
Nga Jonila Godole
Foto më domethënëse e Dhjetorit të Rinisë për mua, është ajo ku dërgata e studentëve qëndron ulur përqark Ramiz Alisë (11 dhjetor) në një sallë të Pallatit të Brigadave. Alia sapo ka shpallur pluralizmin politik në mbledhjen e pleniumit XV dhe pret që lajmin ta japë fillimisht TVSH në orën 20:00.
Deri atëherë, studentët nuk kanë pasur asgjë kundër Alias personalisht. Përkundrazi, ata nuk gjejnë rast pa falënderuar shokun Ramiz, i cili „me po atë mençuri që kishte udhëhequr betejat çlirimtare, po udhëhiqte tani drejt demokratizimit“.
Asnjë kërkesë për dorëheqje të tij apo të nomenklaturës komuniste që i kishte larë duart me gjak!
Asnjë thirrje për drejtësi ndaj viktimave të diktaturës dhe lirimin e të burgosurve politikë!
Në vend që të dënohej Alia si diktatori i fundit, u kurorëzua presidenti i parë i Shqipërisë demokratike!
Pushteti u negociua nga regjimi i vjetër në të riun. Fytyrat dhe kostumet e liderave ndryshuan, përkatësia dhe mendësia ideologjike po ajo. Dhe të gjitha këto ndodhën në sy të studentëve të Dhjetorit. Dhe me bekimin e tyre! Kush pati mençurinë të kuptonte dhe kurajon të denonconte, mbylli gojën ose emigroi.
Dhe sot, 32 vjet më pas, e njëjta klasë politike negocion gjithçka mes vedi për të qendruar në pushtet – secila me “studentët” e vet.
Dita e rinisë që solli demokracinë është një mit i bukur, padyshim. Por një rini që thyen mite, që nuk verbohet nga një lidership karizmatik autoritar, që as shitet as blihet për pozitë a depozitë – kjo rini nuk ka dalë akoma. Ndonjë filiz që del aty-këtu shtypet me përdhunë ose në “dialog me udhëheqësin”, si në këtë foto kaq domethënëse.


You must be logged in to post a comment.