
Organizata Gazetarët pa Kufi (RSF) tha se gazetaria që ajo e quan vaksinën kryesore kundër dezinformimit, është bllokuar plotësisht ose pjesërisht në 73 për qind të 180 vendeve të botës.
Në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit 2021, organizata tha se ka pasur një përkeqësim dramatik të gjendjes së gazetarisë.
Vendet në këtë tregues klasifikohen në mjedise “të mira”, “pak a shumë të mira”, “problematike”, “të këqija” ose “shumë të këqija”, për lirinë e shtypit.
Shqipëria
Në treguesin që përfshinë 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 83-të, duke fituar një vend nga viti i kaluar, kur ishte në vendin e 84-të.
Në pjesën për Shqipërinë thuhet se “qeveria e shtoi trysninë mbi median në vitin 2020, duke kërcënuar përsëri me miratimin e një ligji kundër shpifjes, pavarësisht kritikave nga organizatat e lirisë së shtypit dhe këshillimit kundër tij nga Komisioni i Venecias”.
I bllokuar nga një veto presidenciale në vitin 2020, ky ligj, thuhet në raport, “ka të ngjarë të ojë në rritje të censurës në një vend ku qeveria tashmë kufizon qasjen e gazetarëve në informacionin e kontrolluar nga shteti dhe përdorë ndarjen e licencave për të kontrolluar peizazhin e mediave transmetuese”.
Sjellja e qeverisë ndaj medias inkurajoi biznesmenët dhe zyrtarët pro-qeveritarë të padisnin gazetarët, ndërsa përdorimi i gjuhës denigruese i ka shndërruar gazetarët në shënjestra të mundshme sulmesh, thuhet në raport në të cilin nënvizohet se sulmet fizike janë të zakonshme dhe autoritetet anë dështuar të dënojnë autorët.
Në fillim të krizës së koronavirusit, kryeministri Edi Rama, thuhet në raport, nxiti publikun të “mbrojë veten nga media” dhe refuzoi të ndihmonte kur pandemia përkeqësoi problemet financiare të medias deri në atë pikë sa botimi i gazetave u ndërpre për rreth gjashtë javë. Po ashtu, të ardhurat nga reklamat ranë kur disa programe u pezulluan pasi që qeveria ndaloi praninë e më shumë se dy personave në një studio.
Përpjekjet për të kriminalizuar gazetarinë u rishfaqën kur policia arrestoi dhe keqtrajtoi gazetarët gjatë demonstratave, thuhet në raport në të cilin përmenden edhe akuzat për korrupsion dhe krim të organizuar ndaj dy kanaleve televizive që janë kritike ndaj qeverisë dhe bashkisë së Tiranës, Ora News TV dhe Channel One, në verën e vitit 2020.
Raporti vë në pah se me gjithë kërcënimet ndaj pavarësisë së tyre editoriale, mediat krijuan një platformë për vetë-rregullim etik, e para e këtij lloji në Shqipëri.
Kosova
Kosova ka shënuar një rënie prej tetë vesesh në krahasim me vitin e kaluar. Treguesi i Gazetarëve pa Kufij e radhiti atë sivjet në vendin e 78-të ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 70-të.
Media në Kosovë, si pothuajse çdo gjë tjetër në vend, mbetet e ndarë përgjatë vijave etnike, thuhet në pjesën për Kosovën.
“Qasja në informacione të caktuara shpesh është e kufizuar për një grup të veçantë etnik ose politik, dhe mediat priren të përqendrohen në çështje që lidhen me kombësinë e tyre dhe t’i mbulojnë ato vetëm nga këndvështrimi i tyre”, thuhet në raport në të cilin theksohet se disa gazetarëve nga Serbia u është refuzuar hyrja në Kosovë në fillim të vitit 2021, me arsyetimin se nuk u kanë paraqitur autoriteteve të Kosovës asnjë paralajmërim.
“Gazetarët dhe mediat në Kosovë janë të ekspozuara ndaj një mjedisi armiqësor që përfshin sulme fizike dhe verbale, sulme kibernetike, trysni për vet-censurë dhe mungesë transparence në lidhje me pronësinë e medieve”, thuhet në raport, në të cilin theksohet se mediat financiarisht të paqëndrueshme “janë të brishta përballë ndikimit politik dhe se si rezultat i pandemisë, shumë gazeta u desh t’i japin fund botimit”.
Aty thuhet se policia shfrytëzoi orën e ndalimit të lëvizjes për shkak të Covid-19, si shkas për arrestimin e redaktores së gazetës në internet KoSSev, Tatjana Lazareviç.
“Fati i shumë gazetarëve të zhdukur, veçanërisht atyre që u zhdukën ose u rrëmbyen gjatë konfliktit të vitit 1999, është ende i panjohur”, përfundon raporti.
Nga vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, Maqedonia e Veriut radhitet në vendin e 90-të, Serbia në vendin e 93-të dhe Mali i Zi në vendin 104-të.
Menjëherë pas publikimit të raportit të Gazetarëve pa Kufij, Asociacini i Gazetarëve të Kosovës tha se “gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari”VOA



