Nga Demir Korita
Dua të theksoj se s’ka se si duhej t’i lëmë në harresë ata dhjetra kuadro,intelektual drejtues e artist që kanë dhënë kontibut të shquar në sektorë të ndryshëm të jetës dhe veçanërisht në atë të artit. Ishte angazhimi i tyre , që punuan me ndershmëri dhe përkushtim që vunë në themel forcat e tyre intelektuale dhe organizative dhe gjallëruar jetën artistike për shumë vite të qytetarëve dhe artëdashësve fierak dhe në shkallë vëndi. Ishin drejtuesit, regjizorët, libreistët, aktorët e teatrit dramatik dhe të trupës së estradës së Fierit që promovuan vlera të larta artistike dhe ta ngrinin këtë teatër në nivele kombëtare ndër më të mirët në vënd.

Një ndër ta që dha kontibut dhe mbështetje të fuqishme trupës së teatrit, regjizorëve dhe artistëve të Teatrit “Bylys” ishte edhe artisti dhe drejtori i parë Xhelal Hoxha. Dhe gjithë të tjerët, që erdhën pas tij si:Llambro Llaguri,Thoma Meço, e deri te Muhamet Sherri, Hajrije Rondo, Robert Hoxha, Astrit Hasani e Klajdi Marku.

Jeta e Xhelalit nga fëmijërija, te edukimi, shkollimi e deri tek ngjitja në rrugën e suksesit, si drejtues e aktor në trupën e teatrit dhe estradës profesioniste të Fierit.

Në rrugëtimin e jetës së gjatë të tij, Xhelali i ngjante një personazhi biblik, që me shumë sakrifica e mund, qysh në moshën e vegjëlisë u përball me vështirësi të pafundme të sistemit feudal tepër të prapambetur, të pazhvilluar e primitiv. Në atë mjedis sfidoi çdo vështirësi të motit, me rrebeshe shiu, erëra të ftohta dhe rrugicat e ngarkuara gjithë pellgje ujë e baltë ngjitëse.Ishte tek 10-11 vjeç kur do të shkonte në shkollën 7-vjeçare në Patos, rreth 8 km distancë (vajtje-ardhje). Atë do ta kryente në këmbë nëpërmjet rrugës këmbësore, duke u përballur me kushtet e vështira që diktonte moti. Në të shumtën e rasteve lagej nga shiu dhe fshikullohej nga erërat e ftohta, duke thyer çdo limit dhe pabesueshmëri për brezat e sotëm se si një fëmijë i asaj moshe të sfidonte natyrën e egër, dhe gjithçka, vetëm e vetëm për të marrë dije. Qysh atëherë në dejet e shpirtit të tij vlonte dëshira e zjarrtë për të marrë dije e realizuar me çdo çmim ëndrrat e tij fëminore. Qysh atëherë në shpirtin e tij ziente dëshira për të qenë një lexues i zellshëm, ku i kërkonte të atit t`i blinte libra jashtë shkollorë. Dallohej mes nxënësve dhe shokëve të shkollës për “sqimën”e tij për elegancën dhe si interpretues i vargjeve të poetëve tanë të mëdhenj, si: ato të Naim Frashërit, Çajupit, Migjenit, Jani Mingës, Ali Asllanit, etj. Gradualisht iu fut dëshira dhe ëndrra për të qenë në një të ardhme pjesë e artit, që për të ishte vetëm një fantazi fëminore.Por përpara tij kishte mjaft dallgë për t`u përballur.Teksa priste për një të drejtë studimi për të vazhduar një shkollë të mesme arti, i jepet një e drejtë studimi në shkollën e mesme teknike në “Q. Stalin”, sot Kuçovë. Për fatin e tij, atje gjeti një mjedis ku kishte marrë prioritet zhvillimi i artit dhe kulturës, pasi shteti i kohës kishte bërë investime në këtë qytet, si: “Zemra e naftëtarëve” ku kishte mjaft intelektualë si dhe specialistë nga ish-Bashkimi Sovjetik. Me dëshirën e zjarrtë për artin dhe kulturën, Xhelali gjente kohë që të shkonte në teatër dhe kinema, dhe magjepsej pas tyre, duke i parë e riparë disa herë. Ëndërronte të kapte ëndrrën Aty ai njohu nga afër disa personazhe të artistit si; Viktor Gjoka, Agim Shuke, Thoma Rrapi, Nikolla Panajoti, Afërdita Taçi, Genci Hasani, Jani Droboniku, Sanije Pasha, Vangjel Sava, etj.
Pas përfundimit të teknikumit kthehet në Patos, ku punon si laburant në sektorin e naftës. Edhe atje kërkoi “shtigje” e mundësi për t`u angazhuar me artin, pasi edhe në qytetin e Patosit ishin krijuar kushtet e funksionimit të kinemasë, të estradës dhe teatrit amator, të cilat i shërbenin edukimit kulturimit të punonjësve dhe banorëve të qytetit.Fati e çoi të bëhet pjesë e teatri amator të qytetit. Luan me shumë shpirt, ku përkrahet dhe mbështetet nga regjisori dhe shokët. Ato vite ishte i martuar dhe u bë me dy fëmijë.Por Xhelali do të vazhdonte odisenë e ëndrrës së tij, dhe gjeti një rreze drite.
Pas shumë peripecishë, këmbngulje dhe vullnet të fortë në moshën 32 vjeç arriti të përfitoj burs për në shkollën e lartë të arteve ,por në degën e kulturës,

