
Tre vjet pas shkarkimit nga kupola e policisë, Gledis Nano ka dalë i fituar nga beteja gjyqësore kundër kryeministrit Edi Rama, pasi gjykata i dha një vulë morale mosbindjes për t’u larguar nga detyra, një veprim gjithnjë e më i rrallë në policinë e shtetit dhe në administratën publike. Nano refuzoi të firmoste dorëheqjen dhe e detyroi Ramën të mbledhë qeverinë për ta shkarkuar formalisht, një akt që dallon disi brenda sistemit, ku bindja e verbër ndaj urdhrit politik është rregull i pashkruar dhe kriter thelbësor për të ruajtur karrierën.
Nano përfiton rreth 100 mijë euro dëmshpërblim, por në historinë e tij mbetën mister motivet që e shtynë Edi Ramën ta shkarkonte kryepolicin me urgjencë, qoftë edhe duke firmosur një vendim që rezultoi i paligjshëm.
Po të kthehemi pas në kohë, në fund të gushtit të vitit 2022, Gledis Nano u gjend papritur përballë një ultimatumi nga ministri i atëhershëm Bledi Çuçi i cili i kërkoi të dorëhiqej menjëherë, madje ia bëri fakt të kryer largimin nga drejtimi i policisë.
Lapsi.al raportoi atëherë se Nano dhe Çuçi u përplasën në një debat në zyrën e ministrit, pas të cilit kryepolici u largua dhe fiku telefonin, dicka e pazakontë për drejtuesit e lartë të policisë. Në media nisën të qarkullojnë lajmet se Gledis Nano ishte i ikur, por ai vetë i përgënjeshtroi menjëherë këto lajme që dukeshin si mesazhe publike të qeverisë, duke ia bërë të qartë Çuçit se nuk do ta braktiste detyrën aq lehtë.
Problemi ishte se pas Çuçit qëndronte Edi Rama. Nuk u kuptua kurrë se përse duhej larguar nga detyra drejtori i policisë, por ishte e qartë se urdhri kishte ardhur nga zyrat e kryeministrisë. Dy ditë më vonë, Rama i dha fund rezistencës së Gledis Nanos me një vendim qeverie që e shkarkoi menjëherë.
Interesante ishte se qeveria nuk kishte gati një emër për ta zëvëndësuar. Misteri i shkarkimit bëhej akoma më intrigues po të llogarisje Nano kishte një marrëdhënie të shkëlqyer me ambasadën amerikane në Tiranë.
Ndaj Lapsi.al i është rikthyer edhe një herë arkivës për t’i bërë një grafi tjetër rrjedhës së ngjarjeve, në distancën e tre viteve larg.
Motivi “zyrtar”, rezultatet e dobëta

Motivi zyrtar që i dhanë Gledis Nanos është edhe versioni më pak bindës.
Çuçi deklaroi atëherë se shkak për largimin e drejtorit të policisë ishte mospërmbushja e objektivave, që ishin vënë bashkë. Sipas tij, shkarkimi lidhej me situatën e krijuar muajt e fundit në verën e vitit 2022, e cila, sipas tij, “kërkon një reagim më të fortë dhe një menaxhim më efikas të policisë së shtetit”.
Edhe Rama kur u pyet për këtë çështje deklaroi: Iu kërkua dorëheqja sepse situata e kohës së fundit ishte problematike. Kjo kërkonte një ndryshim të lidershipit të saj në krye të policisë së shtetit”.
“Ai ka kryer detyrën e ka bërë sa ka mundur, por i është vënë në diskutim rezultati. Me atë rezultat ku ne filluam të shikojmë simptoma problemesh që nga rishfaqja e parcelave me kanabis pranë zonave urbane, uniformat blu që merrnin ryshfete, vrasjet pa autor të gjitha këto kërkonin një shkundje” shtoi Rama.
Por këto shpjegime fusnin ujë. Probleme me ryshfetet e policëve, vrasjet pa autor dhe parcelat me kanabis vendi ynë ka pasur përherë. Largimi i Gledis Nanos ishte urgjent, një flakje nga detyra që nuk shpjegohej me problemet e përhershme të policisë shqiptare.
Efektet anësore të eleminimit të Ervis Martinajt

