë korruptuar e kanë korruptuar, kanë keqqeverisur e janë kriminalizuar.

Me emrin Amerikë në gojë të enjten mbrëma foli edhe presidenti Hashim Thaçi. Në adresimin e tij qytetarëve, ai tha se vendi është në një udhëkryq historik, si pasojë e zhvillimeve politike të muajve të fundit. Ai kërcënoi sërish me pasojat e mosvotimit të demarkacionit me Malin e Zi.

“Çdo vonesë për ratifikimin nga Parlamenti i Kosovës e minon të ardhmen evropiane të Kosovës. I thyen shpresat dhe besimin që gjatë këtij viti qytearët e Kosovës do të lëvizin pa viza në zonën Shengen”, tha ai.

Kur Hashim Thaçi e përmend të ardhmen europiane, këtë e bën vetëm për t’iu hedhur hi syve qytetarëve dhe për të mbuluar keqqeverisjen e tij sa ishte në krye të ekzekutivit. Sa për liberalizim të vizave, lëvizjen e lirë ai e ka premtuar para pesë vjetësh. Sa për atë se Kosova do të izolohet, ajo është e izoluar pikërisht për shkak të qeverisjes së tij dhe të partive që bënin koalicion me të.

Thaçi përmendi edhe shtyrjen e themelimit të Forcave të Armatosura të Kosovës, ndërkohë që vetë ai me politikën e tij është fajtori kryesor për moskrijimin e ushtrisë. Duke iu referuar vizitës së nënpresidentit amerikan, ai tha se askush nuk guxon të vë në dyshim vullnetin e mirë, dashamirësinë dhe suksesin e këshillave të marra nga aleati strategjik. Por, është vetë Thaçi ai që në vazhdimësi ka vepruar kundër vlerave qeverisëse amerikane – duke instaluar qeverisje korruptive e nepotiste, duke e izoluar vendin dhe duke ua humbur qytetarëve shpresat për të ardhmen – madje duke i bërë ta braktisin vendin dhjetëra-mijëra vetë.

* * *

Me fjalën Amerikë në gojë po përpiqet të përfitojë e të na hipnotizojë edhe kryeministri Isa Mustafa. Ai na tregoi se me Biden kishte folur edhe për luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Madje, tha se është siguruar pavarësi e plotë ligjore dhe kushtetuese e institucioneve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjyqësisë. Mustafa na rrëfen këso përrallash, ndërkohë që ia ka mundësuar partisë së Hashim Thaçi e Kadri Veselit të vazhdojë qeverisjen si më parë. Mustafa është ai që ka mundësuar vazhdimin e funksionimit të rrjetit mafioz në qeverisjen e shtetit, me emërimin e militantëve partiakë në institucione e agjenci që do të duhej të ishin të pavarura. Mustafa është ai që ka mundësuar vazhdimin e funksionimit të rrjetit mafioz që emëron madje edhe gjykatës e prokurorë. Për çfarë pavarësie të institucioneve po flet Mustafa? A nuk është ai që pati premtuar pastrim të bordeve nga militantët partiakë, por që vetëm vazhdoi keqqeverisjen aty ku e la Thaçi, duke i mbushur ato me njerëz të partisë së vet? A nuk është Mustafa ai i cili i fitoi votat duke gënjyer elektoratin se nuk do të qeveris kurrë me PDK’në? Mustafa, Thaçi e Veseli janë një. Ata e kanë kapur këtë shtet, duke na shitur proamerikanizëm. E Amerika ka të tjera vlera.

Trending