Mësoi se në Tiranë zhvillohej një konkurs pranë Shkollës së Lartë të Arteve.E priti me gëzim të madh, që për të ishte një dritë jeshile dhe shprese në fund të tunelit. Dhe ja tek iu shfaq! Studioi e përvetësoi mjaft vargje të poetëve tanë, dhe copëza fragmente nga tregimet e tyre. U paraqit në konkurs, dhe fitoi, por jo në aktrim, por në degën e kulturës. Megjithatë e pranoi me kënaqësi si një sfidë e kahershme e ëndrrës së tij. Atje u ndodh mes mjaft të rinjve në moshë të krahasuar me të. Madje u shoqërua dhe qëndroi në një dhomë me ta, siç ishin, Timo Flloko, Dervish Biba, Mevlan Shanaj, që më vonë u bënë artistë të mëdhenjë. Për moshën që kishte ishte “Babai” i fakultetit. Por me ta ishte si mes vëllezërve, të cilët e shprehën edhe në kujtimet e tyre. Në përfundim të Fakultetit e propozuan për pedagog, por nuk pranoi. Ishte me tre fëmijë, dhe ata kishin nevojë për ngrohtësinë dhe dashurinë e të atit. E shoqja kishte përballuar me shumë sakrificë jetën pa praninë e Xhelalit, dhe ja kishte arritur ta përballonte, duke i rritur ata me kujdesin e një nëne heroinë. Xhelali e ndjente këtë vështirësi të saj, por ishte ajo që i tha:- “Shko Xhelal, vazhdo shkollën, se e di, që ti e dashuron shumë artin.Për fëmijët do të kujdesem unë!”
Kur teatri ishte në ndërtim e sipër Xhelali emërohet drejtor i parë i tij.

