Vllaznia në finale, aty ku mungonte nga 2009-10. Kuqeblutë arritën të thyejnë Laçit në gjysmënfinalen e Kupës së Shqipërisë, 1-0 në ndeshjen teke që u luajt në Loro Borici e u vendos nga një gol i Ardit Hoxhajt. Tani në finale do të gjejë përballë Skënderbeun.

Në një ndeshje të luftuar, agresive e me shumë kartonë të verdhë, rastet munguan, ndoshta sepse skuadrat u kujdesën të mos linin hapësira, aq sa kur Hoxhaj shënoi avantazhin në minutën e 21, ishte rasti i parë i ndeshjes. Një goditje e saktë me kokë e sulmuesit mposhti Sherrin, duke i dhënë avantazhin shkodranëve. Shehu u përgjigj nga distanca për kurbinasit, duke detyruar Zogovic të grushtojë, por mundësinë më të mirë për të dyfishuar shifrat e kishte Da Silva, i bllokuar nga Sherri në dalje.Në pjesën e dytë, Duro provoi me Mazrekaj e Harmon, por duhet të bënte llogaritë me shpejtësinë e Hoxhajt që mund ti ndëshkonte. Nuk mungoi tensioni në fundin e ndeshjes, teksa lojtarët u përplasën me njëri-tjetrin. Mbrojtësi i Laçit, Obanor, u ndëshkua me karton të kuq, për goditje ndaj kundërshtarit. Shkodranët dhe korçarët janë përballur së fundmi me njëri-tjetrin në një finale Kupe, në vitin 1965, ku triumfonte Vllaznia, me rezultatin 1-0.

Askush nuk e mendonte, ndoshta as vetë Memelli, por në finale shkon Skënderbeu i tij, që thyen 2-0 super favoritët e Teutës, që ndërkohë kryesojnë kampionatin. Koprcarët bëjnë surprizën e madhe në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, duke nxjerrë jashtë turneut skuadrën e Martinit, edhe pse e luajtën gjithë pjesën e dytë me 10 futbollistë.Durrsakët, shumë të shqetësuar për kampionatin ku në fundjavë do të luajë sërisht në Korcë e përsëri me Skënderbeun, bënë një start katastrofik, duke pësuar dy gola në pjesën e parë. Goli i Meksit që në minutën e parë (me penallti) dhe ai i Elvi Berishës në fundin e 45 minutave i siguruan kualifikimin në finale bardhekuqve, që kërkojnë trofeun e dytë në histori, pas atij të fituar në 2018 kundër Lacit.Në një ndeshje brilante, gjërat Memellit ia komplikoi autori i golit të dytë, që festoi duke hequr fanellën, e duke marrë kështu kartonin e dytë të verdhë. Pa Berishën për një pjesë loje, korcarët luajtën të tërhequr, duke shpresuar të përdornin kundërsulmin. Teuta nuk bëri dot diferencën dhe në fund, korcarët prekin finalen e 7 në histori, aty ku do të gjejnë një deja vu të finales së vitit 1965 përballë Vllaznisë: atëherë humbën me rezultatin 1-0, tani shpresojnë që gjërat të jenë ndryshe.

Trending