Prespa e Madhe po avullon nga temperaturat në rritje dhe mungesa e reshjeve. Ndryshimet klimatike po e shndërrojnë liqenin në një peizazh të zhveshur me varka të përmbysura dhe guaska të thara. Ekspertët paralajmërojnë një vit kritik për ekosistemin dhe biodiversitetin e liqenit.

Në fshatin Kallamas pranë bregut të liqenit të Prespës së Madhe, panorama ka ndryshuar ndjeshëm. Aty ku një vit më parë lëkundeshin butësisht ujërat e liqenit, sot gjen baltë, varka të kthyera përmbys, rrjeta peshkatarësh të ngatërruara dhe guaska midhjesh të thara nga dielli. Tërheqja drastike e ujit është peizazh që dëshmon më së miri pasojat e ndryshimeve klimatike në liqen.

Fotografi Atdhe Mulla

Teksa qëndron buzë Prespës, Koço Trajçe, 69 vjeç, i lindur dhe rritur në Kallamas, vështron me trishtim hapësirën që dikur ishte nën ujë. Me dorë tregon një vijë të padukshme në horizont, aty ku, vetëm një vit më parë, shtriheshin ujërat e qeta të liqenit.

Fotografi Atdhe Mulla

“Ka rënë shumë niveli i liqenit këtë vit. Nuk ka rënë borë, prandaj dhe nuk ka ardhur ujë. Merreni me mend se sa do të bjerë kur të fillojë vapa, sepse asnjë centimetër ujë i ri nuk ka ardhur,” thotë ai.

Trajçe kujton se rënia e nivelit të ujit në Prespën e Madhe filloi në vitet ‘90, por atëherë ndryshimet ishin të përkohshme. “Po ka të paktën 10 vite që vetëm bie niveli i ujit,” tregon ai i shqetësuar.

Sipas 69 vjeçarit, liqenin dikur e mbushte dëbora, reshjet e të cilës vitet e fundit po i mungojnë juglindjes gjithnjë e më shumë.

“Vjet dy herë ra nga pak. Edhe këtë vit ra pak fare dhe ajo e thatë dhe nuk ndikoi,” shton ai.

Ish-peshkatar, sot ai drejton një shoqatë të dedikuar për peshkimin dhe e sheh nga afër krizën që po përjeton ekosistemi i liqenit. “Edhe më shumë do të bjerë,” thekson ai.

Liqeni po avullon

Kallamasi është fshati ku largimi i ujit të liqenit është më i dukshëm. Por tkurrja e vazhdueshme e ujërave në Prespën e Madhe ka nxjerrë jashtë përdorimit stacionin automatik të monitorimit të nivelit të liqenit në Pustec (Liqenas). Për shkak të thatësirës së tejzgjatur, matjet atje kryhen me vrojtim.

Fotografi Atdhe Mulla

Të dhënat e IGJEO-s tregojnë se niveli i liqenit të Prespës ka arritur pikën më të ulët të regjistruar në shekujt e fundit, duke shënuar një rënie alarmante prej mbi 11 metrash. Në vitin 2024, niveli i liqenit ishte rreth 841 metra mbi nivelin e detit teksa niveli historik maksimal i Prespës ka qenë 852 metër.

“Studimet tregojnë se liqeni ka humbur rreth 7 për qind të sipërfaqes dhe gjysmën e vëllimit të tij midis 1984 dhe 2020. Kjo rënie e dukshme është e lidhur ngushtë me ndryshimet klimatike”, thotë Emanuela Kiri, hidro-gjeologe pranë Institutit të GjeoShkencave.

Humbja e ujit në Prespën e Madhe është rezultat i një ndërthurjeje faktorësh natyrorë dhe njerëzorë.

  1. Ndryshimet klimatike: Rritja e temperaturave globale dhe ndryshimet e reshjeve kanë shkaktuar avullim më të madh të ujit dhe rritje të periudhave të thatësirës.
  2. Ujitja e bujqësisë: Shfrytëzimi i ujit për bujqësi në rajon ka ulur sasinë e ujit që rrjedh në liqen.
  3. Urbanizimi dhe ndërtimet: Ndërtimi i infrastrukturës në rajon ka ndikuar në rrjedhjen natyrale të ujit dhe e ka ulur furnizimin e liqenit.
  4. Burimet ujore: Kanalet dhe burimet nëntokësore që ushqejnë liqenin janë gjithashtu ndikuar nga aktivitetet njerëzore dhe ndryshimet klimatike.
  5. Humbjet e ujit: Rrjedhjet nëntokësore nga liqeni i Prespës në liqenin e Ohrit ndikojnë në sasinë e ujit të liqenit të Prespës.

Megjithatë, ndryshimet klimatike, të reflektuara përmes temperaturave në rritje dhe reshjeve të paqëndrueshme, mbeten shkaku kryesor i tharjes së liqenit.

“Në aspektin hidrogjeologjik, ndryshimet klimatike kanë ndikuar në nivelin e ujit dhe sipërfaqen e liqenit të Prespës në mënyra të ndryshme. Rritja e temperaturave dhe mungesa e reshjeve kanë shtuar avullimin dhe uljen e ujit, duke çuar në rënien e nivelit të ujit dhe zvogëlimin e sipërfaqes ujore” thekson Kiri nga IGJEO./TELEGRAFI

Trending