Kthehet në Fier, ku e emërojnë inspektor të kulturës pranë Komitetit Ekzekutiv të Rrethit Në ato vite sapo ishin hedhur themelet e Teatrit të Ri për qytetin. Ishte vjeshtë e vitit 1970, kur emërtesa e Komitetit Ekzekutiv, për aftësitë, nivelin, kulturën, pjekurinë dhe përkushtimin e emërojnë në detyrën e drejtorit. Ishte një përgjegjësi e madhe të merrje aso kohe atë detyre pa pasur eksperiencë dhe përvojë, por Xhelali e vlerësoi seriozisht detyrën e ngarkuar.Kërkoi që së pari të kompletohej teatri me të gjitha aksesorët e nevojshme, dhe më kryesorja ishte, prurje të reja me aktor mundësisht të rinj. Bazë e këtij teatri ishin aktorët e Estradës së Fierit, që ishin edhe miqtë e vjetër të tij si; Fuat Boçi, Luftar Paja, Nestor Pogaçe, Terezina Gjerazi, Hasan Bregu, Todi Llupi, Arqile Lipe, etj.U gëzua shumë kur pranë Teatrit erdhën prurjet e reja, aktorë të rinj të sapo dipllomuar si; Hajrije Rondo, Fatos Sela, Dervish Biba, Roland Roshi, Muhamet Sherri, Gjergj Lala, Aleksandër Pogaçe, Vladimir Muzha, Ilir Bezhani, Dhimitër Jano, etj…, që i njihte qysh në jetën studentore.Ndërkohë erdhën dhe regjisorët e parë, Petrit Tuna, Leka Bungo, Pëllumb Kulla me të cilët lidhi miqësi të fortë. Publiku fierak i etur për kulturë priste shumë që të shihte shfaqjet e para të shumëpritura. Për Xhelalin ishte një sfidë dhe një përgjegjësi e madhe, prandaj u angazhua me regjizorët dhe gjithë trupën për t’u paraqitur denjësisht para publikut fierak. Drama e parë u dha me sukses dhe u prit me entuziazëm nga artdashësit fierakë.Kjo ishte dhurata e parë që Xhelali mori nga debutimi me nivel të lartë artistik i trupës së teatrit. Me përgjegjësinë e drejtorit, i mbrujtur dhe i edukuar me dashurinë dhe përgjegjësinë për detyrën, veçanërisht për regjisorët dhe aktorët respektonte dhe përjetonte bashkë me ta ecurinë e teatrit, cilësinë e përmbajtjes dhe të nivelit të interpretimit.Ai ishte njësh me ta, dhe çdo gjë e ndante bashkë me trupën. Ishte një organizator dhe rregullator i rrallë dhe i aftë në marrëdhëniet mes artistëve, regjisorëve dhe gjithë personelit. Ishte me zemër të gjerë dhe një avokat që neutralizonte me finesë e pjekuri ndonjë padrejtësi midis miqve , dhe me qetësi ndikonte në zgjidhjen e tyre. Ishte tepër miqësor e vëllazëror me të gjithë.Vite më pas Teatri “Bylys” vuri në skenë” drama të niveleve të larta si: “Shoku Niqifor”, “Gjëmimi i atij Dimri”, dhe ajo më e arrira “Dy Krisma në Paris”, e cila u vlerësua edhe nga udhëheqja e lartë e shtetit të kohës.
Për 20 vjet të qenit si drejtor dhe aktor, Xhelali ka ndarë skenën me regjisorët dhe aktorët e shquar të teatrit, duke lëvruar e interpretuar figura në forma të veçanta para publikut, ndonëse role jo kryesore, por ka shfaqur talentin e tij para artdashësve fierakë. Ai, rolet i luajti me shumë dashuri, pavarësisht rolit të madh, apo të vogël që ishin.Miqtë dhe shokët e Xhelalit ishin të shumtë, midis tyre dhe artistë të mëdhenj të skenës dhe ekranit, si: “Artistët e Popullit”, Kadri Roshi, Margarita Xhepa, Luftar Paja, Kujtim Spahivogli, Timo Flloko, Mevlan Shanaj, dhe aktorët e shquar Dervish Biba, Hajrie Rondo, Fatos Sela, Roland Roshi, Muhamet Sherri, Roland Çarka, Barjam Dosti, Astrit Hasani, Agim Agolli. Intelektualët, Ilir Dano, mjeku veteriner Aleksandër Jorgaqi, poetët dhe shkrimtarët; Përparim Hysi, Fran Ukcama e mjaft të tjerë. E çmonte shumë familjen dhe shoqërinë. Ishte përfaqësues i një njeriu model dhe të qytetëruar, i kompletuar me sjellje e marrëdhënie të shëndosha mes miqve e shokëve. Përsosmëria e tij ishin sjelljet e një njeriu të nivelit të lartë ideoestetik, arsimor e kulturor, që përbënin elementin thelbësor të portretit të tij. Ishte “Aristokrati” i ndjenjave njerëzore, i shpirtit të pastër, të cilat i rrezatoi në familje punë e shoqëri.
I tillë ishte Xhelali ynë, një model i përsosur i njeriut dhe qytetarit të denjë, me virtyte të larta shoqërore.
Ai punoi, jetoi dhe e mbylli me nder, si një emër i ndritur në historinë e Teatrit “Bylis”, duke mbetur ikonë fisnikërie e qytetarie, një kryefamiljar model.
Nga Demir Korita ne telegram.al




You must be logged in to post a comment.