ZOI DASHI
Nuk dua të besoj se këtë emër miku të cilin e pashë vazhdimisht në krye të cikleve e librave poetik, prej sot do e shoh ne mermer.
Por jeta kjo është. Mësohet njeriu edhe me ngjarje që s’i ka pandehur kurrë kaq të afërta.
Jeta është një simbolikë hileqare me të cilën duhet të mësohemi të gjithë, pasi vetëm ajo s’di të mbajë me hatër e me përkëdhelje.
Prej sot e në vazhdim, Zoi do na mungojë të gjithëve, fëmijëve që u ngelet një boshllëk i madh, neve që e njohëm dhe jetuam me të ngjarje te paharruara, qytetit, të cilin aq shumë e donte.
Edhe pse jetuam në të njëjtin qytet, me Zoin u njohëm gjatë viteve 70 kur qyteti ziente dhe sita tundej për të ndarë patriotët nga armiqtë. Zoi ishte nga ata “armiq” që e neveriste patriotizmin e shtirë. Si tip shpërthyes e i drejtpërdrejtë që ishte, ai e rrezikoi veten shumë herë, por unë s’mund të rri pa kujtuar njërin. Atëherë Zoi ishte inspektor në seksionin e arsimit në Fier. U ndodh me një ekip kontrolli në fshatin Kreshpan. Në mbrëmje i ftoi në shtëpi njeri nga mësuesit i cili me tu shtruar darka, ngriti dollinë e parë:
−Për komandantin që martë nga ditët tona!- Tha i zoti i shtëpisë.
−Për të zotin e shtëpisë e lere komandantin se boll na ka çarë bythën një jetë të tërë− Tha Zoi dhe e ktheu me fund.
Darka u prish pa filluar dhe të nesërmen në komitetin ekzekutiv erdhi denoncimi për sjelljen e tij antikomandant. I shpëtoi burgut falë përkrahjes e mbrojtjes dinjitoze që i bëri titullari i komitetit.
Kështu hyri ky rebel në etapën e re të Shqipërisë kur po dilnin aq shumë trima pas lufte, sa nuk po llogariteshin më as të burgosurit politikë e jo më Zoi, i cili shpresoi aq shumë. Hera e parë që punonim së bashku, ishte viti 1991, kur drejtonim gazetën e sindikatës së pavarur të naftës, “NIMFEU”. Shpresa të venitura. Zoi s’mund të pajtohej dot me kameleonizmin e krerëve të sindikatës që vetëm luanin teatër me ata që akoma shpresonin. Disa herë pati probleme e diskutime të nxehta, rreth shkrimeve të tij ekspresive, të cilat i përballoi denjësisht. Çgënjimi e solli në Greqi, ku përsëri u gjendëm së bashku. Janë me dhjetëra kujtimet e kësaj kohe, që sa herë i kujtojmë me shokët, shkrihemi së qeshuri. Ashtu spontan dhe i pa të keq, ai krijonte situata nga më të rrezikshmet, prej të cilave u nda duke qeshur.
Zoi nuk është më.
Sa herë që hyj në Fier pas rrugës së largët, unë s’do kthej më në Sheq, për të takuar mikun tim të vjetër, për ta marrë me vete e për të kuvenduar atje ku na gjente shpirti qetësi: në Apoloni.
Zoi nuk është më. Ka ndërruar adresë dhe mua do më duhet që pas kësaj ta vizitoj në adresën e tij të re. Atje ku akoma s’e di si do i kem takimet me të. Di vetëm një gjë me siguri: që n[ vend te diskutimeve te librave do na lidhet goja para tufes me lule. Zoi Dashi s’do na i pranojë lotët, sepse ai ishte i buzëqeshjeve dhe i humorit të hollë.
U prehsh në paqe i dashur mik!

Murat Aliaj shkrimtar fierak

Trending