Mbetën jashtë vendit për më shumë se një muaj, por qytetarët shqiptarë do të kenë mundësinë të rikthehen në vendlindje, në sajë të një procesi të organizuar nga qeveria për riatdhesimin e tyre.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka publikuar kalendarin e udhëtimeve që do të kryhen këtë javë, në kuadër të nisjes së fazës së dytë të riatdhesimit për shtetasit shqiptarë që mbetën jashtë kufijve të vendit pas mbylljes së kufijve.

Sipas njoftimit të MIE, në datën 18 do të kryhet udhëtimi Stamboll-Tiranë, më pas Tiranë-Romë dhe Romë-Tiranë. Ndërsa në datën 19, do të kryhen fluturimet Tiranë-Milano dhe Milano-Tiranë.

Shtetasit të cilët dëshirojnë të kthehen, ashtu sikundër është bërë e ditur gjatë këtyre ditëve, duhet që më parë të bëjnë rezervimin e hotelit, ku do të karantinohen për 14 ditë pas mbërritjes në Shqipëri, së bashku me pagesën, dhe më pas të bëjnë rezervimin e biletës.

Kjo zgjidhje e qeverisë, sigurisht që nuk kaloi pa debate, pasi blerja e biletës dhe më pas pagesa për 14 ditë hotel për shqiptarët që do riatdhesohen, është përcaktuar si kosto e tepërt.

Trending