Qytetarët sportdashës fierakë mbi moshën 30 vjeç, janë thuajse të vetmit që po t’i pyesësh për Sofie Meço, të japin një përgjigje të denjë:”Është kampionia fierake e atletikës, mësuesja e merituar e fizkulturës. Respekt!” !Dhe natyrshëm të pyesin: “Çfarë ka ndodhur, a është mirë?” Kërshëria dhe pyetjet e tyre vrapojnë para teje, si për të kapur vitet e sukseseve të Sofies, kësaj fierakeje të martuar me erën.
Ajo është 84 vjeç bashkëmoshatarët e saj kanë filluar “të rrallohen” nëpër ditët e javës, dhe këtë e tregojnë lajmërimet e ikjes nga bota e të gjallëve, drejt botës së përkujtimoreve. Qytetarët e tjerë ende nuk kanë harruar “të mirat e saj”, që duket se janë kthyer në histori që tregohen dhe ritregohen sa herë që në Fier flitet për ekipet e shumësportëshit, që i ka dhënë tonin sportit shqiptar në paraqitjet e tij, e sidomos të atletikës fierake, ky sport që sfidoi fushat sportive, rrugët, dhe sidomos, erërat.!
“Atë mund ta gjesh në shtëpi”, thotë Sifi Pelari, një fierak i apasionuar pas sporteve, por mbi të gjitha pas traditave emrave dhe qytetarisë fierake. Ai ka edhe një radio që e ka emërtuar Fieri, e që nëpërmjet valëve të saj përcjellë edhe histori mbi figurat intelektuale fierake që kanë gdhendur në qytet dhe më gjerë vlerat e tyre. Dhe për siguri të jep dhe një numër telefoni statik. Celularët edhe pse janë në modë, janë mollë e ndaluar për moshën e tretë, e sidomos për ata që jetojnë vetëm me një pension. Sofia nuk ka numër celulari. Zilja e telefonit bie vetëm dy herë. Receptori pritës hap linjën. “Alo”? Zëri që përgjigjet është sa i ngrohtë, aq dhe i ngjirur. Por nuk tregon moshën e një 84-vjeçareje. “Jam Sofia Meço”, pohon zëri.
Ish- atletja e mirënjohur fierake, kampionia e parë e Shqipërisë në vitin 1947, në atletikë, thotë se nuk mund të presë se është për rrugë. Duket sikur përherë është ende për stërvitje për të vrapuar dhe garuar me kohën. Pastaj shton se për mirësjellje do të dalë te porta e shtëpisë për të më takuar: “Jam për rrugë”, këmbëngul dhe mbyll telefonin.
Prej vitesh kampionia rekordmene, jeton në një shtëpi private në lagjen “Kastriot”, përballë godinës së Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore. Shtëpia është pronë e të vëllait të saj, të ndjerit Sotir Meço dhe bashkëshortes Dhoksi Meço, të dy mësues, tashmë të ndarë nga jeta. Është pensioniste që nga viti 1983, vit kur la profesionin aq shumë të dëshiruar prej saj, të mësuesit të Edukimit Fizik, profesion që e ushtroi në shkolla të ndryshme, që nga “Vojo Kushi” në Tiranë, në shkollën 9 -vjeçare “Andon Xoxa”në Fier dhe e përmbylli në shkollën e mesme të përgjithshme “Janaq Kilica”, ose siç njihet gjithandej “Gjimnazi i Vjetër”.
Ajo ka fituar titullin mjeshtre e sportit dhe është “Nderi i Fierit”. Te porta e shtëpisë del një grua e veshur sportive. Është Ajo, shtatshkurtra, e thinjura, por jo e kërrusura,me një bluzë sportive, ku mbizotëron ngjyra kafe. Zgjat dorën dhe kërkon ndjesë për pritjen atje në hyrje të oborrit dhe jo brenda shtëpisë sipas traditës”.
“Jam për rrugë”, thotë sërish. Sikur ripohon, rithotë “do të nis nxehjen” kam garë” dhe në këtë moshë. Sepse shtëpia nuk e mban. “Unë jetoj në shtëpinë e vëllait. Vetë nuk kam shtëpi”, pohon 84-vjeçarja. Dhe e thotë thjesht, çiltër, pa vuajtje. Nuk jep shenja dhimbjeje. Kurrsesi lodhjeje. “Kam ardhur, sepse dua të shkruaj për Ju”, i them. “Dua që edhe të rinjtë fierakë, shqiptarë të njohin përkushtimin tuaj ndaj sportit, vlerat dhe mbi të gjitha qytetarinë e përcjellë edhe ndër nxënës dhe studentët tuaj”.
