Përfshirja e aktorit të njohur të skenës shqiptare, Robert Ndrenika, në fushatën e PS-s, menjëherë pasi këtë e bënë Ermal Mamaqi dhe Çiljeta, nuk është pritur mirë në rrjetet sociale. Reagimet kundër spotit propagandistik (shiko poshte) pro aktorit kanë qenë të shumta edhe pse ai konsiderohet një figurë e dashur për publikun shqiptar për shkak të kushedi se sa role që ka luajtur në teatër dhe nëpër filma.

Kundërshtia më e madhe ndaj Ndrenikës nuk lidhet me faktin se thjesht një aktor afilohet me një parti politike në fushatë elektorale, por ka të bëjë më tepër me atë se spoti nis me Teatrin Kombëtar, një “akt barbar” sipas gazetes Le monde, që Rama e Veliaj e kryen së bashku në kulmin e pandemisë në vitin 2020.

Ndrenika fillimisht ishte kundër shembjes së Teatrit, por më pas u rreshtua në radhën e artistëve që iu bashkuan korit propagandistik të Erion Veliajt, që ishin pro shembjes. Në videon më poshtë mund të shihni spotin e plotë të publikuar mëngjesin e sotëm nga Rama në faqen e tij në Facebook. Ndrenika shkon edhe më tej kur flet me gjuhën e Ramës teksa premton rritje rrogash për aktorët a thua se kjo është në dorën e tij apo a thua se Ndrenika kandidon vetë në këto zgjedhje.

Po krejt ndryshe nga sa thotë në spotin e xhiruar tani Ndrenika ka pasur nje mendim krejt tjetër për Edi Ramën të cilin e ka shprehur të plotë në një intervistë me Eni Vasilin (poshte).

Ndoshta kjo mungesë koherence e ka detyruar aktorin tu përgjigjet kritikave të shumta me një reagim as mish as peshk në faqen e tij në Facebook, për të cilën është folur shpesh se nuk e administron ai vetë. Ndrenika thjesht shpreh habinë me reagimin e tij se përse njerëzit në rrjetet sociale nuk e kanë mirëpritur faktin që doli në një spot elektoral të Edi Ramës, ideatorit dhe autorit të shembjes së Teatrit Kombëtar. Më poshtë reagimi i plotë i Ndrenikës.

Por në rrjetet sociale ka nisur të bëhet virale një tjetër video e ndërtuar pjesërisht me spotin elektoral të Ramës me zërin e Robert Ndrenikës dhe pjesërisht me pamjet teksa po shembet Teatri Kombëtar. Edhe pse ai mbetet një figurë e dashur për publikun për shkak të roleve të tij të shumtë, Ndrenika nuk i ka shpëtuar dot shpotitjes nga publiku të cilët e quajnë këtë akt të dytë të tij një tjetër shërbim ndaj regjimit që shembi Teatrin Kombëtar.

Fillimisht Ndrenika i shërbeu Ramës dhe Veliajt duke u larguar nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dhe duke u deklaruar haptaz pro shembjes së tij. Sot aktori i njohur i kushedi sa e sa roleve është sërish në shërbim të revanshit propagandistik të Edi Ramës në kërkim të një mandati të tretë. Më poshtë video virale në rrjet që kundërshton spotin e Ndrenikës për Partinë Socialiste.

©Lapsi.al

Trending