
Me hidhërim të veçantë mësuam ndarjen nga jeta të dielën e kaluar të Erik Hempit (Eric Hamp), gjuhëtar me emër ndërkombëtar dhe albanologu më i shquar i ditëve tona. Është e pamundur ta japësh qoftë edhe shkurt profilin e këtij shkencëtari të madh, më të përmendur sidomos në fushën e gjuhësisë krahasuese, i cili ka trajtuar të gjitha anët e qenësishme të gjuhësisë historike. Megjithatë, ai nuk ka qenë dijetar i zyrës, por e ka gjurmuar lëndën gjuhësore në bashkësitë që kishin të folmet e tyre amtare, për shqipen jo vetëm te burimet e shkruara, por edhe te arbëreshët e Italisë dhe te arvanitët e Greqisë e gjetkë. Nga ana tjetër, ai ka drejtuar për shumë vjet Revistën ndërkombëtare të gjuhësisë amerikane dhe në kohët e fundit revistën e Gjuhësisë antropologjike, ndërsa më 1965-1991 ka qenë drejtor i Qendrës për studimet ballkanike dhe sllave.
SKENDER KARACIQA






You must be logged in to post a comment.