Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, në një deklaratë zyrtare nga Zyra Ovale, ka shprehur shqetësime lidhur me ndikimin e disa barnave dhe vaksinave në shëndetin e fëmijëve, duke veçuar përdorimin e Tylenol (acetaminofen) gjatë shtatzënisë si një faktor të mundshëm rreziku për zhvillimin e autizmit.

I shoqëruar nga Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert F. Kennedy Jr., Presidenti Trump deklaroi se Departamenti i Shëndetësisë do të lëshojë udhëzime të reja për profesionistët e mjekësisë, duke i informuar ata mbi rreziqet e mundshme që lidhen me përdorimin e acetaminofenit gjatë shtatzënisë.

“Ka një lidhje të mundshme mes përdorimit të Tylenol nga gratë shtatzëna dhe rritjes së rasteve me autizëm tek fëmijët,” tha Presidenti Trump, duke theksuar nevojën për më shumë transparencë dhe kujdes në përshkrimin e medikamenteve për gratë shtatzëna.

Ai gjithashtu ngriti dyshime për efektet anësore të disa vaksinave dhe medikamenteve të tjera, duke përmendur komunitetin Amish si shembull. “Në komunitetin Amish nuk kemi raste autizmi,” u shpreh Trump, duke nënkuptuar një lidhje të mundshme mes stilit të jetesës dhe mungesës së diagnostikimeve të këtij çrregullimi.

Gjithashtu Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka paralajmëruar një njoftim të rëndësishëm në lidhje me autizmin, i cili pritet të bëhet publike të hënën nga Zyra Ovale.

Gjatë një fjalimi në ceremoninë përkujtimore të aktivistit konservator Charlie Kirk, Trump bëri një devijim nga temat përkujtimore për të dhënë mesazhin me përmbajtje shëndetësore.

Ai tha para të pranishmëve se beson se administrata e tij ka bërë përparim të madh në trajtimin e çrregullimeve të spektrit autik dhe u shpreh se “mendoj se kemi gjetur një kurë për autizmin”, duke shtuar se ky do të jetë një nga njoftimet më të rëndësishme që ai ka bërë ndonjëherë si president.

Trump nuk dha detaje konkrete për njoftimin, por e lidhi atë me përpjekjet për të kuptuar shkaqet e rritjes së rasteve të autizmit në Shtetet e Bashkuara dhe me nevojën për ndërhyrje të menjëhershme.

Trending