Shtetet e Bashkuara, nëpërmjet Prokurores së Përgjithshme, Pam Bondi, njoftuan se shpërblimi për informacione që çojnë në arrestimin e Presidentit të Venezuelës, Nikolas Maduro, do të jetë 50 milionë dollarë.

Në fillim të këtij viti, vetëm 10 ditë përpara se Presidenti #Trump të merrte detyrën, Departamenti i Shtetit e rriti shpërblimin për informacione për kapjen e Maduros, nga 15 në 25 milionë dollarë. Tashmë ky shpërblim është dyfishuar.

Maduro akuzohet nga SHBA për korrupsion dhe ndihmë të karteleve të drogës. Sipas Sekretarit të Shtetit, Marko Rubio, Maduro është lideri i organizatës së përcaktuar si narko-terroriste ‘Cartel de Los Soles’ dhe ai është përgjegjës për trafikimin e drogës në Shtetet e Bashkuara dhe Europë.

Departamenti amerikan i Drejtësisë e ka akuzuar Maduron dhe 14 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Venezuelës për narko-terrorizëm, korrupsion, trafik droge dhe akuza të tjera kriminale në mars 2020.

Sipas Sekretarit të Shtetit, për vite me radhë Maduro dhe njerëzit e tij kanë manipuluar sistemin elektoral të Venezuelës për të mbajtur grupin e tyre të paligjshëm në pushtet.

“Shtetet e Bashkuara do të punojnë me partnerët për të bërë përgjegjës regjimin e korruptuar, të paligjshëm dhe kriminal. Ata që vjedhin zgjedhjet dhe përdorin forcën për të mbajtur pushtetin minojnë interesat e sigurisë kombëtare të Amerikës”, tha sekretari i Shtetit, Marko Rubio, pak ditë më parë.

Maduro erdhi në pushtet në Venezuelë në vitin 2013, por Shtetet e Bashkuara nuk e njohin presidencën e tij prej vitit 2019. Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë refuzuar ta njohin Maduron si fitues të zgjedhjeve të vitit 2024, duke e akuzuar për manipulime.

Departamenti i Thesarit e ka sanksionuar “Cartel de los Soles”, i njohur si Karteli i Diejve, si “organizatë terroriste botërore”. Sipas SHBA, ky kartel drejtohet nga Maduro dhe individë të tjerë në nivele të larta të regjimit, “të cilët kanë korruptuar institucionet e qeverisë së Venezuelës, përfshirë pjesë të ushtrisë, aparatit të inteligjencës, legjislativit dhe gjyqësorit për të ndihmuar përpjekjet e kartelit të trafikojë drogë në Shtetet e Bashkuara”.

Trending