Kandidati i Partisë Demokratike në zgjedhjet e 11 majit, në listën e hapur, Ilir Alimehmeti ka ankimuar rezultatin, duke kërkuar rinumërimin e votave në Qarkun e Tiranës. Mjeku i njohur arriti të marrë mbi 18 mijë vota, por sërish ngeli jashtë Parlamentit të ardhshëm. PD siguroi në Qarkun e Tiranës 12 deputetë nga lista e mbyllur dhe vetëm një nga ajo e hapur. Jorida Tabaku rezultoi më e votuara me 20 565 vota dhe për rrjedhojë ishte ajo që u zgjodh deputete në Kuvendin e ri që nis punën në shtator.

Në shkresën drejtuar Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve, KAS, Alimehmeti pretendon se parregullsisë e konstatuara prej tij mund të ndryshojnë rezultatin.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, me vendimin nr. 1326, datë 24.05.2025, ka miratuar tabelat përmbledhëse për rezultatin e votimit në zonën zgjedhore Qarku Tiranë. Bashkëngjitur këtij vendimi, në tabelën përmbledhëse të rezultatit për subjektin tonë zgjedhor, rezulton se unë, Ilir Alimehmeti, kam marrë 18,128 vota si kandidat i listës së hapur, duke u renditur i dyti nga kandidatët e listës së hapur. Referuar numrit të përgjithshëm të votave të subjekteve sipas këtyre tabelave, nga listat e subjektit tonë zgjedhor mund të zgjidhet vetëm 1 deputet nga listat e hapura, që referuar parashikimeve të Kodit Zgjedhor me ndryshimet e bëra së fundmi, është kandidati më i votuar.

Gjatë procesit të verifikimit të filmimeve të kamerave nga ana jonë, për një numër të kufizuar të cilat na janë vënë në dispozicion nga administrata e KQZ-së, janë vërejtur disa parregullsi që mund të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit në mënyrë të ndjeshme. Në këto kushte, po paraqes këtë ankim pranë KAS, bazuar edhe në dispozitat e Kodit Zgjedhor”, thuhet në ankimimin e tij.

Trending