Nga Kastriot Fetahu

Shënime për një nga zonat urbane më të bukura në Botë, në downtown CHICAGO.
Chicago është kryeqëndra e shtetit të Illinoisit dhe një nga 10 metropolet më të mëdha financiare të Botës.
Një qytet shumë i bukur me 2,7 milion banorë.
Një qytet shumë i rëndësishëm dhe historik në USA, qyteti i 1 Majit të puntorëve dhe i Al Kapones së kronikës së zezë.
Është një qytet që shtrihet buzë liqenit Michigan, i cili ndoshta është më i madh se Adriatiku dhe Joni bashkë, në të cilin derdhet lumi i Chicagos, që kalon mes për mes tij.
Kushdo që ka vizituar Chicagon, nuk e ka eksploruar bukurinë e qytetit, nëse nuk ka vizituar Miljen e madhërishme të tij.
Ajo konsiderohet si një nga zonat urbane më të bukura në Botë.
Indicien për të shkruar për Miljen e mora, sepse më intrigoi emri i saj i përbashkët me filmin Milja e gjelbër me Tom Hanks e Michael Clarke Duncan në rolin e Xhon Kofi, të cilin e kam parë shumë herë me të njëjtën kënaqësi.
Milja fillon nga liqeni Michigan dhe vazhdon në të dy anët e lumit të Chicagos.
Duke vazhduar të ecim nga liqeni në drejtim të kundërt të rrjedhës së lumit, në anën e majtë kemi vetëm gradaçela nga më të bukurat dhe asnjëra e ngjashme me tjetrën.
Përpara tyre shtrihen 3 rrugë të gjëra të mbivendosura mbi njëra tjetrën, për të lehtësuar trafikun e madh të Chicagos dhe për të dalë në autostradën anës liqenit ose anasjelltas.
Këto rrugë kanë deri ne 8 korsi dhe rruga e poshtëme është edhe për parkim si një zonë underground.
Lumi është i gjerë diku edhe tek 150-200 metra gjerësi, në të cilin nuk mungon as peshku.
Në një moment kam parë një kërcim peshku mbi ujë, ku ideja se ishte nga madhësia vizuale edhe 10 kilogram në ngjyrë të verdhë të errët, nuk mund të vërtetohet.
Në buzë të lumit, gjithmonë nëse vijmë nga liqeni, në krahun e majtë ka trotuare me drurë dekorativë, në të cilat lëvizin këmbësorë të shumtë, që shkojnë në lokale buzë lumit, në kroçera për shëtitje, apo edhe në qendrën ku mund të ushtrosh sportin e kanoes mbi lum.
Në anën e majtë të lumit ankorohen edhe kroçerat për turin arkitekturor të Chicagos, apo edhe turin tjetër të shëtitjes në liqen, sikurse edhe në anën e djathtë.
Gjithashtu shikon edhe jahte e mjete lundruese të madhësive të ndryshme nga më të bukurit, që vijnë nga liqeni dhe lundrojnë në lumë në gjatësine e miljes.
Në anën e djathtë të rrugës nga ura e autostradës, që ndan lumin nga liqeni, ka trotuar, anës të cilit janë lulishte me lule shumë të bukura që ndërrohen shpesh nga bashkia, aq sa kam parë, që edhe brenda muajit të ndrrohen tulipanet, sepse thahen dhe vendosin lule të tjera të bukura vazhdimisht.
Gradaçelat që ndodhen në anën e djathtë të lumit, janë ndërtuar më herët nga ato të anës përballë, gjë që duket nga lloji i fasadës dhe sepse janë edhe më të ulta.
Pas dy gradaçelave në anën e djathtë të cilat dalin lart mbi ndërtimet 3 katëshe, vjen fundi i rrugës North Mc Clurg st, që mbyllet me një shatërvan, i cili me formën e tij më kujton amfiteatrin e Butrintit tonë, por më i vogël se ai.
I ndërtuar nga mermer me shkëlqim ngjyrë kafe.
Uji ka konfigurim të bukur në rrjedhjen e tij në këtë shatërvan.
Duke vazhduar në anën e djathtë të lumit, kemi ndërtime të ulta me dyqane dhe po aty ndodhet edhe hotel Sheraton, një ndërtesë gjigante në formë “L”.
