Monika Kryemadhi është izoluar në vilën që ka në Gjirin e Lalzit, për t’u mbrojtur nga epidemia e koronavirusit. Kryetarja e LSI-së, prej më se një muaji në karantinë të fortë, është kthyer në një zonjë shtëpie, duke kryer të gjitha punët e përditshme të një amvise.
Monika ka heshtur gjatë gjithë kësaj kohe. Asnjë deklaratë politike për mediet, për të qenë në të njëjtën gjatësi vale me aleatin e saj në opozitë, Lulzim Basha, i cili sulmon Ramën e jep këshilla e propozime, në këtë situatë pandemie koronavirusi.
Madje nuk po ndjek as nënkryetarin e LSI-së, Petrit Vasili, në rrjetin social, i cili del tre herë në ditë, herë me video e herë me postim në facebook, duke sulmuar qeverinë për mbylljen në shtëpi. Por dhe duke e këshilluar për mënyrën se si duhej të përballohet situata dhe të mbrohen qytetarët, si duhet të përdoren tamponët dhe pse mungojnë testime. Vasili paralajmëron dhe për krizën ekonomike katastrofike që na pret pas epidemisë.
Jo! Monika nuk ka folur asgjë nga këto. Nuk është ankuar fare për vendimin e Ramës që të mbyllë qytetarët në karantinë të fortë. Ndjehet mirë me sa duket! Nuk është ankuar as për tamponë dhe për më tepër nuk ka sulmuar qeverinë për masa të vonuara. S’ka folur për politikë Monika, në tre komunikimet publike që ka realizuar, në këtë një muaj e gjysmë karantinë.
Kryetarja e LSI-së ka folur në ditën e verës, teksa është shfaqur si një “shtëpiake” e mirë, duke thënë se është detyrë në familje të kujdesen për njëri-tjetrin.
“Gjendja e krijuar prej ndryshimit të rrjedhës normale të jetës, ka krijuar ndjenja pasigurie, por ndërsa marrim masat e duhura dhe lutemi për më të mirën, le të ndalojmë për të vlerësuar ngrohtësinë familjare dhe mundësinë për të kaluar sa më shumë kohë pranë njëri-tjetrit. Të kujdesemi për familjen, për njëri-tjetrin dhe bashkë do ia dalim”, ka thënë kryetarja e LSI-së.
Monika, më pas, i ka treguar shqiptarëve se si i ka kaluar katër javë në karantinë, si rezultat i përhapjes së koronavirusit në të gjithë botën. Kryetarja e LSI-së tha se kjo periudhë ka qenë një periudhë pushimi dhe reflektimi, dhe se pjesën më të madhe të kohës e ka kaluar si shtëpiake.
“Këto ditë kanë qenë ditë pushimi e reflektimi për mua. Pjesën më të madhe të kohës e kam kaluar si shtëpiake, duke u marrë me punët e shtëpisë, larje, pastrim, gatim, jam kujdesur për fëmijët, për Ilirin, kanë qenë ditë të angazhuara me punë shtëpie. Nuk kam lexuar shumë, vetëm këto ditët e fundit kam lexuar disa faqe”, tha Kryemadhi.
Ajo ka nënvizuar faktin se ka dalë vetëm pak në natyrë. E ka fjalën për oborrin e vilës në Gjirin e Lalzit, me një sipërfaqe mbi 2 mijë metra katrorë, çka i jep mundësinë të relaksohet brenda rrethimit, mes pemëve të sjella aty me helikopter.
Më pas, Monika ka postuar në instagram një video, ku tregon se si po e kalon karantinën. Ajo ka nisur një sfidë që të bëjnë të njëjtën gjë duke nominuar Olti Currin, Fiori Dardhën, Bes Kallakun dhe Xhensila Myrtezajn. Pasi përfundon larjen e enëve, Mona nis të bëjë pompa, duke arritur të realizojë 20 të tilla. Kryetarja e LSI thotë se është dobësuar shumë në karantinë. Madje nuk njihet fare. Ndoshta dhe nga mungesa e klinikave plastike, të mbyllura brenda dhe jashtë vendit. Ndërsa nuk ka folur asnjë fjalë për politikën, as për të bërë opozitë me Bashën e Berishën. Thjesht ka “humbur” në Gjirin e Lalzit./Pamfleti





You must be logged in to post a comment.