
Të paktën 3 persona humbën jetën dhe 34 të tjerë u plagosën rëndë pasi një tren pasagjerësh doli nga shinat në Gjermaninë jugperëndimore.
Aksidenti ndodhi në Riedlingen pranë Stuttgartit dhe sipas policisë u shkaktua nga “arsye të panjohura”. Raportet thonë se pak më parë kishte pasur një stuhi në zonë.
Rreth 100 persona ishin në bordin e trenit kur të paktën dy vagonë dolën nga shinat në një zonë të pyllëzuar rreth orës 18:10 sipas orës lokale, raportoi agjencia gjermane e lajmeve DPA.
Kancelari gjerman Freidrich Merz tha se “ishte në zi për viktimat” dhe u ofroi “ngushëllimet e tij më të thella” familjeve të tyre në një postim në X.
Ai tha se ishte në kontakt të ngushtë me ministrat e brendshëm dhe të transportit dhe ka kërkuar që ata t’u ofrojnë shërbimeve të emergjencës të gjithë mbështetjen që u nevojitet.

Pamjet e aksidentit tregojnë vagonët e kthyer në anët e tyre dhe praninë e madhe të shërbimit të emergjencës. Në vendngjarje mund të shiheshin edhe pemë të rrëzuara. “Deutsche Bahn” tha se treni ishte në një rrugë 90 km midis Sigmaringen dhe Ulm kur doli nga shinat.“Arsyeja e saktë është ende e paqartë në këtë moment” – tha ajo në X. “Mendimet dhe ngushëllimet tona janë me viktimat dhe të gjithë ata që tani duhet të përpunojnë këtë përvojë.”/DPA




You must be logged in to post a comment.