
Nga Ylli Manjani
Dasma, vendi i shpërdorimit dhe përgojimit. Një kulturë pakulturë e jona.
Shqipet kur shkojnë nëpër dasma, përveç se tërbohen, shpërdorojnë.
Dyshemetë e lokaleve të dasmave të zakonshme në këtë vend shndërrohen në liqenj parash që i hedhin dasmorët pa hesap. Shqiptarët e quajnë “mbarësi” të shkelesh apo kërcesh mbi para. Në mungesë totale të respektit për paranë, mundin dhe djersën që duhet për ti fituar ato të shkreta, shkelen me këmbë.
Skenat se si plëncfryrët nga ushqimi i bollshëm e me yndyrë hedhin para në dasëm i gjeni në çdo reels në rrjete sociale, përveç se në memoriet tuaja personale.
Dasmorët shqiptarë fusin duart, si pa gjë të keq, nëpër cica nusesh për ti tejmbushur ato me para. Fusin duart në xhepa dhëndurësh për të larë hesapin, pasi më parë “votojnë” në cicat e nuseve të tyre.
Mbushin me para tyta klarinetash e saksofonësh, fletë fizarmonikash, tela violinash, lëkura dajresh e xhepa ustallarësh ahengu. Madje ende ruhet tradita e bërjes së kartëmonedhave me pështymë dhe ngjitja në ballë të ustait. (O zot çfarë fyerje edhe për disa instrumentistë të cilët janë vërtetë virtuozë!).
Hedhin pare pa hesap e për çdo gjë në çdo dasëm që bëjnë vetë ose marrin pjesë. Është bërë kulturë krejt e pakulturë kjo gjë në dasmat tona.
Neveri totale!
Shqiptarët shfaqën masivisht si shpërdorues të parasë në çdo dasëm.
Po të njëjtët shqiptarë shpërdorues në emër të kulturës së pakulturë, kërkojnë hesap “ku i mori lekët ai/ajo tjetri/tjetra që bëri dasëm”?!
Ky është kulmi i hipokrizisë.
Me makinë llogaritëse në duar, sigurisht abuzive, vënë edhe shumat e supozuara se sa ka harxhuar ai tjetri. Asnjërit nga këta moralistë nuk i punon makina llogaritëse tek shpërdorimi i parasë në dasmat e veta!!!
Tani, unë nuk e di sesa ka kushtuar dasma e djalit të Jozefina Topallit. As që dua ta di sepse kjo është kënaqësi dhe mundësi e familjes Topalli-Çoba. Shyqyr që i ka mundësitë dhe iu shtofshin!
Megjithse kam bindjen e fortë se ai event nuk ka kushtuar aq sa thonë port’halet. Nuk besoj se ka shërbim kishtar diku që të kushtojë aq shumë, sa ç’raportojnë thashethemaxhinjtë shpërdorues.
Vendosja e një shume të supozuar për të bërë lajm është abuzim me jetën private të tjetrit. Papërgjegjshmëri totale në informim publik.
Por edhe sikur të ketë kushtuar aq sa duan këta hipokritë e ça pastaj?! Ç’u hyn në xhep juve , pjesmarrës në kulturën e pakulturë të dasmave që përshkrova më lart?!
Shihni ore punën e dasmat tuaja!
Për aq sa i intereson kuriozitetit publik me këtë rast, Jozefina Topalli nuk ka qenë kurrë në jetën e saj në ekzekutiv. Ka qenë e është në politikë, shumicën e kohës në opozitë.
Madje për 4 vite edhe në opozitë me opozitën. Mund të mos jesh dakord me politikën e saj, por askush nuk ka të drejtë të përgojojë gëzimet e saj familjare.
Ky përgojim quhet turp për cilindo që e bën.
Hajde tani, “mbarësi” te dasma e radhës ku do hidhi paranë lumë…
Bereqet, bereqet!
Pffffff




You must be logged in to post a comment.