Hamasi ka rënë dakord të lirojë të gjithë pengjet e mbetura izraelite, por ka thënë se dëshiron negociata të mëtejshme mbi një numër pikash kyçe të përcaktuara në planin e paqes të SHBA-së. Në një deklaratë, lëvizja tha se bie dakord “të lirojë të gjithë të burgosurit izraelitë, si të gjallë ashtu edhe të vdekur, sipas formulës së shkëmbimit të përfshirë në propozimin e Presidentit Trump” – nëse plotësohen kushtet në terren për shkëmbimet.

Megjithatë Hamasi kërkon negociata të mëtejshme mbi çështje të tjera në lidhje me të ardhmen e Rripit të Gazës dhe të drejtat e popullit palestinez, duke thënë se ato janë ende duke u diskutuar. Njoftimi erdhi disa orë pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump i dha Hamasit një afat deri të dielën për të pranuar planin e paqes së SHBA-së për Gazën ose ndryshe do të përballej me “të gjithë ferrin”.
Deklarata e Hamasit nuk përmend se pranon konkretisht planin 20-pikësh të Trump, por thotë se “rinovon marrëveshjen e saj për t’ia dorëzuar administrimin e Rripit të Gazës një organi palestinez të pavarurish (teknokratësh), bazuar në konsensusin kombëtar palestinez dhe mbështetjen arabe dhe islamike”. Deklarata nuk përmend edhe një nga kërkesat kryesore të planit – që Hamasi të bjerë dakord për çarmatimin e tij dhe të mos luajë më asnjë rol në qeverisjen e Gazës.
Pyetja kryesore është nëse marrëveshja për lirimin e pengjeve dhe përfundimisht dorëzimin e Gazës do të jetë e mjaftueshme që Donald Trump të besojë se ekziston një perspektivë për t’i dhënë fund luftës. Plani i paqes propozon një ndërprerje të menjëhershme të luftimeve dhe lirimin brenda 72 orëve të 20 pengjeve të gjallë izraelitë të mbajtur nga Hamasi – si dhe mbetjet e pengjeve që mendohet të jenë të vdekur – në këmbim të qindra banorëve të Gazës të ndaluar. Besohet se 48 pengje mbahen ende në territorin palestinez nga grupi i armatosur, vetëm 20 prej të cilëve mendohet të jenë gjallë.
Sipas planit të SHBA-së, Hamasi nuk do të kishte asnjë rol në qeverisjen e Gazës dhe kjo lë derën hapur për një shtet përfundimtar palestinez. Netanyahu rikthehu kundërshtimin e tij të hershëm ndaj një shteti palestinez, duke thënë në një deklaratë video menjëherë pas njoftimit se: “Nuk është shkruar në marrëveshje. Ne thamë se do ta kundërshtonim fuqimisht një shtet palestinez”.
Plani përcakton që sapo të dyja palët të bien dakord për propozimin, “ndihma e plotë do të dërgohet menjëherë në Rripin e Gazës”.
Ushtria izraelite nisi një fushatë në Gaza në përgjigje të sulmit të udhëhequr nga Hamasi në Izraelin jugor më 7 tetor 2023, në të cilin u vranë rreth 1,200 persona dhe u morën peng 251 të tjerë. Të paktën 66,288 persona janë vrarë në sulmet izraelite në Gaza që atëherë, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në territor. /LAPSI.al




You must be logged in to post a comment.