Nga Aurora Damini

Nuk e kisha menduar kurrë se do të shtrohesha ndonjëherë në pavionin infektiv në katin e katërt të spitalit rajonal të Fierit…
Problemet e mia të kahershme kardiologjike nuk ma ofronin kurrsesi këtë përfytyrim. Por jeta qenka e çuditshme. Një pakujdesi e vogël e imja dhe mosvlerësimi i mjekimit në kohë, më solli një infeksion të tmerrshëm fillimisht urinar e më pas në gjithë aparatin tretës.
U shtrova në gjendje të rëndë në reanimacion e më pas në pavionin infektiv të këtij spitali. Krizat e forta, temperatura e lartë, ethet e të tjera simptoma të dhimbshme u fashitën pak nga pak falë një mjekimi tejet të specializuar e mjaft delikat të shefit të repartit mjekut infeksionist Ndriçim Bali! Mirënjohje Hero!
Por ajo që më befasoi ishte puna e palodhur dhe e përkushtuar e krejt stafit të imfermierëve dhe sanitareve, që pavarësisht kushteve te mungesës që nga aparaturat e deri te medikamentet ( jemi mësuar me mungesa në spitalet shtetërore ) ata punonin me kaq ndërgjegje të lartë dhe kaq me humanizëm, sa të dukej vetja si në shtëpi. Mund të them me plot gojën: në gjithë atë varfëri ( mungese investimi i qeverisë ) çdo gjë aty ndriste nga pastërtia, e cila mbahej “ me thonj” nga pothuajse i gjithë stafi.
Mirënjohje Heronj të heshtur që punoni kaq me shpirt në atë pavion që për hir të së vërtetës është më i vështiri nga të gjithë!
Mirënjohje kryeinfermieres, infermiereve Almës, Albit, Aldos etj etj e deri te praktikantet e përkushtuara që nuk mendonin kurrsesi të merrnim rrugët e hirta të Gjermanise, por të shërbenin me përkushtim bashkqytetarëve të tyre, qoftë edhe në këto kushte të rënda….
Me përgjegjësinë qytetare ju përulem sot dhe ju them me gjithë zemër: Faleminderit Heronj!

Trending