Fjala e lamtumirës për Thoma Meçon …
Të nderuar pjesëmarrës, miq, shokë, të afërm të familjes, nipër e mbesa!
Nuk do kisha dashur kurrë që të mbaja një fjalë lamtumire për Thoma Meçon. Por marrëdhënia miqësore e shoqërore, si dhe obligimi shpirtëror, më çuan në këtë stacion epik.
Natyrisht ai ka shumë të dashur, shokë edhe miq. Unë jam njëri ndër ta.
Gjurmët e tij janë ndjerë në pozitivitetin më të lartë …
Kanë dhe do të kenë kumbim të përjetshëm dhe vokacion të rrallë.
Zaten, jeta e një njeriu me gjurmë e vlera fillon pikërisht aty ku ndërpritet jeta. Por jeta e Thoma Meços është si shprehja e Naim Frashërit: “O diell, nga lind e perëndon!”
Ai lindi në Mujalli të Fierit, në zemër të Myzeqesë, çka do të thotë – në zemër të Shqipërisë. Një fëmijë i lindur në vitin 1934, më 27 maj – si prokreacion i një familjeje autoktone, me nënë e me babë të blatuar nga kjo tokë e shenjtë.
Ai nisi të çapitej e të rritej nën bekimin e natyrës e të Perëndisë, si trashëgimtar i denjë, me vëllezërit: Vangjel, Llambi, Nikollaq dhe Zoi, si dhe me motrat e shenjta që i donte aq shumë; Dhoksinë e Uraninë, – bij të Llazit e Maries, – kurorë kjo, sa familjare aq edhe njerëzore.
Aty qe vatra, aty qe edukimi, aty qe formimi fillestar i kalitur nga vuajtjet. Por familja e Thomait, si edhe pak a shumë çdo familje tjetër, ishte me sensibilitetin e orientimin e progresit e përparimit shoqëror shqiptar. Ideologjia qe patriotizmi. Kur ende Thomai qe fëmijë, e në prag të adoleshencës, familja e tij ishin angazhuar e kontribuonin për lëvizjen më përparimtare të kohës, pra Lëvizjen Nacionalçlirimtare. Kontribut ky që këtë familje e fis e vë edhe sot e kësaj dite në ballin e nderit të historisë.
Por Thoma Meço, nuk ka qenë skematik e dogmatik. Ai në jetën e vet kuptonte si rrallë kush dhe devijimet e shtrembërimet. Zgjuarsia e mprehtë, formimi tashmë në rritje e ngritje, e çonin në stacione gjykimi objektiv.
Thomai ka qenë dhe do të mbetet një shembull sinjifikativ i kuptueshmërisë e bonsensit, i qëndrimeve liberale karshi dogmës e vrazhdësisë së kohës.
Në shpirtin e tij buronin principe të njerëzisë e humanizmit, mbi bazë të kritereve e vlerave. Dhe këtë e kishin si familje e si fis, bashkë me kushëririn e afërt, të ndjerin Sotir Meço, që njihnin, adaptonin e kultivonin qytetarinë, përkundër ndarjeve, qoftë të besimit apo krahinave.
Ata nuk ishin krahinoristë. Për ta krahina ishte Shqipëria, atdheu e shqiptarët. Kjo është një meritë e madhe, mendoj unë.
E shpesh herë Thomai citonte Pashko Vasë shkodranin: “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”
Në çdo vend që ka punuar Thoma Meço, ka lënë gjurmët më dobiprurëse në favor të këtij vendi, për rreth e qark trevave të Myzeqesë. E mbajnë mend të gjithë njerëzit, që nga Allambrezi i Shpiragut, zona e Roskovecit, Ballshit e Mallakastrës, Cakranit e Myzeqesë po se po.
Ai, Thoma Meço, ishte dhe një myzeqar tipik gjithë individualitet e me tërë dimensionalitetin e një njeriu, ku përfshihet sjellja, dashuria, kënga, fjala, dollia, muhabeti e zijafeti, e më në fund lezeti e humori i madh.