“Nuk dua të shkruash për mua. E pse duhet të shkruhet? Unë kam dhënë atë që duhej të jepja, dhe jam shpallur kampione. S’dua të flas e të kërkoj duke u qarë. Një atlete s’duhet të qahet. Por të vrapoj”, vë buzën në gaz ajo.
“Kam lindur në 17 shkurt 1933 në fshatin Mujalli të Fierit. Ai është fshati im”, pohon me krenari. Kur e pyes se sa tituj ka fituar, përgjigjet shkurt. “Kam garuar nga viti 1947 deri në vitin 1956. Dhe kam qenë fituese absolute e garave 400, 880 dhe 1500 metra. Pastaj erdhën të tjerë kampionë, thotë me modesti. Nuk jam përgatitur për intervistë”, shton më pas. Si sportiste ajo ka qenë rekordmene për vite me radhë në 400 m, 800 m, 1000 m dhe 1500 m. Ka bërë pjesë në Klubin Sportiv “Partizani” qysh nga viti 1946. Përparim Hysi, publicist thotë se, nga Besnik Dizdari i janë dërguar jo vetëm rekordet e Sofie Meços, por dhe koha me të cilën është shpallur kampione. “Sofie Meço në vitin 1952 ka fituar titullin “Mjeshtre Sporti”. Ky titull, me të vërtetë, është pak sinjifikativ. Ajo është e para Mjeshtre Sporti për Femra në Republikë, kur, në atë kohë, këtë titull e mbanin vetëm 46 meshkuj!”, thotë ai. Veç rekordeve në këto vrapime, ajo ka marrë pjesë në gara sportive jashtë vendit si në Rumani apo delegacione sportive deri dhe në Kinën e largët. Është dekoruar me medalje të ndryshme deri me Urdhër Olimpik për “Lëvizjen Olimpike të Shqipërisë”.
Ka qenë anëtare e Komitetit të Fizkulturës nga viti 1975 deri në vitin 1980. Të gjithë ata që e kanë njohur dhe e njohin, janë çuditur vetëm me një fakt shumë domethënës: Ajo nuk krijoi familjen e vet. Përherë deklaronte duke qeshur:“Jam e martuar me erën, me sportin e atletikës!”. Kur e pyet për sportin e atletikës në Fier nuk përgjigjet. Vetëm ofshan. Kjo tregon më shumë se sa e folura. Në Fier, sipas saj gjatë kësaj kohe nuk ka atletikë. Përgjegjësi i klubit shumësportësh, i mirënjohuri Palion Zarka, thotë se për Sofinë, këtë atlete të madhe dhe gjithë sportistët elitarë fierakë duhet bërë shumë. “Jemi duke ringritur këtë sport dhe mundjen, sepse mungojnë prej vitesh si gjini shumësportëshi. Po gjurmojmë në shkolla elementët e duhur për të krijuar ekipet zinxhir”, pohon ai. E vlerësuara, si “Nderi i Fierit”, rekordmenja sportive, ka thyer çdo rekord të mosvëmendjes ndër vite të pushtetit ndaj saj. Ajo është pa shtëpi, pa një familje. Por jeton mes fierakëve. Ashtu e qetë, e bukur, fisnike, nuk kërkon, nuk apelon, nuk do të jetë personazh në shkrime apo intervista. Nga brenda oborrit të shtëpisë së vëllait, dikush e thërret. Kërkon ndjesë dhe kthehet të largohet. Të jep dorën si shenjë përshëndetjeje. Atë dorë që ka ngritur lart kupat e kampiones së padiskutueshme të fitueses së garave 400, 880 dhe 1500 metra. Dhe e dhjetëra garave të tjera ndër vite. E heshtur, me 84 vitet në trupin e saj, që çuditërisht nuk lëkundet, ajo nxiton të futet në shtëpi, për të vijuar jetën e saj të përditshme. E martuar me erën, Sofia vrapon, vrapon, duke sfiduar moshën..
Arben Velo
Rekordmenia 84vjecare Sofije Meco qe u martuar me sportin
Qytetarët sportdashës fierakë mbi moshën 30 vjeç, janë thuajse të vetmit që po t’i pyesësh për Sofie Meço, të japin një përgjigje të denjë:”Është kampionia fierake e atletikës, mësuesja e merituar e fizkulturës. Respekt!” !Dhe natyrshëm të pyesin: “Çfarë ka ndodhur, a është mirë?” Kërshëria dhe pyetjet e tyre vrapojnë para teje, si për të…
5–7 minutes





