Ishte vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka që në një deklaratë për shtyp komunikoi një akt të rrallë në vitet dhe ndoshta të paprecedent në 29 vite të pluralizmit. Ajo lajmëroi se kishte urdhëruar vendosjen e efektivëve të Policisë Ushtarake dhe Batalionit Special të Forcave tona të Armatosura në perimetrin e aeroportit ndërkombëtar të Rinasit. Kjo është hera e parë që ushtria shqiptare del në rrugë e angazhuar në një çështje të garantimit të sigurisë. Arsyet e këtij veprimi ministrja
Xhaçka i justifikoi me argumentin se nuk mund të lejohet “të cenohet as siguria e qytetarëve dhe as imazhi i vendit”.
Sipas ministres kjo është një praktikë, që zbatohet sot në thuajse çdo kryeqytet europian, ku njësi të Forcave të Armatosura vendosen në mbështetje të kolegëve të tyre të Policisë, me qëllim, garantimin e sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë dhe mbi të gjitha, me qëllim garantimin e sigurisë së qytetarëve.
“Po ashtu, duke qenë që në një distancë fare të shkurtër nga Aeroporti i Rinasit ndodhet e vendosur edhe Komanda Ajrore e Forcave të Armatosura, kam urdhëruar që edhe Policia Ushtarake të dislokohet në këtë komandë, duke ju bashkuar kështu Policisë së Shtetit për ta mbështetur atë në garantimin e sigurisë së aeroportit” – tha Xhaçka, por pa cituar asnjë ligj ku e kishte bazuar këtë urdhër.
Në krahun tjetër opozita e ka konsideruar këtë vendim si të paligjshëm dhe antikushtetues. Sipas kreut të PD-së, Lulzim Basha vendosja e Forcave të Armatosura në Rinas tregon qartë se shteti ka rënë. Ai sjell në vëmendje nenin 173 të Kushtetutës ku thuhet se “ushtria del në mbrojtje të territorit të vendit vetëm kur Kuvendi shpall gjendjen e jashtëzakonshme”, citon lapsi.al.
Sipas Bashës, vendimi i Xhaçkës është antikushtetues, pasi ushtria mund të dërgohet në Rinas vetëm kur Kuvendi ka shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme.
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Neni 173
1. Në rast rreziku për rendin kushtetues dhe për sigurinë publike, Kuvendi, me kërkesë të Këshillit të Ministrave, mund të vendosë në një pjesë ose në të gjithë territorin e shtetit gjendjen e jashtëzakonshme, e cila zgjat për aq kohë sa vazhdon rreziku, por jo më shumë se 60 ditë.
2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme ndërhyrja e forcave të armatosura bëhet me vendim të Kuvendit dhe vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje të rivendosin rendin.
3. Zgjatja e afatit të gjendjes së jashtëzakonshme mund të bëhet vetëm me pëlqim të Kuvendit çdo 30 ditë, për një periudhë jo më shumë se 90 ditë!
LIGJI I PUSHTETEVE TE DREJTIMIT TE FORCAVE TE ARMATOSURA
Neni 22
Përdorimi i Forcave të Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme
1. Gjendja e jashtëzakonshme vendoset me ligj nga Kuvendi, sipas dispozitave të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
2. Me vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme, Forcat e Armatosura, me vendim të Kuvendit, pas kërkesës së Këshillit të Ministrave, mund të ndërhyjnë për rivendosjen e rendit, vetëm kur forcat e policisë nuk janë në gjendje ta kryejnë këtë detyrë.
3. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri është drejtpërdrejt përgjegjës për drejtimin e Forcave të Armatosura, përmes hierarkisë së drejtimit e të komandimit.
4. Pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme Kryeministri i raporton Kuvendit për përdorimin e Forcave të Armatosura gjatë kësaj periudhe.
5. Veprimet, që ndërmerren nga Forcat e Armatosura gjatë gjendjes së jashtëzakonshme, duhet të jenë në përpjesëtim me shkallën e rrezikut dhe duhet të synojnë rivendosjen sa më të shpejtë të funksionimit normal të shtetit. ©LAPSI.al






You must be logged in to post a comment.