Një nga gjërat më të habitshme dhe më të pashpjegueshme në këtë botë është fuqia e pafundme e propagandës.

Kjo mund të kuptohej në shoqëritë e mbyllura. Mund të kuptohej para 100 vitesh, kur informacioni ishte i kontrolluar. Por sot, kur informacioni dhe dija janë demokratizuar në çdo cep të planetit, kjo mbetet një mister i madh.

Shikoni çfarë ndodh! Del kryeministri i Shqipërisë dhe thotë se ne kemi shpikur, të parët në botë, një soft që do të menaxhojë të gjithë tenderët. Kjo merret dhe bëhet lajm në të gjitha mediat shqiptare, madje edhe në disa nga mediat më të mëdha të botës.

Niveli i debilizmit kolektiv arrin majat, kur BBC-ja bën kronikë duke sugjeruar që qeveria britanike duhet të kopjojë Shqipërinë dhe të fusë inteligjencën artificiale në procedurat e prokurimit.

Askush nuk bën disa pyetje shumë të thjeshta:

– Sa e avancuar është Shqipëria në teknologjinë e informacionit?

– Çfarë niveli inovacioni ka ekonomia shqiptare?

– Si ka mundësi që nuk e shpiku Amerika këtë soft për të zhdukur korrupsionin në tendera dhe qeverisje?

Si ka mundësi që Mirlinda e AKSHI-t, e cila është ekzekutivja e vetme në botë që nxori të gjitha të dhënat e qytetarëve të saj në pazarin e gjësë së gjallë, gju-njëzoi Bill Gatesin, Zuckerbergun, Elon Muskun, Sam Altmanin etj.?

Si ka mundësi që Shqipëria e Edi Ramës, e cila nuk prodhon dot as stilolapsa dhe shkrepse, arrin të bëjë shpikjen më të madhe të shekullit duke i dhënë zgjidhje problemit më të madh të qeverisjes në botë?

Dhe e fundit fare: a mund të shpikë një nga qeveritë më të korruptuara të Europës ilaçin e korrupsionit?

Askush nuk i bën këto pyetje. Sepse ne i kemi shndërruar në idhuj këto mediat e huaja. Por ja, këtë nivel kanë dhe këta. Nuk është se vijnë nga Marsi.

Tani, kjo histori e Diellës është shumë e thjeshtë. E para, u hodh për propagandë që qeveria dhe kryeministri të kapnin disa tituj në mediat botërore. E dyta, dhe më e rëndësishmja, ka një bisht të madh nga pas.

Është një projekt prej rreth 180 milionë eurosh që po negociohet me Bankën Botërore dhe Bashkimin Europian për investime në IT. Deri para ca kohësh e pati negociuar ai Myzyri i KPP-së, por pasi e mori SPAK-u dhe e futi në dollap, ngeci pak.

Prandaj po bëhet kjo. Do rruajnë ato 180 milionë euro. Dhe në fund lind një pyetje tjetër:

Linda e AKSHI-t, çfarë di të bëjë më mirë?

Të shpikë gjëra që mahnisin botën apo të rruajë lekë?

Kuzhinieri gatuan vetëm gjellën që di të bëjë. Dhe kjo di vetëm këtë të dytën ta bëjë mirë.

Të besosh që bëri shpikjen e shekullit një institucion ku po merren njerëzit peng, kjo është fuqia e jashtëzakonshme e propagandës.

Trending