Kryeministri Edi Rama foli në lidhje me marrëveshjen me kompaninë Pfizer për 500 mijë doza vaksine anti-Covid, që pritet të ratifikohet në Kuvend.

Kreu i qeverisë përsëriti edhe një herë se BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe e la fatin e vaksinimit në rajonin tonë, në mundësinë e marrëveshjes bilaterale.

Ai shpjegoi se përse janë porositur vetëm 500 mijë doza, duke theksuar se çmimi është i panegociueshëm dhe rrugës mund të arrihen marrëveshje edhe me kompani të tjera.

“Për ne që gjendemi në vende që nuk janë anëtare të BE kjo s’është e panjohur. BE nuk pa përtej kufijve të vetvetes dhe e la fatin e vaksinimit të njerëzve në rajonin tonë, në atë që u quajt mundësi për marrëveshje bilaterale, gjë që ka bërë që sot përjashto Serbinë dhe Shqipërinë, asnjë vend tjetër nuk ka filluar me vaksinimin. Vendet e rajonit kanë parapaguar për të pasur akses përmes Covax-it, një platformë që ende nuk është hapur, do të thotë akoma s’ka filluar furnizmi përmes Covax-it.

Ne kemi ndeshur në vetë të parë vështirësinë e marrëdhënieve bilaterale, për shkak se ka edhe një element tjetër që duhet ditur dhe mbajtur parasysh, që vendet për të bërë marrëveshje me njëra tjetrën, qoftë për të dhuruar, shitur, qoftë për të shkëmbyer duhet te marrin leje nga kompania Pfizer, përndryshe ky transaksion është i pamundur. Kështu është shkruar edhe në marrëveshjen që ne kemi përfunduar, dhe do të ratifikojmë këtu në Kuvendin e Shqipërisë”, tha Rama.

Do të ishte e nxituar dhe e gabuar që të kontraktonim menjëherë të gjithë sasinë e nevojshme të vaksinave, duke pasur parasysh edhe çmimin që është çmim fiks dhe i panegociueshëm për asnjë nga vendet. Por duke pasur parasysh edhe procesin e vaksinimit që është një proces me dy doza i përshkallëzuar më tej, dhe me një sërë elementësh që ne i kemi siguruar, por në tërësinë e vet kjo vaksinë ka shtrenjtësi në raport me të tjerat. Nga njëra anë ne kemi siguruar me Pfzier akses për doza të mëtejshme, nga ana

tjetër i kemi lënë veten hapësirë për zgjedhje të tjera. Jemi në komunikim me kompanitë dhe një sërë shtetesh të tjera. Procesi i shpërndarjes është shumë më i ndërlikuar nga ç’duket. Besoj e keni ndjekur deklaratën e fundit të OBSH që ka folur me shqetësim për katastrofën e mundshme morale në nivel global, për mos realizim të askesit për vaksinim”, u shpreh më herët kreu i qeverisë.

PANORAMA.AL

Trending