
Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Masaçusetsit është e gëzuar që ju mundët të vizitoni përsëri qytetin tonë të bukur dhe Universitetin e Harvardit javën e kaluar për herë të tretë gjatë këtij viti dhe që mundët të takoheni me disa anëtarë të komunitetit lokal shqiptaro-amerikan.
Fatkeqësisht, mbetëm të zhgënjyer që nuk kërkuat një takim publik dhe të hapur me bashkësinë shqiptare për të diskutuar në mënyrë transparente politikën e diasporës shqiptare. Bëtë shumë mirë që mbajtët takime private me anëtarë të ndryshëm të komunitetit, ndërkohë që ishit në Boston për 2-3 ditë. Diaspora, megjithatë, është një ministri unike që kërkon angazhim të gjerë dhe publik ndryshe nga shumica e ministrive të tjera si ajo e financave apo e bujqësisë. Do të kishim propozuar një takim publik, por pasi ju përgjithësisht i keni injoruar kërkesat e shkruara nga diaspora shqiptare gjatë këtij një viti e gjysmë, ne menduam se do të ishte një humbje kohe t’ua kërkonim këtë gjë.
Bazuar në publicitetin në Samitin e Diasporës që organizuat në Tiranë një muaj më parë, ne shpresonim që ndoshta ju dhe ministria juaj do të gjenit kohën dhe të merrnit iniciativën për të kërkuar një takim publik në qytetin e Fan Nolit me një nga komunitetet më të vjetra, më historike dhe më të arsimuara në diasporën shqiptaro-amerikane. Sidoqoftë, ne pranojmë një pjesë të fajit që nuk ju drejtuam ju paraprakisht, dhe ndoshta orari juaj nuk lejoi kohë të mjaftueshme për një takim publik.
Lidhur me vizitën tuaj në Universitetin e Harvardit, postimet në media sociale të Ministrisë suaj janë mashtruese dhe të pandershme. Nëse ju postoni fotografi të një ngjarjeje të Harvardit në mediat sociale për të treguar pjesëmarrjen e Ministrisë, ju duhet të merrni pjesë në eveniment për më shumë se 2 orë në natën e hapjes. Ju nuk duhet të kaloni gjithë ditën e ardhshme ashtu si keni bërë këtë vit dhe vitin e kaluar. Zyrtarë nga Ministritë e Financave dhe Bujqësisë, Parlamenti Shqiptar dhe Bashkia e Tiranës ishin të pranishëm për të dy ditët e Takimit të Fuqizimit Global të Harvardit, ndërsa ju, Shefi i Kabinetit dhe Kryetari i Fondit Shqiptar të Zhvillimit të Diasporës nuk u patë askund ditën e një konference të ndjekur nga 200 persona.
Një nga universitetet më prestigjioze në botë ka punuar për 6 vjet me Qeverinë e Shqipërisë dhe ju ftoi në një ngjarje ekskluzive ku shumë të tjerë do të donin të merrnin pjesë. Mungesa juaj si Ministri i Shtetit Shqiptar për Diasporën dhe një ish-Kryeministër tregoi mungesë lidershipi dhe profesionalizmi dhe mungesë respekti për Universitetin e Harvardit dy vjet me rradhë. Pavarësisht burimit të fondeve që mbulojnë udhëtimin dhe shpenzimet tuaja, qoftë nga Universiteti i Harvardit ose nga taksapaguesit shqiptarë, duhet të kishit marrë pjesë plotësisht në këtë veprimtari ose të mos e kishit pranuar ftesën.
Ju jeni shumë i pëlqyer dhe i admiruar, një njeri inteligjent, perëndimor në orientimin tuaj, i artikuluar dhe karizmatik. Shumë prej nesh në diasporën shqiptare shpresonim që ju do të ishit një ministër i mirë për Diasporën, veçanërisht pasi ju jeni i pari për Shqipërinë dhe një ish-kryeministër i mirënjohur dhe i respektuar. Por, sinqerisht, si Ministër i Diasporës së Shqipërisë ju keni bërë një punë shumë të varfër të angazhimit sinqerisht të Diasporës Shqiptare.
Ju keni ardhur tri herë në Boston dhe vetëm një herë, mbi një vit më parë, keni mbajtur një takim publik me komunitetin tonë. Ne kemi shpresuar për më mirë që atëherë dhe presim më shumë në të ardhmen nga ju, ministria juaj, dhe Agjencia Kombëtare e sapo krijuar për Diasporën dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit të Diasporës. Për fat të keq, që kur keni marrë detyrën, në një shkallë prej 1-10, numri dy do të ishte shumë bujar për sa i përket përpjekjeve tuaja për të kontaktuar seriozisht me diasporën shqiptare
Në mbyllje, ju sjellim sërish në vëmendjen tuaj Peticionin Shqiptar të Diasporës. Ne shpresojmë që ju do të reflektoni me sinqeritet dhe pyesni veten pse mbi 1,000 shqiptarë nga e gjithë bota e kanë nënshkruar atë gjatë muajit të kaluar.





You must be logged in to post a comment.