Kreu i PD, Lulzim Basha ka bërë një denoncim të fortë ku flet për manipulim të dokumenteve e tenderave sekret. Basha thotë se disa ditë më parë në katin e zyrës së prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë ka rënë zjarr, pasi SPAK-u nisi hetimet.

Por kjo nuk është raportuar si ngjarje thotë kryedemokrati.
“Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë ofertat, kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën”, shkruan Basha.
Lideri i opozitës thekson se hetimi i tenderave sekret, është një test për jetë a vdekje për SPAK-un.
“Nëse dështon, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur”, nënvizon kreu i demokratëve.
Por ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e ka mohuar një gjë të tillë. Ajo në një postim në Twitter shkruan:
“Nuk ka asnjë zjarr në Ministrinë e Shëndetësisë! Tymi i zjarrit imagjinar që po shihni dhe dëgjoni, del vetëm nga koka e kryetarit të PD. Dikush duhet t’i hedhë ujë në sy që ta zgjojë nga gjumi!”
POSTIMI I PLOTE I BASHES
Edi Rama ka dhënë ndihmën më të ulët direkte në rajon dhe në Europë, 0. 86 % e Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pse?! Sepse vazhdon të paguajë shuma stratosferike të taksave të shqiptarëve për koncesione, sepse edhe në kohë pandemie e ka mendjen për të vjedhur, prandaj shkojnë edhe për tenderat sekrete. Paska rënë edhe zjarri në një nga katet e Ministrisë se Shëndetësisë tani që SPAK –u filloi hetimin.
Keni dëgjuar apo jo?! Ka rëne zjarri në katin e 4-rt, tek zyra e Prokurimeve në Ministrinë e Shëndetësisë para disa ditësh. Arsyeja kryesore përse Edi Rama nuk publikon, siç e ka për detyrë ofertat, kontratat e tenderave sekretë është sepse po manipulon të dhënat. Si duket nuk ia kanë dalë dot me manipulimin dhe i kanë vënë flakën. Por uroj që të kenë mbetur mjaftueshëm gjurmë sepse ky është një test për jetë a vdekje për SPAK-un. Në qoftë se dështon në këtë test, praktikisht, SPAK-u i ri ka lindur i vdekur. Ndaj dua t’i bëj thirrje prokurorëve që të procedojnë me hetimin me transparencë dhe të komunikojnë me publikun sepse bëhet fjalë për taksat e shqiptarëve në kohë pandemie dhe të refuzojnë çdo formë presioni apo joshje nga Ëngjëll Agaçi, Taulant Balla, nga Ulsi Manja dhe korrierët e tjerë të Edi Ramës, të cilët nga mëngjesi deri në darkë ushtrojnë presion ndaj SPAK-ut për të mbyllur hetimet kundër korrupsionit. Ky është një test të cilin shqiptarët, jo vetëm opozita, po e shikojnë me shumë, shumë vëmendje dhe jam i sigurt edhe faktori ndërkombëtar. Dhe askush nuk ka për t’i falur, nëse nuk ngrihen në lartësinë e detyrës për të cilën u krijuan, për të hetuar korrupsionin dhe për t’i vënë prangat zyrtarëve të lartë të korruptuar.
Pas deklaratës së Ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu se asnjë zjarr nuk kishte rënë tek Ministria e Shëndetësisë ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

Në një postim në facebook, Bardhi thotë se Manastirliu gënjeu kur tha se nuk kishte rënë asnjë zjarr dhe paralajmëroi se provat do të publikohen ditën e nesërme.
“Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies”, thekson Bardhi.
Reagimi i plotë:
Fronti i vjedhjes me tendera sekret vazhdon avazin e gënjeshtrës! Asgjë e re nga bashkëpunëtorja e Edi Ramës në vjedhje dhe në fshehjen e vjedhjes së parave të shqiptarëve me tendera sekret në kohë pandemie.
Ogerta Manastirliu gënjen paturpësisht për zjarrin e rënë në Ministrinë e Shëndetësisë. Ne kemi prova për këtë skandal dhe do t’i bëjmë publike nesër.
Fakti që Ministrja gënjen për zjarrin duhet të bëhet pjesë e hetimit jo vetëm për vjedhjen, por edhe manipulimin e dokumentave përmes djegies. Ajo gabon rëndë që mendon se duke i zhdukur provat do të shpëtojë nga burgu.
Ogerta Manastirliu boll nxorre tym nga koka dhe gënjeshtra nga goja. E kuptojmë që ky skandal të djeg shumë. Ky është zjarr që të çon në burg dhe nuk e shuan dot me ujë! PANORAMA


You must be logged in to post a comment.