
Lulzim Basha ka komentuar gjobën 110 milion euroshe që ka marrë Shqipëria nga arbitrazhi për shkak të mbylljes së Agon Channel. Basha, i ftuar në Syri Tv tha se takimi që u zbulua mes Beketit dhe Agaçit, duhej ta çonte këtë të fundit drejt arrestimit, ndërsa Rama duhej marrë i pandehur.
“Një nga masat që do të marrim në kuadër të korrigjimit të padrejtësive të këtyre 8 viteve do të jetë përgjegjësia personale pra përgjigja me pasuritë personale të atyre që i kanë shkaktuar dëme të kundërligjshme shtetit shqiptar me vetëdije dhe rasti i Beketi-t është fare i qartë. Një media ka zbuluar një pjesë të vendimit që më thonë është maja e ajsbergut ku përfaqësuesi i Edi Ramës ulet me Beketin dhe i thotë ndrysho linjën editoriale që të të lëmë të qetë dhe kjo është një vepër penale, natyrisht, nëse prokuroria shqiptare do të kishte duart e lira sot sekretari i përgjithshëm do të ishte i pandehur ndoshta dhe i arrestuar” tha Basha. I pyetur nëse ky person ishte Agaçi, Basha ka konfirmuar.
“Ëngjëll Agaçi. Absolutisht po. Sot ndoshta dhe vetë kryeministri do ishte marrë i pandehur, siç janë marrë shumë nga kryeministrat, edhe presidentë të pandehur edhe në kohë fushate. Një nga vlerat e shtuara të 25 Prillit është që do t’i japë fund kulturës të pandëshkueshmërisë, gjyqtarëve dhe prokurorëve që në vend ti ndëshkojnë, kriminelët” tha Basha.