Në një prej lokaleve, një Irish pub, i cili është në katin e parë të gradaçelës me numër 400 North Mc Clurg st, një ngjarje aspak e bukur, ndodhi kur isha i pranishëm rastësisht dhe shijonim nga një birrë me disa miq.
Është një lokal që ndodhet në fund të rrugës North Mc Clurg, buzë lumit ku shërbehet edhe jashtë në kohën e verës, në një shesh me disa pemë, ku lodrojnë ketra që zbresin edhe në tokë për ushqim.
Një endacak po trazonte koshat e plehrave, duke i hedhur mbeturinat jashtë në trotuarin buzë lumit.
Shkon tek ai një person nga lokali, që besoj të ishte menaxheri i atij biznesi.
Duke u përpjekur ta bindë endacakun, situata agravoi deri në pikën, që filluan të rriheshin.
Në një moment, menaxheri i biznesit, i mer çantën endacakut dhe ja hedh në lumë.
Në këtë kohë një grup prej 4 veta, ku ishte një djalë midis 3 vajzave, u përpoqën ta bindnin manaxherin e lokalit, duke ju lutur mos ta hidhte çantën në lumë, por pa rezultat.
Atëhere në moment siç ishte i veshur, hidhet djali i grupit në lumë, duke kapërcyer parmakun, i cili është në lartësi diku tek tre metra nga sipërfaqja e ujit, në kohën që kishte pllakosur nata.
E kap çantën, notoi deri tek faqja që ishte në rolin e bregut të lumit dhe problemi ishte si të ngjitej në trotuar.
Anës parmakëve ka goma mishi të lyera me ngjyrë të kuqe në portokalli, me litar për çdo problem me lumin.
Marin një nga këto goma që ndodhej më afër, e hedhin në lumë, duke u përpjekur ta ngjisnin lart
Pas disa përpjekjesh arrijnë ta nxjerrin në trotuar, duke e tërhequr ato 3 vajzat.
Sa doli djaloshi, kulluan ujin e çantës dhe ja dorëzuan endacakut, që ishte ndarë më parë nga sherri me manaxherin dhe ndërkohë policia e Chicagos kishte mbrritur në vendngjarje bashkë me zjarrfikësen, personeli i së cilës u vendos menjëherë në gadishmëri pune, sipas rregullave që ata kanë këtu.
Nuk di ç’ndodhi midis policise dhe pronarit të biznesit, por ajo që kuptuam ishte se veprimi i tij përbënte shkelje të rregullave ndaj një endacaku.
Ai nuk ishte amerikan, sepse me grupin që isha në lokal, kuptuam që gjuha e folur ishte me plot gabime dhe menduam se ishte europiano-lindor nga paraqitja, mungesa e të folurit saktë dhe përdorimi i dhunës ndaj një endacaku.
Me ata që isha, mësova se një pronar amerikan biznesi nuk do ishte sjellë në atë mënyrë, gjë që na la shije shumë të hidhur nga çfarë shikuam me sytë tanë atje.
Në gjatësinë nga liqeni nëpër lumë deri në bulevardin kryesor të Chicagos, North Michigan avenue, janë vendosur mbi lumë tre ura të mëdha me konstruksion totalisht metalik pa këmbë, vepra inxhinierike mjaft të spikatura.
Ura mbi lumë në grykderdhjen e tij në liqen është e dubluar në dy kate për përballimin e trafikut, ku ajo sipër i përket autostradës që del nga qyteti.
Ura e dytë është ura Columbus, ndërsa ura e tretë është me emrin DuSable, busti i të cilit është vendosur pranë cepit verilindor të urës dhe ndodhet në North Michigan avenue.
Është edhe ajo e dubluar në dy ura njëra mbi tjetrën, për të përballuar trafikun.
Në kohën e protestave të organizuara për vrasjen e George Flloyd, urat u ngritën në bulevardin North Michigan Ave, për të ndaluar vërshimin e njerëzve me makina, sepse u kryen akte vandalësh mbi bizneset në bulevardin kryesor të Chicagos.
Urat kane deri ne 6 -8 korsi në të dy senset e lëvizjes Lindje-Perëndim
Kam parë dyqanet Gucci dhe Luis Vuiton, Pandora apo Sephora midis të tjerave, të thyer dhe grabitur nga hajdutët që fshiheshin në protesta.
