
Rrotullimi i Tokës ka filluar të përshpejtohet që nga viti 2020 duke i shkurtuar (në mënyrë të padukshme) 24 orët e ditës mesatare diellore me disa milisekonda. Astrofizikani britanik Graham Jones e shpjegon këtë në faqen e internetit “timeanddate.com”.
Të mërkurë e 9 korrikut, të martën e 22 korrikut dhe të martën e 5 gushtit janë tre data që mund të vendosin një rekord të ri për ditën më të shkurtër të matur ndonjëherë këtë verë. “Planeti ynë është një matës kohe pothuajse perfekt, por jo tamam”, – thotë Jones.
“Mesatarisht, Toka rrotullohet një herë rreth boshtit të saj në 86 400 sekonda (ose 24 orë) me një shkurtim prej rreth 1 milisekonde”, një luhatje më e shkurtër se hapja e syrit, e cila mund të zbulohet vetëm duke përdorur një orë atomike.
Deri në vitin 2020, rrotullimi i Tokës ishte ngadalësuar gradualisht dhe dita më e shkurtër e regjistruar ndonjëherë ishte vetëm 1.05 milisekonda më e shkurtër. Më pas, trendi u përmbys dhe rrotullimi i Tokës u përshpejtua duke vendosur rekorde të reja vit pas viti, veçanërisht në muajt e verës.
Ditët më të shkurtra ishin 30 qershori 2022 që ishte 1.59 milisekonda më e shkurtër dhe 5 korriku 2024 që ishte 1.66 milisekonda më e shkurtër. Këtë vit, Toka pritet t’i afrohet kësaj vlere rekord përsëri rreth 9 korrikut, 22 korrikut dhe 5 gushtit.
Ekzistojnë 3 data të mundshme sepse ndryshimet afatshkurtra në gjatësinë e ditës ndikohen nga orbita e Hënës: rrotullimi i Tokës është më i shpejtë kur Hëna është shumë në veri ose në jug të ekuatorit të Tokës.
Është e vështirë të thuhet pse Toka e përshpejtoi rrotullimin dhe se kur do të ngadalësohet përsëri thotë astrofizikani Jones. “Ndryshimet afatgjata në shkallën e rrotullimit të Tokës ndikohen nga një listë e gjatë faktorësh duke përfshirë lëvizjet komplekse të bërthamës së Tokës, oqeaneve dhe atmosferës” – tregon ai.




You must be logged in to post a comment.