
Që kur nisi vaksinimi masiv në të gjithë vendin me mbi 190 mijë dozat kineze, Edi Rama e shndërroi procesin në një nocion thelbësor të fjalimeve të fushatës së 25 prillit. Llogjika e tij është e tillë: Nëse shqiptarët e votojnë dhe ai fiton zgjedhjet, atëherë ata do të përfitojnë nga vaksinat edhe pas 25 Prillit, por nëse nuk e votojnë dhe ai humb zgjedhjet, shqiptarët nuk do ta marrin mbrojtjen nga virusi. që po bën kërdinë kudo në botë.
“As mos t’ju shkojë mendja se rindërtimi vazhdon kështu dhe siç do të vazhdojë me ne në qeveri, nëse ata kthehen në detyrë. As mos të ju shkojë mendja se vaksinat do të vazhdojnë të vijnë, kështu siç po vijnë. Mos t’ju shkojë mendja. Nuk ka për të ndodhur” ishin fjalët e kryeministrit nga Lezha ditën e martë, për të vazhduar një ditë më pas nga Shkodra.
“Erdhën nga qielli dhe ranë në Shqipëri vaksinat? Me parashutë? Jo me, ishte këmbëngulja, këmbëngulja, këmbëngulja, durimi, durimi, durimi dhe puna, ditë natë që ne kemi bërë nga të katër anët. Si kujtoni se po erdhën këta vazhdon kjo njësoj? Harrojeni! Harrojeni! Këta nuk dinë t’i bëjnë këto gjëra” ishin fjalët e kryesocialistit, që duket sikur ka dalë në fushatë dhe kërkon votat me gjilpërë në dorë.
Por mënyra se si po e servir Rama rolin që pati personalisht në gjetjen e vaksinave, ngre pikëpyetje të mëdha nëse do të funksionojë për t’ia marrë votën shqiptarëve ditën e zgjedhjeve.
Qasja është shantazhuese dhe tenton që përmes frikës të çojë elektoratin në kutinë e votimit, duke menduar për atë që mund të ndodhë me pandeminë (në rast se Rama nuk është më kryeministër pas 25 Prillit).



