Nga Arben Velo

Kur kaloj rrugës teposhtë për nga Tv Kombi, më duket sikur ti Fatmir Xhelilaj (ne të quanim F.XH.) del përballë meje, ashtu i qeshur, me humorin si lulelakër në buzë, me biçikletën që më shumë e shoqëroje përdore, (sepse doje ti takoje të gjithë bashkëqytetarët e tu në dorë dhe t’i ushqeje me humorin tënd) Kur eci pra në atë rrugë që lidhet si një fjongo me rrugicën e shtëpisë tënde, më duket sikur Ti kërkon të sjellësh humorin ende të parrëfyer që të ka ngecur me vehte atje në parajsë e që zgjatet si një mall i bardhë dhe mjegull e hirtë, jo vetëm në këtë pjesë rruge, por përgjatë gjithë Fierit dhe me gjerë.
Ti sot ke ditën e lindjes, Fatmiri ynë. Ditës sot duket sikur i kanë plasur duart nga I ftohti i mungesës tënde. Orëve ju dhëmbin shpatullat e ftohta, ndërsa zëri yt reciton poezinë kushtuar babait, familjes, qytetit. Ti bëhesh gati për një projekt të ri për teatrin e kukullave, mendon se si të shkruash një tekst të ri për festat e fundvitit në programin e Tv Kombit. Ndërsa je duke punuar me skeçet aq shumë të mirëpritura prej nesh për ta na i servirur në natën e ndërrimit të viteve. Jemi mësuar me Ty, me sedrën tënde për të krijuar art dhe qytetari, më përkushtimin tënd shumëvjecar, të pjekur dhe të çimentuar me vlerat që fatmirësisht i kishe.
A jemi mirë, Fatmir? – te pyesnim Ty, ndërsa bëheshim gati për të dalë në transmetim të drejtpërdrejte në ekranin e TV Kombi.
Dhe Ti i gatshëm rendje sa në dhomën e montazhit, këpusje batutën tënde të rastit me Altinin, Ilirin dhe pastaj rendje nga dhoma e transmetimit duke vijuar sa shakatë me kripë aq dhe këshillat me piper për Arturin, Klajdin, Edmondin etj
E ndërsa Odisea, Klodi, Iliri Diana, Majlinda, Dori, Enkeljeda bëheshin gati të futeshin në transmetim, Ti përkëdhelje fletët e bardha ku kishe hedhur mendimin tënd, i jepje një të shkundur seriozitetit dhe me zërin që nuk trembje kurrë as shpendët thoshe: ”Gati, jeni mirë dhe suksese”
Pastaj Ti i drejtoheshe kameramanëve, Neros, Nuriut, Pëllumbit, Kanes, Gjergjit, Ladit: “Ej djema, gatiii!”
E ndërsa sot kaloj rrugës që lidhet si një fjongo me rrugicën e shtëpisë tënde, në këtë ditë kur Ti duhej të festoje ditëlindjen, miku ynë I mirë Fatmir, s’di pse më tremben fjalët nga një gulç që më mblidhet në grykë.
Më kujtohet sot një prej rrëfimeve të tua që nuk u realizua dot artistikisht dhe ngeli në letër:
“Prag Viti i Ri në kohën e diktaturës. Banorët e një fshati në Mallakastër prisnin të ndahej mishi me racion për të festuar ndërrimin e vitit. Ishte data 28 Dhjetor. Në mbledhjen e kryesisë së kooperativës ishte vendosur që të therej një nga dy qetë që kishte Ziniu, (personazh si emër ky)
Gjithë fshati e mori vesh që do të therej kau. Kaloi 28, kaloi edhe data 29 e 30 dhe ende në dyqanin e fshatit, nuk kishte mbërritur mishi. Të shqetësuar amvisat shkuan pranë stallës dhe gjetën atje qerrëtarin duke e mprehur kaun në qerre. Dhe kur pra, dy ditë para vitit të ri.”
Dhe Ti e përmbyllje bukur rrëfimin tënd. Duke imituar dhe zhurmën e qerres dhe thënien proverbiale të karrocierit:
“Ohuuuu, ky ka dhe tre rrugë me dru për të mbajtur, pastaj të shohim për ta therur…!”
Fatmir, qofsh i parajsës. Ti kishe dhe shumë rrugë për të bërë, me bicikletën tënde prej dore. Kishe për të takuar këto ditë miq, bashkëqytetarë, të panjohur që kishin nevojë të kalonin jo vetëm ndërrimin e viteve me humorin tënd. Por vdekja, të rrëmbeu, të bëri kurbanin e saj, në pragun e ndërrimit të viteve dhe nuk na la ne të uronim: “Edhe 100, Fatmir!”
E ndiej që Ti qesh me vdekjen dhe na thua:
“Ouuuu unë e di se sa po ofshan kjo vdekje! Ka ngelur e zhgënjyer prej meje. Unë i tregoj barcaleta, asaj i bie të fikët nga inati. Ndërsa Unë, ta dini miqtë e mi, Unë vijoj të qesh e qesh “si përherë”!

Trending