Ai, Thoma Meço, ishte njeri me çika. Serioz, rogoroz e sportiv. Sado fjalë të thuhen për të, ngelen pak. Atij nuk i binte asnjë fjalë e presje në tokë. Por ajo që duhet të evidentoj në këtë fjalë lamtumire e përcjellëse për Thoma Meçon, e që i kalon kufijtë e familjes, fisit, shoqërisë e miqësisë, është se ai ishte një kuadër me talent suprem. Një gjeneral i lindur, por në sensin e një gjenerali civil.
Ku s’ka punuar ai, e të mos ketë shkëlqyer? Në çdo vend…, në çdo institucion, në shkolla periferike të thella, në shkolla e institucione qendrore, në aparate që i përkisnin veprimtarive shoqërore, apo kabinete didaktike.
Shkëlqente! Një organizator i rrallë! I parë që s’ka të dytë!
Në kontekstin kohor, përmidis viteve “70 – “80, duhet të mbajmë parasysh se Thoma Meço ishte drejtor i Teatrit Bylis dhe Estradës së Fierit, që në atë kohë u ravijëzuan si Teatri dhe Estrada më spektakolare e kohës. Doli në krye të Shqipërisë! Vetë regjizorët e aktorët edhe sot e kësaj dite thonë: “Ai s’ishte drejtor, ai ishte aktor! Ai ishte edhe aktor, ishte edhe drejtor!”
Ka shumë, ka shumë për të thënë për Thoma Meçon, por edhe po t’i tkurrësh vlerat e bëmat e tij, ato bymehen. Por edhe nëse marrim rastin që t’i bymejmë, ato do të tkurren deri në një masë, e prapë e gjithësesi, të plotëruara prapë do të ngelen. S’ke as ç’ti heqësh e as ç’ti shtosh.
Tjetra, përmbi të gjitha është shpirti e triumfi i tij humanist. Humanizmi ishte parimi kryesor i jetës së Thoma Meços, si njeri e si kuadër. Ai i harronte e i linte hallet e tij dhe u përkushtohej çështjeve e shqetësimeve të të tjerëve. Dhe ky ishte një virtyt i rrallë, që Thomai e posedonte në të gjitha nivelet, qofshin këto intelektuale, e qofshin këto deri tek njeriu më i thjeshtë e fukara.
Nuk na i lejon koha e vendi për t’i thënë të gjitha vlerat e personalitetit të Thoma Meços.
Jo mëkot, ai nëpërmjet manifestimit të të gjitha sjelljeve dhe gjurmëve në jetë, është dekoruar me shumë urdhëra e medalje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor e insitucione të tjera.
Jo mëkot ai qe për vite të tëra anëtar i Komitetit Kombëtar të Veteranëve të Shqipërisë.
Jo mëkot për shumë vite, e deri më sot qe Kryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it Fier.
Jo mëkot ai qe anëtar i Këshillit të Bashkisë Fier për shumë vite.
Jo mëkot atij iu dha titulli “Qytetar Nderi” në komunën e vendlindjes.
Jo më kot atij iu dha me meritë të padiskutueshme titulli “Qytetar Nderi” i Qarkut Fier.
Së fundi, dhe që del e para, Thoma Meço ishte dhe do të ngelet një vëlla, prind, baba, xhaxha e dajo shembullor.
I pazëvendësueshëm!
Ikja e tij do të krijojë boshllëk për të gjithë. Edhe për ne shokët e miqtë. Por njerëzit e tij të afërm, të mëdhenj e të veckël, bashkëshortja e tij, zonja e ndritur Athina, Moza dhe Ylli Gjana, Ilda dhe Arjan Haxhiraj, Edmondi djali i tij e bashkëshortja e tij Mirela – do të jenë krenarë me emblemën e tyre.
Kjo emblemë s’është vetëm e tyre, por është një emblemë e të gjithëve ne.
Në nderim të përcjelljes në tokë, në tokën që Thoma Meço e donte aq shumë, iu fotj për një minutë heshtje…
I paharruar e i ndritët shpirti!
Haxhi Kalluci
Fier, 17 tetor 2017
Post in fb page.






You must be logged in to post a comment.