Por njëkohësisht kam parë edhe kufirin midis Lirisë dhe shtetit në North Michigan avenue, ku lideri i protestës një djalosh i ri afroamerikan, gati sa nuk cikej me fytyrën e drejtuesit të policisë duke respektuar të dy njëri tjetrin, pa kaluar në kontakt fizik.
Në një stacion televiziv vazhdon akoma të transmetohet një film serial për policinë e Chicagos me titull Chicago P.D.
Në anën e djathtë, pasi lëmë hotel Sheraton, kemi godina më të rralla se gradaçelat e anës së majtë ku rradha e ndërtesave përfundon me një dyqan shumë të bukur, të madh komplet i xhamtë trekatësh, të kompanisë Aple e cila tregton produktet e saj teknologjike.
Para se të shkojmë tek ai, kemi ambjente të universitetit të Chicagos dhe në një gradaçelë tjetër, ndodhet stacioni televiziv NBC.
Apo edhe banka e njohur amerikane Fidelity që ndodhet në një gradaçelë ngjitur me dyqanin super të madh dhe luksoz të Aple.
Dyqani i Aple është një sipërfaqe e konsiderueshme e xhamtë e ndërtuar mbi 33 shkallë me 3 seksione me nga 11 shkallë e midis tyre kemi sipërfaqe të sheshtë ku ndodhet çdo kat i dyqanit. Këto shkallë lidhin trotuarin e bukur të bregut të lumit, me sheshin që del në nivelin e North Michigan avenue, që është arteri kryesor i downtown Chicago.
Jashtë dyqanit, shkallët janë të veshura me dru, që janë bërë si stola mjaft të bukur, ku ulen zakonisht të rinjtë dhe më kujtojnë studentët e Tiranës ulur në shkallët para Universitetit, modë kjo që nga koha e të rinjve të viteve ’60 në Berlinin Perëndimor.
Nga ky dyqan dalim në North Michigan avenue.
Nëse do shohim nga lumi në drejtim të bulevardit, do na duket sikur Trump tower ndodhet mbi lumë, kjo është një iluzion optik, sepse nuk duket kthesa e lumit para asaj ndërtese moderne gjigante, e gjitha e xhamtë nga jashtë, ku ngjyra e kaltër mbizotëron ditën dhe e ndërtuar në 5 seksione, që ngushtohen duke rritur lartësinë gradaçela dhe që përfundon me antena të fuqishme në tarracën e seksionit të fundit, i cili ka diku tek 5 kate, sikurse duket nga toka kjo gjë.
Nëse do e vizitoni Miljen e madhërishme në mbrëmje, është diçka mahnitëse, ku dritat në rrugët në të majtë, thyhen mbi lumë me një vezullim mahnitës, sepse janë kalkuluar dy ngjyrëshe, të zjarrtë e blu dhe lëvizja e jahteve luksoze me ndriçim dekorativ është mrekulli në atë atmosferë ndriçimi .
Po ashtu në krahun e majtë, në një gradaçelë ngjyrë kafe, rrinë ndezur non stop, dy zëmra gjigante të formuara nga drita prozhektorësh të fuqishëm, kurse në anën e djathtë një zemër e formuar nga prozhektorë të vendosur në dritaret e hotelit Sheraton, që është edhe kjo po aq gjigante, të cilët reflektojnë dritat e tyre në sipërfaqen e ujit të lumit me ngjyra mahnitëse.
Kroçerat që shëtisin turistët në lumë në turin arkitekturor dhe liqenor janë të ndryshme, ku një kompani Odiseu Chicago, ofron me prenotim të mëparshëm një udhëtim special, duke u shërbyer klientëve turistë, bar dhe restorant luksoz në kuvertën e asaj kroçere luksoze të mbuluar me xham nga anash dhe tavanin e saj.
Kroçerat e turit arkitekturor shkojnë nga fillimi i liqenit deri në China town, dhe është mrekulli të shikosh Chicagon nga lumi në gjithë gjatësinë e turit, pjesë e të cilit është edhe Milja e madhërishme.
Në lumë kam parë duke lundruar që nga anije zjarrfikëse, kroçera të ndryshme, jahte nga më të vegjël dhe të mëdhenj luksoze, e deri tek jahte të mëdhenj të policisë.
Përsa i përket gradaçelës më të lartë, nuk e përcaktoj dot, sepse më duken njëlloj si Trump tower ashtu dhe një gradaçelë që ndodhet në krahun e majtë, gjithmonë kur vjen nga liqeni, të cilës kam arritur ti numëroj deri ne 105 kate me një marzh gabimi prej 2-3 katesh besoj.
