
Nga Armir Shkurti
Orët e fundit para se të skadojë afati i Ramës. Thasë me mbeturina ndërtimore nga prishjet e lokalit. Ora 21.40. Kanë afat edhe 2 orë e 20 minuta. Përndryshe?
Kthehu pak në kohë, për të interpretuar “führer”-in.
Kur u zgjodh kryetar bashkie Edi Rama e nisi me 𝒔𝒉𝒌𝒂𝒕𝒆̈𝒓𝒓𝒊𝒎𝒆. Pluhur, rrënoja, policë dhe makineri të rënda.
Kur u zgjodh kryeministër për herë të parë Edi Rama e nisi edhe këtë rradhë me 𝒔𝒉𝒌𝒂𝒕𝒆̈𝒓𝒓𝒊𝒎𝒆. Policë, buldozerë deri edhe tritol. Jo më koiska, por tani pallate me shumë kate.
Mandati IV, ende pa nisur, u shënua nga 𝒔𝒉𝒌𝒂𝒕𝒆̈𝒓𝒓𝒊𝒎𝒆.
Si e ka hallin ky njeri?
( Para se të vazhdoj me ” këtë njeri”, po sjell një histori që sapo më treguan. Dikush kish hyrë në një çerdhe në Tiranë dhe qe befasuar nga edukatorja që rrihte një foshnj 10 muajshe. Qetë edukatorja i kish rrëfyer se e bënte këtë që fëmija të qante për ta zënë gjumi menjëherë më pas.
Pa arritur të nxjerr zë unë edhe të tjerë e konfirmuan se e njihnin këtë “teknikë” , e cila qenkësh e përhapur dhe e pranuar.
Po ç’pres unë nga një popull që e kanë rrahur që në djep me qëllim që të flerë rehat? Po pa dajak këtë milet s’e zë gjumi more!! )
Inferiorët, të pazotët, të dobëtit, shpirtligjtë që s’shohin dot të tjerët mirë e çmos prej këtij soji, adhurojnë dhunën e shtetit. Kur shteti i shyp, i rreh, i nëpërkëmb, pikërisht atëhere ndjehen mirë këta. “Se ka shtet”! Me iluzionin se kjo dhunë e ky represion është drejtësi, kjo dhunë e represion do ti mbrojë nga dhuna dhe padrejtësitë e jetës së përditshme, se kjo dhunë e represion është hakmarrje ndaj të pasurve e të zotëve dhe justifikim për pazotësinë e vet.
Führeri i Gjermanisë naziste, Adolf Hitler ka patur një moto: ” Një ditë terror – dhjetë vjet qetësi” Ky është në thelb qëllimi i ultimatumit që skadon pas pak, dhënë prej “fRürjerit” tonë. Demonstrim dhune arbitrare të “liderit suprem”. Parada e fitores së një pushtuesi i cili më në fund ka nënshtruar një popull dhe po kërkon prej tij akte publike përuljeje dhe nënshtrimi. Kjo ndodhi me Thethin. Kjo po ndodh në zemër të Tiranës. Biznesmenë, sipërmarrës, pronarë, të zbardhur nga koka te thori i këmbës , si mullixhin, prej pluhurit të shkatërtimit, të rrënuar nga lodhja, humbja dhe poshtërimi, vazhdojnë me vrull paradën, për ti treguar “fRyrjerit” se “ti je pushteti absolut! Ne të nënshtrohemi pa kushte”. Sepse nuk kanë nga shkojnë. Si zogjtë kërrmangrënës qarkullojnë pambarim lloj – lloj inspektorësh, gati për të mbushur gjobat shumëmilionëshe, gati për të thirrur policët me pranga e armë gjer në dhëmbë.
I duhej pra Edi Ramës një “Gaza” e tretë, me rrënoja, sirena, pluhur, policë, dinamit, buldozerë, lot dhe njerëz të rrënuar, për ti deklamuar këtij mileti slloganin e famshëm të Luigjit të 14 – të: ” L’ état c’est moi”! ( shteti jam unë)
Këtij operacioni militar i parapriu operacioni “fshesa” në pushtetin vendor. Në bllok, pa asnjë përjashtim,.”führeri” urdhëroi dorëheqjen e të gjithëve dhe të gjithë, me zellin më të madh, demonstruan bindje, përulje dhe nënshtrim, duke marrë mbi vete çdo mëkat e duke zbatuar pa zë urdhërin poshtërues, diskreditues, politik të führerit që kish merak ta piskante me çdo mjet thirrjen:
- He-he- heeeeej! Tash unë jam Zot! Mbi të gjithë e mbi gjithçka! …O hej!
Frika është instikti bazë, që lind me njeriun. Diktaturat, tiranitë, skllavëritë janë të mbështetura pikërisht mbi frikën dhe format e larmishme të saj. Sidomos bën punë tek njerëz që janë rrahur që këlysh me qëllimin fisnik që të qajnë sepse ashtu i zë gjumi top. Pavarësisht sa vende pune mbyllen, sa familje varfërohen, sa hollohet shtresa e mesme, “bombardimi” është nevojë jetike për “führerin”. Përndryshe kundërshtarë dhe eprorët kuptojnë se është dobësuar, është zbutur dhe e përmbysin. Madje edhe ky populli i gjumit me dru, po s’e ndjeu dajakun tamam, vështirë të flerë rehat.
Ky është në pikëpamje politike, synimi i “bombardimit” të Shqipërisë, nga Thethi në Ksamil, bombardim pervers ku shqiptari është shtrënguar jo vetëm të shkatërtojë me duart e veta pronën e vet, por edhe ta pastroj dhe rregullojë “hapësirën publike”. Edhe “bombardues” edhe “i bombarduar” edhe punëtor bashkie.
Në një plan më të gjerë, Edi Rama po nxiton të zbatimin e platformës së shpopullimi të Shqipërisë. Aktet e fundit bashkë me projektin për ndryshimet në Kodin Penal kanë rritur pasigurinë e jetës dhe pronës në vend duke masivizuar shumëfish vullnetin për t’ia mbathur në kurbet.




You must be logged in to post a comment.