Tre javë para se të shkarkohej Gledis Nano nga detyra, në Durrës ishte zhdukur bosi i lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Kjo është edhe ngjarja më e bujshme dhe më e komplikuar kriminale e viteve të fundit.
Me zhdukjen e Ervis Martinajt, tregu dhjetëra miliona euro i lojërave të fatit po kërkonte një balancë të re në lëmin e krimit. Bandat nisën të lëvizin për të ndarë territoret e lëna bosh. Zhdukja e Ervis Martinajt ishte si një lëvizje e fuqishëm nëntokë që i jep efektet edhe më tej në sipërfaqe të shoqërisë.
Ervis Martinaj kishte edhe një listë të gjatë pagesash për shefat e policisë, ndërsa në media kishin dalë përpjekjet e tij për të intimiduar kryeministrin duke marrë me qira një banesë pranë tij. Deri ditën e fundit, Ervis Martinaj shoqërohej nga një efektiv i operacionales i quajtur Jeton Lami, që u arrestua më vonë.
Disa ditë pasi Martinaj u zhduk, Gledis Nano pati një takim me Jeton Lamin në qelitë e paraburgimit. Ish-efektivi i arrestuar ishte njeriu i vetëm që dinte edhe destinacionin e fundit të Martinajt natën e 9 Gushtit të vitit 2022, një fakt që ka mbetur i pazbardhur ende sot.
Ndërhyrja e Gledis Nanos në një ngjarje kaq delikate ende sot ka mbetur mister.
Pas largimit të Gledis Nanos nga detyra, kryeministri Edi Rama doli disa herë në konferencat e përbashkëta me drejtorin e ardhshëm të policisë, Muhamet Rrumbullakun dhe premtoi zbardhjen e zhdukjes së Martinajt, megjithëse familjarët e viktimës e akuzonin direkt si organizator të rrëmbimit dhe vrasjes së njeriut të tyre të afërm.
Tashmë fati i Ervis Martinajt është një histori e varrosur, që po shkon drejt harresës nga policia apo nga prokuroria.
Pëshpërimat në veshët e ambasadave

Reagimi i parë pas shkarkimit të Gledis Nanos erdhi nga ambasada e SHBA-ve në Tiranë që shprehu solidaritet dhe vlerësim me ish-drejtorin.
“I shprehim vlerësimin tonë Gledis Nanos, i cili ishte një partner i fortë i si drejtor i Policisë së Shtetit shqiptar dhe më parë, si drejtor i Zyrës kundër Terrorizmit”, thuhej në postimin e ambasadës amerikane.
Më herët kishte marrë një dekoratë të beftë nga amerikanët për arritje profesionale. Krah tij në selinë e rrugës së Elbasanit pozonte edhe ambasadorja Yuri Kim.
Pesë vitet e fundit, Nano kishte qenë drejtor i drejtorisë së Antiterrorit në Policinë e Shtetit dhe kishte pasur bashkëpunim shumë të ngushtë me ambasadën.

Nano ishte diplomuar në Akademinë Kombëtare të FBI-së, në Quantico Virginia, krahas shumë trajnimeve të tjera me agjencitë aleate të sigurisë.
Në muajt e fundit të detyrës kishte pasur vizita zyrtare në Londër, Berlin, Telaviv e Uashington.
Ky bashkëpunimit i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, dukej se i kishte dhënë vetësigurinë se mund të ruante një lloj pavarësie në karrierën e tij. Por kontaktet e tij të huaja rezultuan më shumë një problem se sa përparësi.
Në ditët e tensionuara të debatit me Bledi Çuçin dhe Edi Ramën, Lapsi.al mësoi se Gledis Nano kishte pasur takime në ambasadën amerikane, por ndërhyrjet e Yuri Kim tek Rama për një transferim të denjë nuk dhanë rezultat.
Ikja e Gledis Nanos/ Drejtori që pëshpëriste në veshët e ambasadave
Jo më kot, gjatë prezantimit që i bëri Muhamet Rrumbullakut, ministri i kohës, Bledi Çuçi e tha hapur se çfarë kërkohej nga drejtori i ri.
“Ju z. Rrumbullaku do të merrni sot në dorëzim flamurin e organizatës. Unë dua të them që ne respektojmë shumë flamuj të vendeve të tjera, dikë më shumë dikë më pak. Në një moment historie mund të ndryshojnë flamujt që respektohen më shumë dhe më pak, por flamuri i vetëm për të cilin ne përulemi të gjithë dhe për të cilin kanë dhënë jetën shumë shqiptarë të mirë, përfshi edhe përfaqësues të Policisë së Shtetit dhe për të cilin besoj se çdo shqiptar i mirë është gati të jap jetën, është flamuri me shqiponjën me dy krena. Dua t’ju them që këtë gjë mos e harroni në asnjë ditë të punës tuaj”, u shpreh Çuçi.
Fjalët e Çuçit ishin edhe porosi për Muhamet Rrumbullakun që po vinte në detyrë, por edhe kunja për Gledis Nanon që u largua nga detyra. Tre vjet më pas, ai ka në dorë një vendim të gjykatës që i jep të drejtë, por me një karrierë të lënë në mes në polici. Rasti i Gledis Nanos është edhe një shembull se çfarë modeli njerëzish janë të përshtatshëm në shtetin shqiptar; ushtarë të verbër, që duhet t’i binden shefit, edhe kur shefi jep një urdhër të paligjshëm./Lapsi.al




You must be logged in to post a comment.