
Tashmë është zyrtare, Dibra dhe Gjirokastra do të kenë nga një deputet më pak të cilët do t’i shtohen qarkut të Tiranës. Metropoli shqiptar do të ketë 36 deputetë dhe tashmë beteja më madhe elektorale pritet të fokusohet në këtë qark.
Këtë e ka vendosur KQZ dhe beteja politike në këto qarqe do të ketë një zhvillim të rëndësishëm, pasi rritet edhe më shumë dyshemeja për tu zgjedhur deputet.Drejtoria e Gjendjes Civile, ka informuar zyrtarisht KQZ-në për shtetasit me të drejtë vote. Nga formula e përllogaritur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, si në Dibër, ashtu edhe në Gjirokastër, do të humbet një mandat. Pra, dibranët do të zgjedhin 5 dhe jo më 6 deputetë, ndërsa gjirokastritët, do të votojnë për 4, e jo më për 5 deputetë.
Në këtë projektvendim të KQZ-së, të dy këto mandate që bien për shkak të lëvizjes së popullsisë, i shtohen qarkut Tiranë, ku nga 34 do të zgjidhen 36 deputetë.Referuar trendit të votave sipas rezultateve të 2017-ës, mandati i djegur në Dibër i ikën Partisë Demokratike, ndërsa ai në Gjirokastër Partisë Socialiste. Fillimisht është përfolur që një mandat mund t’i kalonte dhe qarkut të Durrësit, por kjo duket nuk ka bindur ekspertët e KQZ-së për të ndërmarrë një hap të tillë.
Por lëvizjet e popullsisë dhe ndryshimet në gjendjen civile janë parë me dyshim në Komisionin Rregullator. Muharrem Çakaj kërkon llogaridhënie nga Ministria e Brendshme.
“A impakton kjo në ditën e votimit një zgjedhës që figuron i regjistruar në Tiranë por nuk shkon dot në qendër votimi pasi i duhet të marrë letër njoftimin në Tropojë, Lushnje apo ku e ka. Në një mbledhje sa më të afërt të kishim prezent person atë nivelit drejtues të gjendjes civile që të na orienton drejt një fakti të tillë,”është shprehur ai. Regjistri përfundimtar i zgjedhësve pritet të botohet në mes të muajit mars.
KQZ në mbledhjen e sotme votoi që në Shqipëri të funksionojnë 92 Zona të Administrimit Zgjedhor, duke shtuar numrin në 2. /GazetaShqip





