Me zemër të pikëlluar dhe dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen nga jeta të shokut dhe mikut tonë të dashur, Albert Spahi, President i Televizionit ACTV në Michigan.
Pas një beteje të gjatë dhe të pamëshirshme me sëmundjen, Ai u largua nga kjo jetë, duke lënë pas një boshllëk të pakrahasueshëm në zemrat e atyre që e deshën dhe e respektuan.
Albert Spahi ishte simbol i thjeshtësisë dhe humanizmit të vërtetë. Ai jo vetëm që ishte një biznesmen i suksesshëm në Amerikë, por edhe një intelektual i formuar, që la gjurmë të thella në komunitetin shqiptar.
I pajisur me shpirt artisti, Beni i dha jetë çdo mbrëmjeje me tingujt e instrumentit të tij, me humorin e ngrohtë dhe energjinë që rrezatonte pozitivitet në çdo hapësirë ku gjendej.
Beni vraponte çdo ditë, duke sfiduar kohën sikur të ishte në garë me të. Punonte pa pushim, duke dëshmuar përkushtimin dhe vendosmërinë që e karakterizonte.
Largimi i tij ka lënë një zbrazëti të madhe, që nuk mund të mbushet lehtë. Ai do t’u mungojë pa masë familjes, të afërmve, miqve dhe shokëve, të cilët gjithmonë do ta kujtojnë për mirësinë, bujarinë dhe përkushtimin e tij të pashoq.
Beni do të mungojë thellësisht në Televizionin ACTV, ku pasioni i tij i pashtershëm për të shndërruar këtë televizion në një hapësirë të përbashkët informimi, promovimi dhe krenarie shqiptare në Amerikë do të mbetet një frymëzim për të gjithë ne.
Ngushëllimet më të sinqerta i shprehim familjes së tij të dashur, të afërmve, miqve, shokëve, kolegëve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve që patën nderin ta njohin dhe ta vlerësojnë.
Lamtumirë, shoku dhe miku ynë i shtrenjtë! Kujtimi yt do të jetojë përgjithmonë në zemrat tona!

U prehsh në paqe!

Ramazan Ceka. Gazetar prane ACTV

Trending