
Një festë sportive është shndërruar në tragjedi në Brazil. Me rastin e një ndeshjeje futsali të vlefshme për Jogos da Semana da Pátria de 2025, aktivitet që zhvillohet në të njëjtën kohë me Javën e Atdheut në prag të Ditës së Pavarësisë së Brazilit, më 7 shtator, një portier ka ndërruar jetë në fushë. Bëhet fjalë për portierin Édson, i njohur edhe si Pixé.
Lojtari po zhvillonte një ndeshje në komunën e Augusto Corrêa, në verilindje të Pará, dhe ishte i angazhuar në gjuajtjet e penalltive. Gjatë një penalltie, portieri u hodh në të djathtën e tij dhe arriti të ndalte gjuajtjen, duke e bllokuar topin edhe me ndihmën e gjoksit. Menjëherë pas kësaj u festua nga shokët e skuadrës. Pasi u ngrit, Pixé u drejtua drejt qendrës së fushës, ku e priste një tjetër shok skuadre.
Por, këtu, papritmas Édson u rrëzua, duke u shembur praktikisht mes krahëve të shokut. Menjëherë u kërkua ndihma nga të gjithë të pranishmit. Fillimisht u dhanë ndihmat e para brenda palestrës së sportit, pastaj u transportua në spitalin lokal. Fatkeqësisht nuk pati asgjë për të bërë: sëmundja e beftë rezultoi fatale. Sipas shtypit brazilian, shkaku i vdekjes ende nuk është bërë publik.
Vendimi i Federatës së futsalit të Pará-s
Të gjitha ndeshjet u pezulluan për një ditë dhe turneu, bashkë me festimet, do të rinisë pas 24 orësh. Federata e Futsalit të Pará-s (FEFUSPA) ka shprehur ngushëllimet e saj për humbjen e portierit, duke theksuar jo vetëm cilësitë sportive, por edhe ato njerëzore.
Në notën zyrtare, organizmi ka dashur të shprehë afërsinë e tij me familjen, miqtë dhe gjithë ambientin e futsalit. Ja teksti i plotë i komunikatës: “Me dhimbje të madhe kemi marrë lajmin e ndarjes nga jeta të Antônio Edson dos Santos Sousa, atlet që shënoi rrugëtimin e tij me përkushtim, talent dhe shpirt skuadre. Prania e tij do të kujtohet gjithmonë brenda dhe jashtë fushës, jo vetëm për lojtarin shembullor që ishte, por edhe për personin e veçantë që dinte të fitonte zemrat e të gjithëve. Në këtë moment vuajtjeje, shprehim ndjenjat tona më të sinqerta për familjarët, miqtë dhe gjithë komunitetin sportiv. Qofshin të ngushëlluar nga kujtimet e bukura dhe nga siguria se Antônio Edson lë një trashëgimi frymëzimi dhe pasioni për futsalin”.




You must be logged in to post a comment.