Çmimi i arit të kontraktuar për dorëzim në të ardhmen arriti një rekord historik prej 3,534 dollarësh për ‘ounce’, pas vendimit të SHBA-së për të vendosur një tarifë prej 39% mbi importet e shufrave 1 kg nga Zvicra. Kjo tarifë përbën një goditje të madhe për industrinë zvicerane të rafinimit të arit, e cila dominon rreth 70% të tregut global dhe përbën një ndër eksportet kryesore drejt SHBA-së. Vendimi u firmos më 31 korrik dhe u bë publik nga ‘Financial Times’. Presidentja zvicerane Karin Keller-Sutter u kthye pa rezultat nga një vizitë urgjente në Uashington për të negociuar uljen e tarifës. Kjo lëvizje është parë si një masë ndëshkuese nga administrata e Donald Trump dhe ka shkaktuar shqetësim të madh në sektorin zviceran të metaleve të çmuara dhe të luksit, përfshirë industrinë e orëve. Investitorët janë drejtuar nga ari si një strehë e sigurt në kohë pasigurie ekonomike, duke rritur kërkesën, sidomos në SHBA. Megjithë tensionet tregtare, Zvicra ka vendosur të vazhdojë blerjen e avionëve luftarakë F-35 dhe sistemit Patriot nga SHBA.

Trending