Vullnet Mato

Ikin shqiptarët nëpër qiell e dete,
se paria synon të majmet për vete.
Ikën nga sytë-këmbët mosh’e re,
se s’lëshojnë dot rrënjë në kafene.

Ikin sanitarët, ikin infermierët,
se marrin lëmoshë, sa të mjerët.
Ikin nga klinikat pa ilaçe, mjekët,
se enden mes pacientëve, si lejlekët.

Ikën vajzëria, në kthetrat e turpit,
se s’jetojnë dot, pa shitur trupin.
Ikin pas rropatjeve, baballarët,
se u thithin gjakun taksidarët.

Ikën intelektualët e vërtetë,
se nuk u vlen më, truri në jetë.
Ikin mjeshtërit, lënë zanatet,
se këtu s’mbarojnë taksiratet.

Ikin nënat me foshnja duke qarë,
se qumështi gjirit u është tharë.
Ikin çiftet e sapomartuar jashtë,
se nuk bëjnë fole zogu me kashtë.

Ikin arsimtarët e specializuar,
se zgjidhen diplomat falsifikuar.
Ikin ata që ligjërojnë, si bilbila,
se pëlqehen injorantët servila.

Ikin fshatarët, lënë tokat djerrë,
se parat e mbjelljes droga i nxjerr.
Ikin të mirët, bashkë me të liqtë,
se miqtë kudo, punësojnë miqtë.

Ikin shqiptarë pareshtur, ikin shumë,
se ngopen me pluhur rruge pa punë.
Në tokën e begatë kush mbetet pas?
Vetëm ata që të lënë gurin në trastë…

Mund të qëndrojnë mbi rrënjë, shqiptarët,
nëse do dalin nga gjaku i tyre, të parët,
të kthejnë të ikurit, në Atdheun e shpirtit,
siç u kthyen hebrenjtë, në tokën e Krishtit…

Trending