Nga Marieta Mërkuri

Nuk ka shumë qytete në Shqipëri ku pyetja “kush duhet të jetë në krye?” ka më shumë peshë sesa në Vlorë.
Vlora nuk është thjesht një qytet por fillimi i shtetit, themeli i flamurit dhe shpërthimi i lirisë. Është qyteti ku historia nuk është në muze por në ajër, në rrugë, në kujtesën kolektive. Dhe kjo do të thotë një gjë shumë të qartë, ta drejtosh Vlorën nuk është thjesht një funksion administrativ por një barrë morale.

Në këto kohë pas largimit të parakohshëm të një kryetari të ri që nisi me energji por u tërhoq para kohe, qyteti gjendet përballë një reflektimi më të thellë se zakonisht.
Jo kush do ta drejtojë Vlorën por kush duhet ta drejtojë?
Sepse drejtimi i Vlorës nuk është për të guximshmit me fjalë por për të zotët me vepra

Në Vlorë nuk shkon për të provuar veten por për të shërbyer. Nuk shkon për të ndërtuar imazh por për të ndërtuar besim. Nuk mjafton të jesh i ri
dhe as i vjetër,as i shkolluar jashtë dhe as me eksperiencë në administratë. Në Vlorë duhet të jesh qytetar i denjë për qytetin dhe kushdo që mendon ta marrë këtë detyrë duhet të vijë me një raport të qartë me qytetin.
Duhet të ketë historinë në kurriz dhe të ardhmen në mendje.
Të mos jetë thjesht menaxher por figurë që përfaqëson vlerë, maturi dhe përgjegjësi.

Dhe pyetja ime lind natyrshëm në këto kohë të trazuara se cili është profili që i takon Vlorës?

Vlora meriton një drejtues që është më shumë se një administrator i zoti , meriton një njeri me përmasë publike që di të dëgjojë, di të heshtë kur duhet dhe të flasë kur ka kuptim. Një profil që e ndjen veten në shërbim dhe jo në pushtet.
Ky përfaqësues duhet të ketë domosdoshmërisht formim qytetar dhe profesional jo thjesht politik, aftësi për të ndërtuar dialog dhe jo monologje publike.
Përulësi për të dëgjuar njerëzit e thjeshtë dhe jo vetëm për të raportuar suksese nga zyra.
Dinjitet përballë partisë sepse Vlora nuk është degë lokale por kombëtare.
Ai apo ajo që synon të ulet në krye të Bashkisë së Vlorës duhet të kuptojë se në këtë qytet nuk kërkohet protagonizëm por ndërgjegje qytetare.
Sepse Vlora është një qytet që nuk fal arrogancën dhe nuk pranon harresën
Vlora është e ndjeshme, e kujdesshme dhe e kupton kur je aty për të marrë dhe kur je aty për të dhënë. E kupton kur bën teatër dhe kur bën shërbim. Nuk fal mungesën e kontaktit. Nuk pranon gjuhën e urdhrit. Nuk duron vonesën e veprimit.
Dhe mbi të gjitha nuk toleron harresën sepse ajo vetë është kujtesë e gjallë e Shqipërisë.

E pra, përtej emrit kërkohet figurë 
Dhe kjo nuk është një çështje emrash e as partish por një çështje përmbajtjeje. 
Vlora kërkon figurë publike, jo figurant politik. 
Kërkon vizion dhe jo slogane.
Kërkon karakter dhe jo shfaqje.
Prandaj, pyetja nuk është “ Kush ka më shumë mbështetje?”
Por, 
“Kush ka më shumë peshë qytetare?”

Ndaj kushdo që vjen duhet të vijë me një vetëdije të thellë se ky qytet nuk të përket por të jepet për një kohë të kufizuar për ta respektuar, për ta ndërtuar, për t’i shërbyer.

Dhe në këtë moment kyç, Vlora nuk ka nevojë për një zgjedhje rutinë. Ka nevojë për një kthesë të re në cilësi dhe moral publik.Të gjithë ata që mendojnë ta drejtojnë këtë qytet duhet të ndalen dhe të pyesin veten:
A jam unë njeriu që do t’i përgjigjem qytetit me përgjegjësi dhe përulësi?
A do të jem unë i pranishëm, i drejtë, i hapur, i ndershëm?

E nëse përgjigjja është “po”, atëherë le të fillojë rruga por nëse është thjesht një tjetër “hap karriere” Vlora nuk është vendi.
Sepse Vlora nuk kërkon më nga ata që duan pushtet por nga ata që duan qytetin.

Drejtuesi i ardhshëm nuk duhet të jetë më i zhurmshmi dhe as më i mbështeturi politikisht por më i përkushtuari, më qytetari, më i ndershmi.

Vlors s’të zgjedh me vota por me zemër dhe nëse nuk e fiton zemrën e saj 
atëherë edhe ky mandat do jetë i zbrazët.

Trending