Nga doktor Erion Dasho

Vendimi i Kuvendit për të importuar vaksina kineze nëpërmjet Turqisë nuk erdhi i papritur. Deklarata e kryeministrit se “pritej një sasi e konsiderueshme vaksinash nëpëmjet një vendi mik” dhe e ministres së shëndetësisë se “po krijojmë kapacitete për të vaksinuar midis 12 dhe 15 mijë persona në ditë”, ishin preludi i marrëveshjes së djeshme me Keymen ilaç.
Nuk ka asnjë dyshim se ky është një lajm i mirë për qytetarët e traumatizuar shqiptarë. Vaksina e Sinovac adreson tre probleme bazë të lidhur me vaksinimin: disponueshmërinë e vaksinës në sasi të mjaftueshme, përgjigjen ndaj teorive konspirative dhe, mbi të gjitha, parandalon vdekjet nga COVID.
Së pari, vlerësohet se brenda qershorit Sinovac dhe kompanitë e tjera të licensuara prej saj do të prodhojnë rreth 2 miliard doza të CoronaVac duke e bërë atë një nga vaksinat dominuese në treg.
Së dyti, CoronaVac është nga të paktat vaksina të prodhuara në mënyrën “tradicionale”, pra duke inaktivizuar dhe bërë të padëmshëm virusin. Mbështetësit e teorive konspirative nuk kanë arsye për të përgojuar vaksinën me broçkullat e zakonshme mbi “vaksinat gjenetike”.
Së fundi, CoronaVac duket se është po aq e efektshme në shmangien e vdekjeve nga COVID, sa edhe vaksinat e tjera në qarkullim.
Por, përkundër avantazheve të padiskutueshme, ardhja e CoronaVac në Shqipëri paraqet edhe dy probleme serioze.
Mungesa e certifikimit prej EMA-s apo FDA-së nuk është diçka që mund të neglizhohet lehtë, aq më tepër kur qeveria shqiptare dhe kryeministri e kishin përjashtuar me forcë mundësinë e importimit të vaksinave pa këtë certifikim deri pak javë më parë. U desh akti normativ i ditës së djeshme për t’i hapur rrugën importit të CoronaVac në Shqipëri.
Një tjetër fakt penalizues është importi i vaksinës jo nga vendi i origjinës, por nëpërmjet një vendi tranzit. Mekanizmat e farmakovigjilencës dhe ato të sigurisë medikamentoze janë shumë të ndjeshëm ndaj këtij fenomeni dhe nuk inkurajojnë aspak tregëtimin e medikamenteve dhe vaksinave nga vende të treta.
Në kushtet kur shkelen ligjet shqiptare lidhur me sigurinë medikamentoze, harrohet zotimi i kryeministrit Rama për të blerë vetëm vaksina të miratuara nga EMA ose FDA dhe anashkalohen mekanizmat ndërkombëtarë të farmakovigjilencës, shqiptarët kanë të drejtë të dyshojnë se pas ardhjes së CoronaVac në Shqipëri qëndron një skenar i fshehtë i mbajtur larg syve të publikut.
Të gjithë fijet të çojnë tek udhëtimi i janarit në Turqi. Kur Z. Rama takohej me presidentin Erdogan, me sa duket spitali i Levanit nuk ka qenë i vetmi diskutim i çajit të pasdites. Me shumë mundësi gjatë atij takimi është folur edhe për CoronaVac dhe sigurimin e sasive të vaksinës në fjalë.
Në vijim të këtij supozimi që ka shumë gjasa të jetë i vërtetë, lindin dy pyetje:
- Nëse “pazari” për blerjen e CoronaVac u mbyll në janar, përse këto doza erdhën në prill?
- Nuk dispononte Turqia sasinë e nevojshme të vaksinës (dhjetëra mijëra doza që i nevojiteshin Shqipërisë ishin një pikë uji në raport me miliona dozat që ka administruar Turqia gjatë këtyre muajve), apo vonesa ishte e qëllimshme që ardhja e vaksinës të koincidonte me zgjedhjet e 25 prillit?
Për të sqaruar këto pyetje, ndoshta ministria e shëndetësisë dhe vetë Zoti Rama duhet t’i përgjigjen disa pyetjeve me shumë më tepër “spec”:
- A ka patur në muajin janar oferta për të blerë sasi të konsiderueshme të vaksinave perëndimore dhe a janë refuzuar ato?
- Në se po, a mos qeveritarët tanë u frikësuan se ardhja e vaksinave perëndimore do të zbehte efektin e vaksinimit masiv me CoronaVac-un kinez, i planifikuar gjatë fushatës elektorale?
- A ka ndonjë koordinim midis këtij skenari dhe faktit se në dhjetor ekspertët pro-qeveritarë propagandonin që piku kishte kaluar dhe shqiptarët kishin arritur imunitetin e tufës?
- A u mendua se duke refuzuar vaksinat e Pfizer-it, AstraZeneca-s dhe Moderna-s në janar, rrezikohej të ndodhte (sikundër ndodhi) skenari apokaliptik i shkurtit, marsit dhe prillit kur vlerësohet se vetëm gjatë muajit shkurt kanë vdekur më shumë se 2 mijë shqiptarë?
- A ka luajtur rol gjeopolitika në përzgjedhjen e vaksinave kineze përkundrejt atyre perëndimore?
Nëse do të vërtetohej se ka patur një lojë për të favorizuar blerjen e vaksinave kineze në prill në vend të atyre perëndimore në janar, Z. Rama dhe qeveria e tij do të përballeshin me një problem moral, etik dhe ligjor të paprecedent.
Bëhet fjalë për mbi 2 mijë të vdekur gjatë muajit shkurt dhe ndoshta po kaq të tjerë gjatë marsit dhe prillit deri sa vaksina CoronaVac të nisë të japë efekt. Dikush duhet të mbajë përgjegjësi për këto jetë të humbura!
Pyetja që shqiptarët kanë sot për qeverinë e tyre është:
ÇFARË VLEN MË TEPËR PËR EDI RAMËN, VOTA E 25 PRILLIT APO JETËT E MIJËRA SHQIPTARËVE?!
Ndërkohë që vetë qytetarët duhet të pyesin veten:
A DO TË MJAFTOJNË VAKSINAT KINEZE PËR TË HARRUAR 9 MIJË TË VDEKURIT E PANDEMISË DHE TMERRET E TJERA QË KALUAN FAMILJET SHQIPTARE GJATË KËTIJ VITI TË MBRAPSHTË?!
Vetëm koha do ta tregojë…




You must be logged in to post a comment.