
Ambasada e SHBA ndau sot në rrjetet sociale një citim nga zëvendëspresidenti JD Vance, i shoqëruar nga një dorë që hedh një fletë votimi në një kuti. Si mund të kontekstualizohet apo interpretohet kjo deklaratë kur ka mbetur vetëm një javë para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit?
Së pari, duhet të sqarohet se ku dhe kur e ka thënë zëvendëspresidenti amerikan dhe në çfarë konteksti. Deklarata “Demokracia bazohet në parimin e shenjtë që zëri i popullit ka rëndësi. Nuk ka vend për barriera. Ose e mbroni këtë parim ose jo”, ishte pjesë e fjalimit të tij të gjatë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut më 14 shkurt 2025.
Kjo deklaratë ishte pjesë e një kritike më të gjerë të praktikave politike evropiane, veçanërisht përjashtimit të disa partive politike nga diskursi politik kryesor, të cilin ai e quajti – barriera politike ndarëse.Të mos harrojmë, në të njëjtin fjalim në Mynih, JD Vance tha se “nuk mund të fitosh një mandat demokratik duke censuruar apo burgosur kundërshtarët e tu”. Në këtë mënyrë, konteksti bëhet i qartë. Nënkryetari amerikan, kur flet për parimin demokratik, ilustron Shqipërinë dhe situatën politike këtu. Gjuha e tij shkon përtej tekstit të rezolutës së djeshme të miratuar nga Kongresi i PPE në Valencia.Sulmimi i kundërshtarëve politikë (Berisha, Meta etj.); censura mediatike e opozitës; përdorimi selektiv i drejtësisë; etiketimi i kundërshtarit; duke e mbytur me zhurmë e bujë debatin dhe fushatën politike, qoftë me kryeministrin apo kundër tij, duhet të pranoni se janë të gjitha në repertorin politik (për ca antidemokratik) të Edi Ramës.
Kur drejtësia zbatohet në mënyrë selektive, kur opozita përjashtohet nga institucionet dhe ekranet, kur administrata kthehet në aparat partiak, atëherë nuk kemi të bëjmë me demokraci, por me një simulim të demokracisë.
Nënkryetari Vance ka të drejtë: më 11 maj shqiptarët duhet të vendosin. Pa 100 euro ‘donacione’ elektorale, pa blerë karta identiteti, pa frikë se do të pushojnë nga puna, pa shantazh, pa kontroll patronazhi.
Politico.al




You must be logged in to post a comment.