Mbrëmja Gala “Topi i Artë” 2024 ka dorëzuar trofetë individuale të një viti sportiv mbushur me suksese, por edhe zhgënjime. Janë dorëzuar cmimet më të rëndësishme për golashënuesin më të mirë, trajnerin e arbitrin më të mirë, talentin e vitit dhe formacionin më të mirë. Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, mbajti një fjalim përshëndetës gjatë Mbrëmjes Gala “Topi i Artë” 2024. Në këtë event të veçantë dhe madhështor, Presidenti Duka shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj të gjithë aktorëve që kontribuan në sukseset dhe emocionet unike të vitit 2024.

Presidenti Duka falenderoi futbollistë e futbolliste, trajnerë, drejtues klubesh, akademish e shoqatash, arbitra, Komitetin Ekzekutiv dhe administratën e FSHF-së, qeverinë, FIFA-n, UEFA-n, bashkëpunëtorë, sponsorë, tifozë si edhe ekipin Kombëtar shqiptar, që zhvilloi një paraqitje dinjitoze dhe bëri krenarë të gjithë shqiptarët në finalet e Kampionatit Europian “Gjermani 2024”.

Videomesazh i Ceferin

Presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin, ka dërguar një video-mesazh urimi për Mbrëmjen Gala “Topi i Artë 2024”, që po mbahet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit. Në këtë ngjarje prestigjioze, Ceferin përshëndeti të gjithë të pranishmit dhe vlerësoi sukseset e arritura nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë vitit 2024.

Ai e cilësoi vitin 2024 si një periudhë të jashtëzakonshme për futbollin shqiptar dhe vlerësoi dy ngjarjet madhore që do të organizohen nga FSHF në vitin 2025; UEFA Euro U-17 “Shqipëri 2025” dhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s. “Sot jemi mbledhur për të festuar arritjet e jashtëzakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit në 2024. Një vit që padyshim na ka treguar se si forca e vendosmërisë, puna në grup dhe këmbëngulja mund të çojnë në sukses të jashtëzakonshëm – tha Ceferin -. Nga performancat elektrizuese të ekipeve tuaja Kombëtare, te zhvillimi i vazhdueshëm i futbollit të bazës, viti që lamë pas ishte frymëzues për të gjithë kombin, duke sjellë momente gëzimi dhe krenarie për miliona shqiptarë anembanë botës. Qershia mbi tortë e fushatës ishte pjesëmarrja në UEFA EURO 2024, ku Shqipëria qëndroi fort në “grupin e vdekjes” kundër fituesve të ardhshëm, Spanjës, Italisë dhe Kroacisë”.

Balaj, Topi i Artë 2024

Bekim Balaj është shpallur “Topi i Artë” 2024 në kampionatin “Abissnet Superiore”. Futbollisti i Vllaznisë fitoi çmimin e futbollisti më të mirë të vitit, pas një gare të fortë me Arinaldo Rrapajn, Albano Aleksin dhe Ermir Rashicën.

Çmimin e “Topit të Artë” në Mbrëmjen Gala ia dorëzoi Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, i cili e uroi Balajn për këtë arritje. Nga ana e tij, sulmuesi i Vllaznisë, Bekim Balaj, përgëzoi FSHF-në për organizimin e këtij eventi të rëndësishëm dhe shprehu kënaqësinë e tij për fitimin e çmimit më të rëndësishëm të mbrëmjes.

Trending