
Kanë dalë detaje nga takimi që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi pasditen e së hënës me strukturat drejtuese të kësaj force. Të parët që Basha ka takuar pas daljes së rezultateve kanë qenë sekretarët dhe krerët e degëve të PD-së.
Në takimin e zhvilluar me dyer të mbyllura Basha ka thënë se opozita nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit pasi sipas tij ato nuk ishin të lira e të ndershme dhe jashtë standardeve.
“PD nuk mund të njohë një proces zgjedhor si ai i 25 prillit. Mos bini në kurthin e kundërshtarit. Mblidhni faktet e manipulimeve. Ne jemi duke grumbulluar fakte në rrugë ligjore për të mos njohur procesin e 25 prillit. Javën e ardhshme do të nis një tur në çdo degë të PD-së”, – u shpreh Basha para drejtuesve të PD-së në rrethe.
Këtë qëndrim e konfirmoi më pas edhe ish-deputetja Grida Duma në emisionin “Open”.
“Ky është pak a shumë qëndrimi, por në ditët në vijim do të kemi një qëndrim zyrtar. Pa dyshim ajo që Lulzim Basha thotë është më e pakta për atë që ka ndodhur me zgjedhjet në Shqipëri” – tha Duma. ©LAPSI.al



