
Në historinë e pazakontë të futbollit italian, pak skuadra kanë një histori kaq të mbushur me ngjitje, emocione dhe ndodhi të trazuara në Vatikan. Klubi i Avelinos duket se bart me vete një fat të çuditshëm: sa herë kjo skuadër ngjitet në një kategori më të lartë, në Selinë e Shenjtë ndodh një fatkeqësi.
Sa herë që Avelino, një klub i përulur nga jugu i Italisë, ngjitet në një kategori më të lartë futbolli… në Vatikan ndodh një ngjarje e rëndë, e zymtë: ndërron jetë një Papë.
Në 9 tetor 1958, ndërsa Avelino ngjitet në Serinë C, në Vatikan bie zia: Papa Piu XII ndërron jetë pas 19 vitesh në krye të Kishës Katolike. Një ndodhi e dhimbshme për besimtarët, por që përkon me një fillim të ri për skuadrën jugore.
Më pas zgjidhet Papa Gjoni XXIII, një figurë e dashur, që do të udhëheqë Vatikanin deri më 1963. Ironikisht, edhe në këtë vit, Avelino ngjitet sërish në Serinë C, pasi kishte rënë një vit më parë. Dhe… po në atë vit, Papa Gjoni XXIII ndahet nga jeta. Rastësi? Apo shenjat e një lidhjeje të errët që do të përsëritej?
1978 është ndoshta viti më dramatik i shekullit XX për Vatikanin. Papa Pali VI ndërron jetë. Në fron ngjitet Papa Gjon Pali I, i cili ndërron jetë pas vetëm 33 ditësh papësi, duke tronditur botën mbarë. Të dy këto humbje ndodhin në të njëjtin vit…
… dhe po në të njëjtin vit, Avelino ngjitet për herë të parë në Serinë A. Një sukses historik, një mrekulli për tifozët, por që përkon me një nga vitet më të trishtuara në historinë moderne të Kishës Katolike.
Më pas ngjitet në fron Papa Gjon Pali II, një figurë që do të dominojë dekadat në vijim, derisa…
2 prill 2005. Papa Gjon Pali II ndërron jetë pas më shumë se 26 vitesh në shërbim të Kishës. Mijëra besimtarë mblidhen në Sheshin e Shën Pjetrit, ndërkohë që bota përcjell një nga figurat më të mëdha të shekullit.
Por 19 qershor 2005, vetëm pak javë më pas, një lajm tjetër mbërrin – kësaj radhe nga fusha e blertë: Avelino mposht Napolin me rezultatin 2-1 në play-off dhe siguron ngjitjen në Serinë B. Festë në Avelino, lot në Vatikan.
Historia vazhdon. Në 2013, një tjetër moment i pazakontë: Papa Benedikti XVI dorëhiqet nga detyra – një akt që nuk kishte ndodhur prej më shumë se 600 vitesh. Tronditje në Vatikan, ndërkohë që po atë vit, Avelino siguron një tjetër ngjitje në Serinë B.
Edhe kur s’ka vdekje… ka dorëheqje. Sikur qielli vetë të reagonte ndaj suksesit të klubit. Me 19 prill, Avelino siguron ngjitjen matematikisht në Serinë B. Një sezon i suksesshëm, një punë e përkushtuar, një qytet që feston. Por festa zgjat vetëm pak ditë. Sepse më 21 prill, bota përjeton një tjetër humbje: Papa Françesku ndërron jetë.




You must be logged in to post a comment.