Nderron jete regjisori Leka Bungo ne moshen 81 vjec

Lindi në Vlorë më 28 shkurt 1944, regjisor, aktor, skenarist. Ka kryer shkollën e Lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu” dhe më pas një kurs njëvjecar për regjisurë në Institutin e Lartë të Arteve. Pas vënies në skenë të dramës “Historia e një vajze” më 1973, u kritikua nga organet partiake për qëndrime liberale në art dhe u çua për “riedukim” me punë fizike në Patos. Më pas punoi si regjisor pranë pallatit të kulturës së këtij qyteti. Punoi një pjesë kohe si regjisor në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit, ku u bë përkrahës i prurjeve të reja në teatër dhe në dramaturgji. Në vitin 1982 emërohet në estradën profesioniste të Lushnjës Leka Bungo, një regjisor ky i talentuar dhe me përvojë artistike i cili bëri që trupa të plotësohet edhe me aktor të rinj të dalë nga Instituti i Lartë i Arteve, duke pretenduar për një rritje cilësore e duke bashkëpunuar edhe me artistë e aktorë humorist të skenave kombëtare e të ftuar të tjerë që vinin herë pas here. Në këto vite u realizuan filmime në Radio Televizionin Shqiptar, ku u dhanë disa seriale me materiale humoristike të estradës dhe trupa profesioniste e Lushnjës tashmë renditej ndër më të mirat, në saj edhe të këtij regjisori të madh, i cili e ngriti dhe bëri më të njohur për publikun shqiptar vlerat e aktorëve Hasan Dervishi, Athina Dhimitri, Robert Kamani, Petraq Dhimitri, Liljana Hila, Aristir Cauli etj. Më 23 mars 1982 kemi premierën e parë të regjizorit Leka Bungo “Kur qeshin zemrat” me dirigjent Llazi Borova, piktor Bujar Kapexhiu, dhe asistent regjisor Aristir Cauli. Në programin e kësaj premiere regjisori Leka Bungo bëri përpjekje që të tregojë vlerat reale të trupës që tashmë kishte fituar eksperiencë, por që kërkonte materiale më cilësore dhe një ndërtim me bashkëkohor të shfaqjes të cilën e realizoi me sukses. Materialet letrare ishin “Intensifikimi” dhe “Në përvjetorin e vdekjes” nga Gazmend Kongoli, “Toger Shazivari” shkruar nga Leka Bungo, “Një natë para seminarit” shkruar nga Filip Çakuli dhe Leka Bungo, “Vizita e inspektorit” shkruar nga Filip Çakuli, “Ëndërra e një nate vjeshte” shkruar nga Pëllumb Kulla dhe “Paraja” nga Novruz Sinani, ku në këtë të fundit rolin kryesor do ta lozte aktori Mirush Kabashi. Gjatë shfaqjes interes patën edhe grimcat humoristike, parodia “Këngët e fundit të vitit” shkruar nga Pëllumb Kulla dhe “Fabula” nga Gjik Kurtiqi. Materiali muzikor i punuar dhe i kompozuar në pjesën më të madhe të repertorit me shije nga dirigjenti Llazi Borova si “Kënga e Kongresit”, “O moj fushë e Myzeqesë”, “Stacioni i fundit”, “Potpuri Myzeqare”, “Në çdo agim”, “Dashuroj jetën dhe ty”, “Potpuri Korçare”, këngë për Tefta Tashko Koçon kompozuar nga Rudak Ismaili, këngë nga Flamur Shehu dhe “Fantazi për violinë e orkestër”, interpretuar në violinë nga Llazi Borova. Kjo shfaqje bëri bujë dhe korri sukses e këtë e tregon edhe numri i madh i spektatorit për të ndjekur këtë premierë për 13 ditë rresht, ku vështirë ishte të siguroje biletë, por që pati edhe shumë personalitete të artit e të kulturës që pothuajse e ndiqnin çdo ditë shfaqjen si dhe një numër rekord drejtuesish të lartë të pushtetit që tregon se kjo shfaqje kishte ngjallur një interesim të jashtëzakonshëm. Historiku i i të gjitha premierave të realizuara nga regjisori Leka Bungo janë të pasqyruara në Historikun e Artit e të Kulturës në librin tashmë të përfunduar që pritet të dalë në qarkullim. Deri në fund të viteve 80-të, do të vinte mbi 20 premiera të suksesëshme veçanërisht në Koncertet e përvitëshme të Vitit të Ri, ku Estrada e Lushnjës dha kontributin e saj në interpretimin e materialeve humoristike ku Leka Bungo ka meritën që edhe sot Lushnja të kujtohet për një trupë estrade të konsoliduar dhe me nivel artistik të pëlqyeshëm nga spektatorët në mbarë vendin.
Në fund të viteve 80-të, u emërua regjisor në Estradën e Shtetit, në të cilën vuri në skenë disa shfaqje, ku u prekën probleme të mprehta sociale të kohës dhe ku satira përbënte elementin e tyre më të pranishëm. Pas viteve 90-të, realizoi disa emisione televizive, me humor politik, duke satirizuar dukuri politike të një regjimi e klase tashmë të përmbysur, por që kishte ende ndikime të forta mbi realitetin e ri postkomunist të krijuar në Shqipëri. Ishte nga të parët që krijoi, në hollin hyrës të godinës së Teatrit Kombëtar, teatrin privat “Rubairat”, por që shpejt e humbi destinacionin e vet artistik si të tillë, derisa u mbyll më 2001 me rikonstruksionin që iu bë holleve të këtij teatri. Pas vitit 2002, emigroi SHBA. Përveç punës si regjisor dhe aktor, ka shkruar edhe disa drama dhe skenar filmash, ndër to dramën “Pabesia” si dhe skenarët “Pas fasadës”, “Gjuetia e fundit” etj. Do të kthehet përsëri në Shqipëri ku do të jetë aktiv deri në fund të jetës së tij me krijimtari dhe realizime shfaqjesh duke lënë gjurmë në historikun e artit e të kulturës kombëtare

Nga Maksim Kulla posting ne fb

Trending