
Presidenti amerikan Donald Trump tha se beson që pengjet e mbajtura në Gaza do të fillojnë të lirohen “shumë shpejt”, teksa ndërmjetësit po përgatiten të takohen të hënën në Egjipt për bisedime të tërthorta paqeje mes Hamasit dhe Izraelit.
Takimi zhvillohet pasi Hamasi ka pranuar disa pjesë të planit 20-pikësh të SHBA-së për paqe, përfshirë lirimin e pengjeve dhe dorëzimin e administrimit të Gazës tek teknokratë palestinezë, por kërkon negociata për çështje të tjera. Megjithatë, përgjigjja e grupit nuk përmendi çarmatimin apo heqjen dorë nga çdo rol i ardhshëm në qeverisjen e Gazës.
“Ne nuk kemi nevojë për shumë fleksibilitet sepse pothuajse të gjithë janë dakord, por gjithmonë mund të ketë ndryshime,” tha Trump për gazetarët, duke shtuar se negociatat “po ecin shumë mirë”.
“Është një marrëveshje e shkëlqyer për Izraelin, për botën arabe, për botën myslimane dhe për gjithë botën,” theksoi ai.
Ndërkohë, bombardimet izraelite në Gaza kanë vazhduar, pavarësisht thirrjes së Trump drejtuar Izraelit të “ndalojë menjëherë bombardimet”. Zëdhënësja e qeverisë izraelite, Shosh Bedrosian, tha se “disa bombardime janë ndalur, por armëpushim nuk ka”. Ajo shtoi se Netanyahu ka urdhëruar që “të qëllohet vetëm për vetëmbrojtje, nëse ushtarët kërcënohen në fushëbetejë”.
Raportime nga Gaza thonë se Izraeli ka vazhduar me sulme ajrore dhe me tanke gjatë natës, duke shkatërruar disa ndërtesa banimi në qytetin e Gazës. Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi se 65 persona u vranë në 24 orët e fundit.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha për CBS News se bombardimet duhet të ndalen për të mundësuar lirimin e pengjeve. “Nuk mund të lirosh pengje ndërsa bombardimet vazhdojnë,” tha ai, duke shtuar se “duhet punuar edhe për logjistikën e procesit”.
Plani 20-pikësh parashikon ndalimin e menjëhershëm të luftimeve dhe lirimin e 48 pengjeve (vetëm 20 mendohet se janë gjallë) në këmbim të qindra të burgosurve nga Gaza. Netanyahu tha të shtunën se shpreson të shpallë lajmin për lirimin e pengjeve “në ditët në vijim”.
Në bisedimet në Egjipt pritet të marrin pjesë përfaqësuesit izraelitë, i dërguari special amerikan Steve Witkoff, dhëndri i Trump-it Jared Kushner dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani. Takimet pritet të jenë ndër më vendimtaret që nga fillimi i luftës dhe mund të përcaktojnë nëse ekziston një rrugë reale drejt armëpushimit.
Burime palestineze thanë për BBC se ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia kanë ndikuar në vendimin e Hamasit për të zbutur tonet dhe për të lënë jashtë deklaratës zyrtare “vijat e kuqe”, si çarmatimi apo roli i ardhshëm në qeverisje, një shenjë se grupi ndodhet nën presion të jashtëm.
Megjithatë, analistët paralajmërojnë se çdo vonesë në arritjen e një marrëveshjeje do të thotë më shumë vdekje dhe shkatërrim për popullin e Gazës. Vendimi i Hamasit për të hyrë në bisedime pa kushte paraprake shihet edhe si pranim i dobësimit të tij pas gati dy vjetësh lufte.
Trump paralajmëroi se nëse Hamasi këmbëngul të qëndrojë në pushtet në Gaza, “do të përballet me shkatërrim të plotë”. Ai publikoi gjithashtu një hartë të planit të tërheqjes izraelite nga Gaza, që parashikon disa faza të tërheqjes së ushtrisë. Sipas BBC, harta fillestare do të linte jashtë shtëpive të tyre rreth 900 mijë palestinezë.
Fushata ushtarake izraelite në Gaza nisi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023, ku u vranë rreth 1.200 persona dhe u rrëmbyen 251 të tjerë. Sipas ministrisë së shëndetësisë në Gaza, deri tani janë vrarë mbi 67.000 persona nga operacionet izraelite.
Gazetarët ndërkombëtarë mbeten të ndaluar të hyjnë në mënyrë të pavarur në Rripin e Gazës, çka e bën të vështirë verifikimin e pretendimeve nga të dyja palët.
Tashmë, sytë janë drejt Egjiptit, ku negociatorët do të përpiqen të hapin rrugën për armëpushimin e parë pas dy vitesh gjakderdhjeje./BBC




You must be logged in to post a comment.