FOTO/ ‘Java Çame’, PDIU dhe Shoqata Çamëria homazhe në Varrezat Monumentale të Kllogjerit

‘Java Çame’ kulmoi me homazhet në Varrezat Monumentale në Kllogjer të Sarandës, ku prehen 2900 shqiptarë të Çamërisë. Mijëra qytetarë shqiptarë, ndër ta edhe nga Kosova e Maqedonia e Veriut, iu bashkuan aktivitetit të organizuar nga Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shoqata ‘Çamëria’ dhe Fondacioni Çamëria ‘Hasan Tahsini, në përkujtim të 77-vjetorit të gjenocidit grek mbi popullsinë çame, ndërsa u zbulua edhe një pllakatë përkujtimore.

Në këtë Varrezë Monumentale prehen 2900 burra, gra, fëmijë dhe të moshuar të cilët pasi u dëbuan nga tokat e tyre në Çamëri prej bandave të Napoleon Zervës, humbën jetën tragjikisht nga etja, uria dhe sëmundjet, gjatë marshimit drejt Shqipërisë.

Në fjalën e tij, kryetari i Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi u shpreh se në Shqipëri janë 300 mijë banorë çamë të cilët presin të kthehen në tokat e të parëve të tyre, ndërsa e cilësoi absurd Ligjin e Luftës që Greqia ka ndaj Shqipërisë. Ajo që Greqia nuk e ka bërë ende, shtoi Idrizi, është kërkim ndjesa për gjenocidin ndaj çamëve.

‘27 qershori i vitit 1944 ishte një ndër tragjeditë më të mëdha në historinë njerëzore që ndodhi mbi anëtarët e Komunitetit të Shqiptarëve të Çamërisë, vetëm sepse ata ishin shqiptarë. Janë 300 mijë shqiptarë të Çamërisë që ndodhemi këtu me trupin në Shqipëri, me kokën dhe zemrën në Çamëri, pikërisht nga kjo padrejtësi e madhe historike. Sot e kësaj dite genocidi nuk është dënuar. Duam që të kemi fqinjësi të mirë, dy popuj që shkojnë e vijnë. Të kthehemi në trojet tona, por s’mund të vazhdojmë sot të kemi një Ligj Lufte dhe të heshtim për këtë gjë’, u shpreh Idrizi.

Kreu i PDIU deklaroi se kjo forcë politike do të jetë në Kuvendin e Shqipërisë në shtator, për të rikthyer edhe njëherë çështjen çame në institucionet shqiptare si dhe për të shtyrë qeverinë në raport me Athinën, për të drejtat e popullsisë shqiptare të Çamërisë

Trending