
Nga këndvështrimi i një shqiptari, të përndjekur, pas konsideratave të nevojshme, nga këndvështrimi i letërsisë botërore dhe historisë shqiptare, Kadareja shihet si mjeshtri i arratisjes nga morali. Aftësia e tij në ndryshimin e temës, në arratisjen nga përgjegjësia patriotike, humaniste dhe në krijimin e një alteregoje paralele me thelbin e saj të dyshimtë dhe të fshehur mirë, rivalizon figurat më të mëdha të historisë së letërsisë.
Kjo do të thotë, në një kuptim jo dhe aq transparent, është fitorja e tij më e madhe, por jo më e çmuara. Ajo e sjell lexuesin nga kohët e lashta në kohët moderne, nga një cep i botës në tjetrin, për të eksploruar thelbin njerëzor në shumë mënyra sipërfaqësisht interesante, por ai nuk arrin të zbuloje thellësitë e personazheve të tragjedisë kombëtare.
Kadare i shmanget ballafaqimit me vuajtjet njerëzore, siç ndodhi në mënyrë dramatike, me ngjarjet më tragjike të historisë shqiptare dhe njerëzore, histori në të cilën mori pjesë, në krahun e shtypësit, por nga e cila largohet sa më shumë.
Shqipëria komuniste u angazhua plotësisht për asgjësimin e kulturës gegë, të poetëve dhe autorëve të mëdhenj gegë, të traditave të vjetra ilire që qëndronin në malet e Dukagjinit e të Mirditës, në qytetet heroike si Shkodra, Lexhja, Kruja.
Kadareja, arma antikulturore e Enverit, nuk ngurroi të poshtëronte Gjergj Fishten, Homerin e letërsisë shqipe dhe figura të mëdha si Koliqi, Mjeda e Camaj, për t’i bërë qejfin mjeshtrit të tij injorant komunist. Ishte një mangësi që ai nuk e korrigjoi kurrë që tregonte një ftohtësi zemre. Me veprimtarinë e tij poshtëruese, ai ndihmoi Enver Hoxhën për të poshtëruar tragjikisht vlerat shqiptare, për të krijuar një kulturë të paperëndishme, materialiste, minimaliste dhe të pamëshirshme deri në kriminalizimin e vëllavrasjes.
Nga diktatura komuniste lindi një njeri i ri, i pabesë, i frikësuar, egoist, servil, neokomunist, njeri pa ndjeshmëri, pa moral, që nuk njeh të vërtetën, që nuk kërkon shpengim. Ku përshtatet Kadareja? A është Kadare një njeri egoist dhe i pandjeshëm, më i gatshëm të festojë gënjeshtrën sesa të vlerësojë vuajtjet e vëllezërve të tij të shtypur, të armatosur vetëm me besimin e tyre në Zot?
A është ai një njeri egoist që, nëpërmjet shpërblimeve të letërsisë, po gënjehet me emocionet e suksesit tregtar, duke shijuar lirinë, paratë dhe pasurinë e botës kapitaliste që dikur ai dënoi? Përplasja me natyrën komplekse të personalitetit të Ismail Kadaresë është e pashmangshme, sidomos kur pyesim se nga vinte ai, kush ishte muza e tij.
Nicolo Sapegno, kritiku i madh letrar italian, tha se për të kuptuar një autor duhet kuptuar historinë, kulturën, ekonominë, mënyrën e jetesës, vlerat dhe zakonet dhe kohën e njerëzve dhe të vendit nga ka ardhur. Në rastin e Kadaresë, të gjithë përcaktuesit ishin të çoroditur dhe të korruptuar nga komploti komunist kundër kulturës dhe historisë. Kadare mbetet një anomali, një shkrimtar pa një fillim të njohur kulturor.
Ciceroni, filozof, shkrimtar romak, thoshte se morali është relativ, ndryshon me kohën, me vendet, me kulturat, por, megjithatë, morali duhet vlerësuar universalisht që të ekzistojë qytetërimi. Kuptohet se për këtë arsye komunizmi nuk do të qëndronte si një qytetërim i ri. Në fund të fundit, komunizmi ishte një mashtrim deshtues, i mungonin vlerat morale.
Kadareja vjen nga një kohë, një vend dhe kulturë amorale. A është ai pjellë e një epoke dekadente komuniste, e formuar nga imazhi i Enver Hoxhës, një diktator gjakatar? A është ky mëkati i tij origjinal?
Këtyre pyetjeve mund t’u përgjigjet vetëm Kadareja. Ai duhet të heqë dorë nga errësira evazive dhe të përqafojë dritën. Ai duhet të pagëzohet në besimin e të parëve të tij të mëdhenj letrarë, me besimin në të vërtetës, me guximin për të ekspozuar e dënuar të keqen dhe për të rizbuluar bukurinë e shpirtit njerëzor. Mjerisht, mund të jetë tepër vonë për të!


You must be logged in to post a comment.