Kjo është një ndërtesë me 3 seksione të valëzuar në bashkimin e tyre, që ndërpriten duke perfunduar vetëm me një seksion, me fasada xhami, me ngjyre gri transparente dhe të kaltër të përzier me jeshile, shumë e bukur dhe unike si ndërtesë dhe që akoma nuk ka mbaruar së ndërtuari në brendinë e saj.
Në pjesën e urës së ndodhur në bulevardin kryesor, gjen biznese të shumta, ku nëse do kërkoni një restorant të mirë, pas qendrës Trump tower, është London house, po ashtu edhe një lokal i madh me dy kate, ku shërbehet çokollata Girardelli nga më specialet, me të gjitha produktet e saj, nga akullorja me çokollatë e të tjera produkte çokollatash shumformëshe e deri tek kafja Girardelli.
Në brëndësi duke u larguar nga “Girardelli”, do gjejmë lokale të tjerë luksozë, kryesisht restaurant piceri të kuzhinës italiane.
Ndërsa do ju rekomandoja një bar restorant Tarraca 16, në katin e 16 në Trump tower, të cilin nuk do ta harroni për pamjen magjike të Chicagos të cilën e ofron tarraca e këtij lokali madhështor.
Nëse do shkoni me makinë në Trump tower, do ndjeni kënaqësi, pasi do e hapin derën e makinës punonjës me veshje të veçantë (maxhordomë), që janë për këtë qëllim aty.
Në adresën me numër 401 ngjitur me urën DuSable në krahun verilindor, që është gradaçelë me bankën Fidelity në ambjentet e saj, ndodhet nje shesh i madh përbashkët me dyqanin e Aple.
Në atë shesh dhe trotuarin e tij buzë North Michigan avenue, kam parë here pas here protesta ku ajo më e çuditëshmja më është dukur një protestë diku tek 20-30 persona me parrulla në mbrojtje të Navalny, kryetari i opozitës ruse. Ajo që mendova, ishte se ja çdo të thotë sistem i konsoliduar demokratik, që e lejonte atë protestë dhe e ruante edhe policia nga çdo e papritur e mundëshme.
Ndërsa qëndra e biznesit Nordstrom është as 200 metra në veri të ures buzë North Michigan avenue, ku gjen të gjitha firmat prestigjioze botërore të veshjeve, galanterisë, orëve, kozmetike e tj.
Disa nga bizneset kryesore në anën e majtë të lumit, janë Swiss hotel në një gradaçelë, Columbus plaza, Coast, etj.
Kurse në anën e djathtë janë banka Fidelity, dyqani i APLE, agjensi turistike të kroçerave, bare e restorante e tj.
Në anën e majtë në bregun e lumit ka shumë bare restorante si tiki bar Islands, Northman e tj.
Është kënaqësi edhe një birrë në stinën e verës në lokalet e shumta buzë lumit në të dyja anët e tij.
Pasi lemë pas urën DuSable në N Mich ave, vazhdojmë udhëtimin ku gradaçelat buzë lumit janë mahnitëse prej xhami dhe aspak të ngjashme me njëra tjetrën dhe kulmi është Trump tower, një gradaçelë madhështore buzë lumit të Chicagos.
Nuk e di pse kam një ide, ku fituesi i reality show të organizuar dhe drejtuar nga Trump para dy dekadash, djaloshi Billi duhet të ketë menaxhuar ndërtimin e kësaj gradaçele, sepse është një ndërtesë dukshëm e re.
Kjo që shkrova, është fantazi, sepse e kam të pambështetur në info të vërtetë, por në idenë se ai mori detyrën në atë fitore, ku morën pjesë 250 mijë djem e vajza, për të menaxhuar ndërtimin e një gradaçele dhe korespondojnë me kohën e ndërtimit të saj në mendimin tim.
U përpoqa si t’iu përcjell diçka rreth asaj që quhet Milja e madhërishme dhe që është nga zonat urbane më të bukura në botë në kompleksitetin e saj, cilësuar kështu nga mediat amerikane dhe institucionet përkatëse amerikane të turizmit.
Nuk e di sa kam arritur ta bëj diçka të tillë, të sillja tek Ju, lexues të nderuar, një mrekulli si Milja e madhërishme e Chicagos.




You must be logged in to post a comment.