Prej tre orësh, fshatrat e Delvinës po përballen me një situatë kritike për shkak të zjarrit të fuqishëm. Ministria e Mbrojtjes ka urdhëruar evakuimin e 3 fshatrave Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, ku mungon edhe energjia elektrike. Shefi i Komisariatit të Delvinës u asfiksua e pësoi djegie të lehta, dhe u dërgua në Spitalin e Traumës, ndërsa janë asfiksuar edhe 5 persona të tjerë. Zjarri ka përfshirë edhe Malin e Shpiragut në Berat.
Banorët flasin për rreth 40 banesa të prekura nga flakët të djegura plotësisht ose pjesërisht, ku 8 prej tyre janë të banuara, ndërsa dëme të shumta pati edhe në pemëtari e bagëti. Në të 3 këto fshatra deri tani mungon edhe energjia elektrike.
Në zonë për të ndjekur situatën nga afër ka shkoi gjatë pasdites së sotme edhe Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu. Në një raportim për Report Tv, ministri Vengu deklaroi se u mbyll tuneli i Skërficës për shkak të tymit të dendur.
Edhe Senica u përball me situatë kritike. Katër banesa dhe qindra pemë frutore janë zhdukur në Senicë, ndërsa banorët u përballën me orë tmerri, në një përpjekje për të shpëtuar jetën dhe ato pak gjëra që mundën të nxirrnin nga flakët.
Kisha e Shën Dhimitrit, një ndër më të vjetra në jug të vendit është shkrumbuar plotësisht nga flakët. Një monument kulture i rrallë, pjesë e identitetit historik të zonës, nuk ekziston më.
Pamjet me dron, të siguruara nga Report Tv, tregojnë një panoramë tronditëse, ku fshati është mbuluar nga hiri. Kryeplaku dhe banorët e Senicës të tronditur flasin për dëmet e mëdha.
“Na u dogj fshati komplet. Kisha, banesat, pemët… Çatia e kishës ra përdhe para syve tanë. Dhe zjarri prapë po afrohet nga poshtë”, thotë një banor.
Zjarri ra pasditen e së enjtes në mal dhe për shkak të erës së fortë dhe temperaturave të larta u përhap me shpejtësi drejt zonës së banuar.
“Kisha ishte simboli i këtij fshati, aty ku bashkoheshim si njerëz, si besimtarë. Nuk kemi humbur vetëm një godinë, kemi humbur zemrën tonë. Shtëpitë janë djegur me themel, tokat janë bërë shkrumb. Dhimbja që ndjejmë është e papërshkrueshme”, thotë në banor tjetër.
Prej ditësh, edhe Parku Kombëtar i Lurës digjet pa pushim. Tre vatra aktive në zonën e Liqenit të Luleve po shkatërrojnë pishat e bimësinë. Në terren janë mbi 100 forca, ndërsa nga ajri ndihmon një avion Canadair nga Kroacia.
Zjarri i rënë para disa ditësh në Shkopet ka përparuar drejt fshatit Fang në Mirditë duke rrezikuar dhe zonën e antenave. Punonjës të bashkisë mbeten të lënduar, ndërsa punonin me mjete rrethanore. Pritet ndërhyrja nga ajri.
Emergjencat Civile raportojnë për 10 vatra aktive në vend, ndërsa ne terren janë 680 forca operacionale, 52 mjete zjarrfikëse, 2 helikopterë të FA,2 helikopterë hungarezë dhe 1 avion Canadair nga Kroacia. Përballë kësaj gjendjeje alarmante, vetëm dy persona janë proceduar penalisht, në Kakavijë dhe Dovolan të Korçës



